“Zotërimi Doktrinor: 3 Nefi 27:20 – ‘Ejani tek Unë dhe Pagëzohuni … , Që Të Shenjtëroheni Nëpërmjet Marrjes së Frymës së Shenjtë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Zotërimi Doktrinor: 3 Nefi 27:20”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Zotërimi Doktrinor: 3 Nefi 27:20
“Ejani tek Unë dhe Pagëzohuni … , Që Të Shenjtëroheni Nëpërmjet Marrjes së Frymës së Shenjtë.”
Në studimin tënd të kapitullit tek 3 Nefi 27, ti mësove rreth shenjtërimit që mund të përjetosh nga Fryma e Shenjtë ndërsa e jeton ungjillin e Shpëtimtarit. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te 3 Nefi 27:20, ta shpjegosh doktrinën që jepet mësim në këtë fragment dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale.
Shpjego dhe mëso përmendsh
Nga studimi yt i vargut tek 3 Nefi 27:20, ti mësove të vërtetën vijuese: Nëse pendohemi, vijmë te Jezu Krishti dhe pagëzohemi, atëherë mund të shenjtërohemi duke e marrë Frymën e Shenjtë dhe qëndrojmë të panjollë para Shpëtimtarit në ditët e fundit.
Imagjinoje sikur pate një mundësi për t’ia dhënë mësim këtë të vërtetë një fëmije të vogël.
Ushtroje mësimin përmendsh të frazës kyç të shkrimit të shenjtë për vargun tek 3 Nefi 27:20: “Ejani tek unë dhe pagëzohuni … , që të shenjtëroheni nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë.”
Ndaji referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç në segmentet vijuese. Ushtroje thënien përmendsh të secilit segment disa herë. Më pas bashkoji segmentet dhe thuaje përmendsh të gjithë referencën dhe frazën kyç.
-
Ejani tek unë
-
dhe pagëzohuni
-
që të shenjtëroheni
-
nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë
Ushtroje vënien në zbatim
Për të të ndihmuar ta bësh përsëritjen, rendit për 30 sekonda gjithçka që mund të të kujtohet rreth njërit prej parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore. Më pas bëje të njëjtën gjë me dy parimet e tjera. Nëse të duhet ndihmë për t’i kujtuar parimet, mund të shohësh paragrafët 5–12 te pjesa “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” e materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2023).
Merre parasysh skenarin vijues:
Ti dhe shoqja jote Jona po bëni një diskutim për ungjillin ndërkohë që po ktheheni nga shkolla. Jona pyet: “A ndien ndonjëherë ankth për takimin me Perëndinë përsëri? Unë përpiqem të bëj një jetë të drejtë dhe të pendohem kur bëj gabime, por mendimi i daljes përpara Perëndisë për t’u gjykuar më tmerron.”
Mendo se si parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrinës që jepen mësim te 3 Nefi 27:20 mund të jenë të dobishme nëse dikush që ti e njeh do të kishte një shqetësim si ai i Jonës.