“Helamani 5:14–52: ‘Reja e Errësirës do të Largohet’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Helamani 5:14–52”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Helamani 5:14–52
“Reja e Errësirës do të Largohet”
Kur ndodhemi në një dhomë të errët, ne mund të ndezim një dritë. Por çfarë mund të bëjmë kur jemi shpirtërisht në errësirë? Kur errësira e kaploi një grup lamanitësh të ligj, atyre iu dha mësim të pendoheshin dhe të kishin besim te Jezu Krishti. Ky mësim mund të të ndihmojë të mbështetesh te Jezu Krishti për të larguar ndjenjat e frikës dhe errësirës dhe për t’i zëvendësuar ato me gëzimin, paqen dhe dritën e Tij.
Errësira dhe drita
Mendo për një kohë kur ishe në një vend të errët me pak ose aspak dritë. A të kujtohet çfarë kishte sfiduese pamundësia për të parë mirë?
-
Përveç të qenit në një dhomë të errët, cilat janë disa mënyra të tjera se si mund të përjetojmë errësirë në jetën tonë? Cilat janë disa ndjenja që mund t’i lidhësh me errësirën?
Mendo për jetën tënde dhe ndonjë errësirë që mund të jesh duke përjetuar. Ndërsa studion sot, kërko se çfarë mund të bësh për ta mbushur jetën tënde me dritë për të ndihmuar që të largohet errësira.
Shërbesa e Nefit dhe Lehit
Bijtë e Helamanit, Nefi dhe Lehi, predikuan ungjillin e Jezu Krishtit. Ata u dhanë mësim shumë nefitëve që kishin kundërshtuar dhe ishin bashkuar me lamanitët. Këta nefitë u penduan dhe u përpoqën të riparonin çdo dëm që kishin shkaktuar. Nefi dhe Lehi predikuan me fuqi të madhe dhe 8 000 lamanitë zgjodhën të pendoheshin dhe të pagëzoheshin (shih te Helamani 4:4; 5:14–19).
Lexo te Helamani 5:20–22, duke kërkuar se si u ndërpre suksesi i tyre.
Sa herë që përballemi me kundërshtim ose përjetojmë sprova, ne mund t’i konsiderojmë këto si kohë të errëta në jetën tonë. Madje mund të pyesim se përse Perëndia i lejon të ndodhin këto gjëra. Megjithatë, nëse u kushtojmë shumë vëmendje, do të vëmë re se Perëndia punon gjithnjë në jetën tonë dhe dëshiron të na bekojë.
Lexo te Helamani 5:23–33, duke kërkuar atë që bëri dhe tha Perëndia. Nëse është në dispozicion materiali zanor i kapitullit te Helamani 5, mund ta dëgjosh dhe lexosh njëkohësisht. Sigurohu ta ndalosh dhe ridëgjosh sipas nevojës.
-
Çfarë mëson rreth Perëndisë nga këto vargje? Çfarë ndjenjash ke për Të për shkak të asaj që mëson?
-
Si mund të të ndihmojë ftesa e Perëndisë te vargjet 29 dhe 32 ta shohësh dashurinë e Tij për gjithkënd?
Mund t’i nënvizosh fjalët te Helamani 5:29, 32 që përfshijnë ftesën nga Perëndia.
Ata që gjendeshin në burg u mbuluan nga errësira. Ata nuk dinin se çfarë të bënin dhe, për shkak të frikës, nuk mund të lëviznin (shih te Helamani 5:34, 40).
Lexo te Helamani 5:35–41 për të parë se si një njeri i quajtur Aminadab i ndihmoi ata të kuptonin se si ta largonin errësirën.
-
Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga ajo që tha Aminadabi te vargu 41?
Një parim që mund të mësojmë është se Jezu Krishti mund ta largojë errësirën nga jeta jonë kur ushtrojmë besimin tek Ai dhe pendohemi.
-
Si mendon, në ç’mënyrë të pasurit e besimit te Jezu Krishti dhe pendimi mund të ndihmojnë për ta larguar errësirën?
Plaku Robert D. Hejls (1932–2017), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi mënyra të caktuara se si mund ta ftojmë dritën e Zotit në jetën tonë.
“Drita [e Jezu Krishtit] do të formojë një mburojë mbrojtëse midis jush dhe errësirës së kundërshtarit ndërsa jetoni të denjë për të. Ju keni nevojë për atë dritë. Ne kemi nevojë për atë dritë. Studiojini me kujdes shkrimet e shenjta dhe [broshurën] Për Forcën e Rinisë dhe dëgjojini mësimet e prindërve dhe udhëheqësve tuaj. Më pas, duke iu bindur këshillave të urta, mësoni ta kërkoni dritën mbrojtëse të ungjillit si vetë dritën tuaj.
Ju mund ta pyesni veten: ‘Si mund ta bëj këtë?’ Ka vetëm një mënyrë: duhet të mësoni ta nxirrni atë dritë çdo ditë duke besuar te Jezu Krishti dhe zbatuar urdhërimet e Tij.” (Robert D. Hales, “Out of Darkness into His Marvelous Light”, Liahona, maj 2002, f. 70)
-
Çfarë di ti rreth Jezu Krishtit që të ndihmon të kuptosh se Ai mund të na mbrojë nga errësira ose ta largojë atë nga jeta jonë?
-
Bekimet nga ushtrimi i besimit te Jezu Krishti dhe pendimi
Lexo te Helamani 5:42–49 dhe bëj një listë të bekimeve që njerëzit përjetuan kur u penduan dhe ushtruan besim te Jezu Krishti. Shenjoji bekimet që ti e ndien se njerëzit sot kanë më shumë nevojë.