“Helamani 3; 6: ‘Kështu Ne Shohim’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Helamani 3; 6”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Helamani 3; 6
“Kështu Ne Shohim”
Përfytyro sikur po shkruan një letër për t’i ndihmuar njerëzit që do të jetojnë pas qindra vitesh në të ardhmen. Në thelb, profet Mormoni bëri pikërisht këtë. Ndërsa e përmblodhi historinë nefite dhe e gdhendi atë në fletë të arta, ai vuri në dukje herë pas here të vërteta të rëndësishme duke përdorur thënie si “kështu ne shohim”. Të vërtetat që ai theksoi, mund të na ndihmojnë me sfidat me të cilat përballemi sot. Ky mësim mund të të ndihmojë të përcaktosh të vërteta nga shkrimet e shenjta dhe ta analizosh se si ato të vërteta mund të ndikojnë në jetën tënde.
Një udhëzues për mbijetesë
-
Nëse do të të kërkonin të shkruaje një udhëzues shkollor për mbijetesë për 12 dhe 13-vjeçarë, çfarë do të përfshije?
Lexoje atë që tha Presidenti Rasëll M. Nelson rreth një udhëzuesi për mbijetesë për jetën tënde:
“Profetët e [Librit të Mormonit], siç u frymëzuan nga Zoti, e panë kohën tonë dhe e përzgjodhën doktrinën dhe të vërtetat që do të na ndihmonin më së shumti. Libri i Mormonit është udhëzuesi ynë për mbijetesë në ditët e mëvonshme.” (Rasëll M. Nelson, “Përqafojeni të Ardhmen me Besim”, Liahona, nëntor 2020, f. 75)
-
Si po të ndihmojnë doktrina dhe të vërtetat që gjen në shkrimet e shenjta të mbijetosh shpirtërisht? A mund të mendosh për ndonjë shembull të kohëve të fundit?
Ndërsa studion kapitujt te Helamani 3 dhe Helamani 6, do të kesh mundësinë ta ushtrosh përcaktimin e doktrinës dhe parimeve nga shkrimet e shenjta. Kjo mund të të ndihmojë të kesh studim më kuptimplotë të shkrimeve të shenjta dhe të sjellë ty dhe familjen tënde më pranë Krishtit.
“Kështu ne shohim …”
Mes të gjitha grindjeve të shënuara te Helamani 1–6, kishte çaste të përkohshme paqeje. Te Helamani 3, disa mijëra vetë u pagëzuan në Kishë dhe Kisha përparoi. Te Helamani 6, pas kthimit në besim të shumë lamanitëve, nefitët dhe lamanitët jetuan në unitet ndërsa të dy grupet u kthyen te Zoti. Në të dy këta kapituj, Mormoni e ndaloi rrëfimin e tij të historisë nefite për të theksuar doktrinën dhe parimet e rëndësishme të së vërtetës. Ai e bëri këtë duke përdorur thënien “kështu ne shohim”.
Lexo te Helamani 3:27–30; 6:34–36 për të përcaktuar thëniet “kështu ne shohim” të së vërtetës. Merre parasysh t’i shenjosh ato të vërteta në shkrimet e shenjta dhe t’i mbash shënim me fjalët e tua në ditarin tënd të studimit.
Më pas, zgjidh një nga të vërtetat që gjete dhe renditi disa nga rreziqet shpirtërore, sfidat ose sulmet ndaj besimit që kjo e vërtetë mund të të ndihmojë t’u mbijetosh. Për shembull, nëse përdore të vërtetën nëse zgjedhim t’i besojmë me gatishmëri fjalët e Zotit, atëherë Ai do të derdhë Shpirtin e Tij mbi ne (shih te Helamani 6:36), ti mund të renditësh rreziqe si, nevoja për prova shkencore përpara se t’i besosh shkrimet e shenjta, besimi te ekspertët e botës më shumë sesa te profetët ose mirëbesimi i logjikës në vend të mbresave shpirtërore.
Kujtoje thënien nga Presidenti Nelson, në fillim të këtij mësimi rreth faktit që Libri i Mormonit është udhëzuesi ynë për mbijetesë në ditët e mëvonshme.