“Zotërimi Doktrinor: Helamani 5:12 – ‘Është mbi Shkëmbin e Shëlbuesit Tonë … që Ju Duhet të Ndërtoni Themelin Tuaj’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Zotërimi Doktrinor: Helamani 5:12”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Zotërimi Doktrinor: Helamani 5:12
“Është mbi Shkëmbin e Shëlbuesit Tonë … që Ju Duhet të Ndërtoni Themelin Tuaj”
Gjatë studimit tënd të vargjeve te Helamani 5:1–13, ti mësove se si ndërtimi i themelit tënd mbi Jezu Krishtin mund të të ndihmojë t’u bësh ballë stuhive të fuqishme të djallit (shih te Helamani 5:12). Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te Helamani 5:12, ta shpjegosh doktrinën që jepet mësim në këtë fragment dhe t’i zbatosh në situata nga jeta reale parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.
Mëso përmendsh dhe shpjego
Në mësimin e mëparshëm, ti mësove të vërtetat vijuese: Jezu Krishti është themeli ynë i sigurt dhe nëse e ndërtojmë themelin tonë mbi Jezu Krishtin, djalli nuk do të ketë fuqi mbi ne. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor për vargun te Helamani 5:12 është: “Është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë … që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj”.
Përdor teknikën tënde të mësimit përmendsh ose një nga idetë vijuese për të të ndihmuar ta mësosh përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë.
Gjej një gur të vogël me hapësirë të mjaftueshme mbi të për të shkruar aty “Helamani 5:12”. Prit një shirit letre dhe shkruaj frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te Helamani 5:12, “Është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë … që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj”. Ngjite shiritin e letrës në gur duke përdorur shirit ngjitës, zamkë ose një llastik. Thuaje përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë disa herë derisa t’i kesh mësuar përmendsh.
Për një mënyrë tjetër për të të ndihmuar të mësosh përmendsh, vizato figurën e një shkëmbi me një person duke qëndruar mbi të. Brenda shkëmbit, shkruaj Helamani 5:12 dhe poshtë shkruaje frazën kyç të shkrimit të shenjtë disa herë derisa ta kesh mësuar përmendsh.
Ushtroje vënien në zbatim
Shqyrtoji shkurtimisht paragrafët 5–12 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” të materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023).
Shoqja jote Matilda është ndier kohët e fundit e dërrmuar nga informacionet negative që ka dëgjuar rreth Kishës. Një shoqe nga lagjja e mëparshme e Matildës i dërgoi asaj disa materiale që e sulmojnë doktrinën e Kishës dhe e kritikojnë profetin. Xhaxhai i saj e braktisi Kishën kohët e fundit për shkak se nuk bie dakord me rregullore të caktuara të Kishës. Matilda dëshiron të qëndrojë besnike, por po fillon të pyesë veten nëse e ka forcën. Një ditë ndërsa ktheheni në këmbë nga shkolla, Matilda të tregon se si ndihet dhe të kërkon këshillë.
Përdori parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrinën që jepet mësim te Helamani 5:12, për ta ndihmuar Matildën t’i qëndrojë besnike dëshmisë së saj.
Vepro me besim
-
Cilat janë dy ose tre veprime të drejta që mund të ndërmarrë Matilda për t’u mbështetur te Shpëtimtari dhe për ta forcuar themelin e saj shpirtëror gjatë kësaj kohe të vështirë? Çfarë ndryshimi mund të bëjnë për të këto veprime?
-
Çfarë mësimesh ke mësuar në të kaluarën rreth ushtrimit të besimit te Jezu Krishti që mund të jenë të dobishme për Matildën?
Këndvështrimi i përjetshëm
Ndihmoje Matildën ta marrë parasysh sfidën e saj me një këndvështrim të përjetshëm duke i shqyrtuar mësimet e Shpëtimtarit.
-
Cilat janë disa nga mësimet e Shpëtimtarit që mund t’ia tregosh Matildës për ta ndihmuar t’i shohë shqetësimet e saj nga një këndvështrim i përjetshëm? (Merr parasysh fragmente të shkrimeve të shenjta si ata në vijim: Gjoni 6:66–69; Hebrenjve 10:32–36; 2 Nefi 31:20; Doktrina e Besëlidhje 58:2–4.)
-
Si mund ta ndihmojnë këto mësime Matildën që t’i shohë shqetësimet e saj nga një këndvështrim i përjetshëm?
-
Si mund ta ndihmojë doktrina e dhënë mësim te Helamani 5:12 Matildën që t’i shohë shqetësimet e saj nga një këndvështrim i përjetshëm?
Burime të caktuara në mënyrë hyjnore
Matilda të pyet se çfarë mund të bëjë kur i bëhen pyetje rreth Kishës, të cilave ajo nuk ia di përgjigjet. Përsiat se çfarë mund t’i tregosh asaj nga mësimet vijuese të Presidentit Rasëll M. Nelson.
“Zgjidhni të besoni te Jezu Krishti. Nëse keni dyshime rreth Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij të Dashur, ose vlefshmërisë së Rivendosjes apo vërtetësisë së thirrjes hyjnore të Jozef Smithit si profet, zgjidhni të besoni [shihni te 2 Nefi 33:10–11] dhe qëndroni besnikë. Drejtojuani pyetjet tuaja Zotit dhe burimeve të tjera besnike. Studioni me dëshirën që të besoni në vend që të studioni me shpresën se mund të gjeni një të metë në strukturën e jetës së një profeti apo një mospërputhje në shkrimet e shenjta. Mos vazhdoni t’i shtoni dyshimet tuaja duke i ritreguar me njerëz të tjerë dyshues. Lejojeni Zotin t’ju udhëheqë në udhëtimin tuaj të zbulimit shpirtëror.” (Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 103)
Pasi ke pasur disa diskutime me Matildën lidhur me besimin dhe dëshminë e saj, ajo të shpreh mirënjohjen e saj që e ndihmove të qëndronte e vendosur në besimin e saj te Jezu Krishti.
Mendo rreth sfidave të tua, duke përfshirë çdo tundim që Satani mund të “lësho[jë] mbi ty” aktualisht (Helamani 5:12). Zgjidhe njërin për të cilin do të doje ndihmë nga Zoti dhe shkruaje atë në krye të një faqeje në ditarin tënd të studimit. Shkruaji tre parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe mbaje shënim se si ato parime mund të gjejnë zbatim në vetë situatën tënde.