“3 Nefi 11:12–17: ‘Ejani tek Unë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“3 Nefi 11:12–17”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
3 Nefi 11:12–17
“Ejani tek Unë”
Pasi u paraqit si Biri i Dashur i Atit Qiellor, Jezu Krishti i ftoi njerëzit të dëshmonin personalisht se Ai ishte vrarë për mëkatet e botës. Një nga një ata u afruan tek Ai dhe e prekën plagën në anën e Tij dhe gjurmët e gozhdëve në duart dhe këmbët e Tij. Ky mësim mund të të ndihmojë të marrësh ose forcosh dëshminë tënde që Jezu Krishti vuajti dhe vdiq për ty.
Merr mbi vete përgjegjësi për dëshminë tënde
Mendo rreth mënyrës se si ftesa vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson gjen zbatim për ty.
“Ju përgjërohem që ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj. Punoni për të. Zotërojeni atë. Kujdesuni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. Ushqejeni me të vërtetën. Mos e ndotni me filozofitë e rreme të burrave dhe grave mosbesuese dhe më pas të pyetni veten përse dëshmia juaj po zbehet.” (Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022], ChurchofJesusChrist.org)
-
Si mendon, pse është e rëndësishme që çdo person të “m[arrë] mbi vete përgjegjësinë për” dëshminë e vet?
Një nga të vërtetat më të rëndësishme për të cilat mund të kemi një dëshmi është ajo që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës. Përsiat pse njerëzit kanë nevojë ta dinë këtë rreth Tij. Mund të studiosh te Gjoni 14:6 dhe Mosia 3:17 për të të ndihmuar t’i kuptosh disa nga këto arsye.
Sot do të studiosh një ndërveprim të shenjtë që Jezu Krishti pati me nefitët. Ndërsa studion, mendo rreth asaj që mund të bësh për të marrë ose forcuar dëshminë tënde për Jezu Krishtin.
Jezu Krishti i fton nefitët të prekin shenjat e plagëve të Tij
Sill ndër mend se ndërkohë që një grup nefitësh qe mbledhur në tokën e Begatisë, Zoti i Ringjallur zbriti nga qielli. Ai deklaroi se ishte Jezu Krishti dhe se Ai i kishte dhënë lavdi Atit duke vuajtur për mëkatet e botës (shih tek 3 Nefi 11:1–11). Turma përbëhej nga burra, gra dhe fëmijë duke numëruar rreth 2500 njerëz (shih tek 3 Nefi 17:25).
Lexo te 3 Nefi 11:12–15, duke kërkuar ftesën e parë të Zotit të Ringjallur drejtuar popullit. Mund të shikosh edhe materialin filmik “Jezu Krishti Shfaqet në Kontinentin e Lashtë Amerika”, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 13:29 deri në 16:03.
Ndërsa studion, përpiqu ta përfytyrosh veten si pjesë të turmës. Përfytyrimi i ngjarjeve ose ideve nga shkrimet e shenjta mund ta ftojë Frymën e Shenjtë në studimin tënd. Shëno çdo mendim ose ndjenjë që të vjen ndërkohë që studion, përsiat dhe përfytyron.
-
Si mendon se u ndien njerëzit teksa e panë Shpëtimtarin dhe ndërvepruan me Të “një nga një”? (3 Nefi 11:15.)
-
Cilat pjesë të këtij tregimi zgjodhe të përfytyrosh? Cilat ishin disa nga mendimet dhe ndjenjat e tua ndërsa e bëre këtë?
-
Çfarë të mësojnë këto vargje rreth dëshirës së Shpëtimtarit për secilin prej nesh?
Sa vijon është një parim që mund të mësojmë nga ky tregim i shenjtë: Jezu Krishti më fton të marr dëshmi vetjake që Ai është Shpëtimtari i botës. Merre parasysh ta shënosh këtë parim në shkrimet e tua të shenjta ose në ditarin tënd të studimit.
Duke folur për ftesën vetjake të Shpëtimtarit dhe shërbesën mes nefitëve, Peshkopi Zherald Kosé, i Peshkopatës Kryesuese, dha mësim:
“Kjo ngjarje sublime është pika kulmore në Librin e Mormonit. I gjithë ‘lajmi i mirë’ i ungjillit përmbahet në këtë imazh të Shpëtimtarit, që i zgjat përzemërsisht ‘krahët e [Tij të] mëshirës’ [Alma 5:33] për ta ftuar çdo individ që të vijë tek Ai dhe të marrë bekimet e Shlyerjes së Tij. …
… Ashtu sikurse Jezusi e ftoi secilin dishepull nefit që t’ia prekte plagët e Tij, ashtu Ai vdiq për secilin prej nesh, personalisht, sikur ju dhe unë të ishim njerëzit e vetëm mbi tokë. Ai na bën një ftesë vetjake që të vijmë tek Ai dhe t’i vëmë në përdorim të gjitha bekimet e mrekullueshme të Shlyerjes së Tij.” (Zherald Kosé, “Një Dëshmitar i Gjallë i Krishtit të Gjallë””, Liahona, maj 2020, f. 39, 40)
-
Cilat janë disa mënyra se si mund të marrim dëshminë tonë vetjake se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës?
“Hosana!”
Nefitët u ndikuan thellë nga ndërveprimet e tyre vetjake me Shpëtimtarin.
Lexo tek 3 Nefi 11:16–17, duke kërkuar se si reagoi turma pas përvojës së vet me Zotin e Ringjallur.
Mund të të ndihmojë të dish se hosana është një fjalë në hebraisht që do të thotë “shpëto tani” ose “të lutem, na shpëto”. Ajo përdoret kudo në shkrimet e shenjta si një shprehje lavdërimi dhe përgjërimi dhe është bërë një kremtim i Mesias në të gjitha epokat (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hosana”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Sa vijon do të të ndihmojë të shpenzosh kohë për të shprehur ndjenjat e tua për Shpëtimtarin ose për të studiuar rreth të tjerëve që kanë dhënë dëshmitë e veta për Të.