“Helamani 1–4, 6: ‘Pati Grindje të Shumta’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Helamani 1–4, 6”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Helamani 1–4, 6
“Pati Grindje të Shumta”
Ku sheh grindje, përçarje, mosmarrëveshje ose rebelim në botën përreth teje? Jo shumë kohë pas vdekjes së kapiten Moronit, Helamanit dhe kryegjykatësit Pahoran, nefitët vuajtën pasojat e grindjeve të shumta. Prapëseprapë, disa vetë zgjodhën të kërkonin paqen nëpërmjet Jezu Krishtit. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i kuptosh pasojat e grindjes dhe se si të gjesh paqe te Krishti në një botë që ka grindje.
Grindja
Në ditarin tënd të studimit, krijo një diagram flluskë si ai më poshtë.
Shkruaje fjalën grindje në mes të diagramit flluskë. Përreth fjalës, shkruaj disa nga fushat e jetës sate ku ti sheh grindje, të tilla si në mediat shoqërore ose mes shokësh. Ti do të shtosh në këtë diagram më vonë në mësim.
-
Si ndikon grindja drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt në jetën tënde?
-
Si reagon ti kur nuk bie dakord me të tjerët ose kur përballesh me njerëz grindavecë?
Ndërsa e fillon studimin nga ana jote të librit të Helamanit, kushtoji vëmendje mënyrës se si ndikoi grindja te nefitët. Mendo gjithashtu rreth mënyrave se si mund të kërkosh paqe nga Jezu Krishti në një botë ku ka grindje.
Grindja në familje, Kishë dhe komunitet
Pas vitesh lufte, nefitët patën mundësinë t’i rimerrnin tokat e tyre nga lamanitët. Kapiten Moroni dhe Helamani vdiqën gjatë kohës së paqes që pasoi. Analet e shenjta iu dhanë birit të Helamanit, i cili, gjithashtu, quhej Helaman. Jo shumë kohë më pas, nefitët u bënë krenarë dhe përjetuan grindje.
Në librin e Helamanit ne lexojmë rrëfime që tregojnë se si grindja ndikon te familjet, Kisha dhe komuniteti.
Studioje një ose më shumë nga segmentet vijuese.
-
Familja: Lexo te Helamani 1:1–13, duke kërkuar se si ndikoi grindja te familja e Pahoranit pas vdekjes së tij.
-
Kisha: Lexo te Helamani 4:1–13, duke kërkuar se si krenaria dhe grindja në Kishë ndikuan mbi të gjithë kombin.
-
Komuniteti: Për shkak të grindjeve se kush duhet të ishte kryegjykatës, një njeri i lig i quajtur Kishkumen formoi një grup të fshehtë. Shumë shpejt atij iu bashkua një tjetër njeri i lig, i quajtur Gadianton (shih te Helamani 2). Në Librin e Mormonit, këto lloje grupesh janë quajtur lidhje të fshehta (shih te Helamani 3:23). Lexo te Helamani 6:15–21, 37–41, duke kërkuar atë që u ndodhi nefitëve për shkak të grindjes dhe ligësisë së shkaktuar nga hajdutët e Gadiantonit.
-
Cilat ishin disa nga pasojat e krenarisë dhe grindjes?
Referoju diagramit që nise në fillim të mësimit. Duke përdorur atë që lexon, rendit disa nga pasojat e grindjes në secilën fushë të jetës që e shkrove më parë në diagramin tënd. Për shembull, grindja në një grup shokësh mund t’i përçajë ata.
Nga ajo që lexon, ti mund të përcaktosh se krenaria dhe grindja mund të shkaktojnë përçarje mes familjeve, komuniteteve dhe kombeve. Mund të marrësh parasysh ta mbash shënim këtë të vërtetë në shkrimet e tua të shenjta pranë vargjeve te Helamani 1:4; 4:12–13 ose 6:38–40.
Shpëtimtari u dha mësim nefitëve rreth natyrës shkatërrimtare të grindjes. Lexo te 3 Nefi 11:29–30, duke kërkuar atë që tha Ai.
Kërkimi i paqes nëpërmjet Jezu Krishtit
Presidenti Rasëll M. Nelson dha ftesa të ngjashme lidhur me konfliktin dhe grindjen në jetën tonë. Shikoje materialin filmik “Fuqia e Hovit Shpirtëror” nga kodi kohor 1:38 deri në 3:31, ose lexoje thënien më poshtë.
“Thirrja ime sot, të dashur vëllezër e motra, është t’u jepni fund konflikteve që po ziejnë në zemrën tuaj, në shtëpinë tuaj dhe në jetën tuaj. Groposeni çfarëdo prirjeje dhe të gjitha prirjet për t’i lënduar të tjerët, qoftë nëse ajo prirje është një temperament, një gjuhë e mprehtë ose inat ndaj dikujt që ju ka lënduar. Shpëtimtari na urdhëroi të kthejmë faqen tjetër, t’i duam armiqtë tanë dhe të lutemi për ata që na keqtrajtojnë. …
Ne jemi ndjekës të Princit të Paqes. Tani më shumë se kurrë, kemi nevojë për paqen që vetëm Ai mund ta sjellë. Si mund të presim të ekzistojë paqja në botë kur ne, si individë, nuk po kërkojmë paqe dhe harmoni? Vëllezër dhe motra, e di se ajo që po sugjeroj, nuk është e lehtë. Por ndjekësit e Jezu Krishtit duhet të japin shembullin që duhet të ndjekë e gjithë bota. Ju lutem të bëni çmos që t’u jepni fund konflikteve personale që po ziejnë aktualisht në zemrën tuaj dhe në jetën tuaj.” (Rasëll M. Nelson, “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, Liahona, maj 2022, f. 97)
-
Si mund të na ndihmojë ftesa e Presidentit Nelson që ta ndjekim Jezu Krishtin?
Shikoje sërish diagramin tënd flluskë. Vendos një shenjë përzgjedhëse pranë çdo fushe grindjeje ku ti e ndien se mund të ndikosh për mirë.
Lexo te Helamani 3:32–36 ose Helamani 6:1–9, duke kërkuar se çfarë bënë nefitët dhe lamanitët e drejtë për të gjetur paqen në Krisht. Merre parasysh ta shenjosh atë që gjen.