Seminari
3 Nefi 12:1–16: “Të Bekuar Jeni Ju”


“3 Nefi 12:1–16: ‘Të Bekuar Jeni Ju’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“3 Nefi 12:1–16”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

3 Nefi 12:1–16

“Të Bekuar Jeni Ju”

Krishti duke dhënë mësim në kontinentin amerikan

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë të na bekojnë. Ne mund të jemi të sigurt se, teksa e ndjekim këshillën e Tyre, do t’i marrim bekimet e Tyre në përputhje me kohën e Tyre dhe mënyrën e Tyre. Kur u dha mësim nefitëve, Jezusi shpalli shumë nga bekimet që mund të marrim. Ky mësim mund të të ndihmojë të përgatitesh për të marrë bekimet për të cilat foli Shpëtimtari ndërsa përpiqesh fort ta ndjekësh këshillën e Tij.

Të Bekuar

Imagjino një artikull nga një revistë e botës të titulluar “Pesë Njerëzit më të Bekuar të Vitit”.

  • Te cilat bekime specifike do të prisje që të përqendrohej artikulli si kriter për zgjedhjen e njerëzve?

Tani imagjino një artikull të revistës Liahona me të njëjtin titull.

  • Për çfarë bekimesh specifike do të prisje që të flitej në artikull si bekimet më të mëdha që mund të ketë dikush?

  • Si mendon, pse Shpëtimtari dhe Kisha e Tij na mësojnë t’i vlerësojmë më shumë bekimet e ndryshme sesa kërkojnë shumë njerëz në botë?

Tek 3 Nefi 12–14, Jezu Krishti u dha nefitëve një predikim shumë të ngjashëm me Predikimin e Tij në Mal në Dhiatën e Re. Presidenti Jozef Filding Smith (1876–1972) tha se Predikimi në Mal është predikimi “më [i] shkëlqyer që u predikua ndonjëherë, për aq sa ne dimë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Filding Smith [2013], f. 239).

Sot, ndërsa studion pjesën e predikimit të Shpëtimtarit që quhet Lumturitë, do të kesh mundësinë për të mësuar mënyra se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë të të bekojnë. Presidenti Harold B. Li (1899–1973) iu referua Lumturive të Shpëtimtarit si “kushtetuta për një jetë të përkryer” dhe shpjegoi se “në Predikimin e Tij në Mal, Mësuesi na ka dhënë njëfarë zbulese të vetë karakterit të Tij, që ishte i përsosur, … dhe duke e bërë këtë gjë, na ka dhënë një projekt për vetë jetën tonë” (Decisions for Successful Living [1973], f. 56–57). Ndërsa studion, përsiat pse bekimet që Krishti ofron në këtë predikim janë me vlerë shumë më të madhe sesa çdonjëri nga bekimet që bota ka për të ofruar.

Lumturitë në Kontinentin Amerikan

Lexo tek 3 Nefi 12:1–12 dhe shenjo togfjalëshin “të bekuar” dhe çdo bekim që gjen të cilin Shpëtimtari e nënvizon në këto vargje. Vër re se togfjalëshi “të bekuar” në këto vargje do të thotë jashtë mase me fat ose i favorizuar në mënyrë hyjnore.

  • Duke i marrë parasysh të gjitha bekimet që Shpëtimtari nënvizoi në këto vargje, çfarë të tregon kjo rreth Tij dhe Atit të Tij?

Një e vërtetë që mund të mësojnë nga ky fragment është se Ati Qiellor dhe Jezusi kënaqen kur na bekojnë ndërsa ne përpiqemi fort ta ndjekim këshillën e Tyre.

Lexo tek 3 Nefi 12:1–2 dhe merr parasysh ta shenjosh atë që Shpëtimtari na kërkon të bëjmë nëse kërkojmë bekimet që Ai dhe Ati i Tij na ofrojnë.

ikonë, shëno
  1.  Përgjigju për pyetjet vijuese:

  • Si mendon, pse Perëndia i bekon ata që “u[a] v[ënë] veshin fjalëve të [të] dymbëdhjetëve që [Ai ka] zgjedhur”? (3 Nefi 12:1.)

  • Si të ka bekuar Perëndia ty ose të tjerë që i njeh ngaqë ua ke vënë veshin fjalëve të profetëve dhe apostujve?

Kërkimi i bekimeve

Lexo tek 3 Nefi 12:3–12 përsëri, këtë herë duke kërkuar se cilat gjendje Shpëtimtari i lidhi me secilin bekim. Merre parasysh t’i shenjosh këto gjendje ndryshe nga mënyra si i shenjove bekimet, të tillë si duke përdorur ngjyra të ndryshme ose duke i rrethuar në vend që t’i theksosh me ngjyrë.

Zgjidh një nga bekimet nga këto vargje që do të të pëlqente të merrje. Vëre re veprimin ose gjendjen që çon në atë bekim. Studioje atë veprim ose gjendje duke përdorur burimet në dispozicion, të tilla si Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose poshtëshënimet.

Mund të përdorësh tabelën e Lumturive që gjendet në pjesën “Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?” të këtij mësimi.

  • Çfarë mësove rreth asaj që kërkohet prej atyre që dëshirojnë bekimin që studiove?

  • Si e ka dëftuar Shpëtimtari atë veprim ose gjendje? Si mund të të ndihmojë shembulli i Tij që ta kuptosh më mirë se si mund ta kërkosh atë bekim?

Mbaj mend se, për shkak se Ati Qiellor na do, Ai do të na bekojë në përputhje me kohën e Tij dhe mënyrën e Tij. (Shih te Doktrina e Besëlidhje 88:64.)

  1. Plotësoje veprimtarinë vijuese:

Tani që e ke përcaktuar një bekim që dëshiron dhe studiove mënyrën se si ta ftosh në jetën tënde, bëj një plan për mënyrën se si mund ta kërkosh atë bekim. Pyetjet vijuese mund të jenë të dobishme:

  • Çfarë gjërash specifike mund të përpiqesh të bësh për ta kërkuar atë bekim?

  • Kur planifikon të fillosh?

  • Çfarë pengesash mund të të dalin dhe si do t’i kapërcesh ato?