“3 Nefi 27, Pjesa 1: ‘Ndërtuar mbi Ungjillin Tim’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“3 Nefi 27, Pjesa 1”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
3 Nefi 27, Pjesa 1
“Ndërtuar mbi Ungjillin Tim”
Cilat janë disa nga karakteristikat më të rëndësishme të Kishës së Shpëtimtarit? Jezu Krishti u dha mësim dishepujve të Tij nefitë se Kisha e Tij duhet të quhet sipas emrit të Tij dhe të ndërtohet mbi ungjillin e Tij. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh se çfarë është ungjilli i Shpëtimtarit dhe rëndësinë e emrit të Kishës.
Si do t’i përgjigjeshe?
Imagjinoje skenarin vijues:
Një ditë ndërsa po tregonin se çfarë kishin bërë gjatë fundjavës, Nela i përmendi shokut të saj, Marselit, se të dielën kishte shkuar në kishë.
Marseli e pyeti: “Ti je mormone, apo jo?”
Nela i tha: “Ndonjëherë njerëzit na quajnë ashtu, por na pëlqen më shumë të na quajnë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”
Marseli iu përgjigj: “Tingëllon si emër i vështirë. Përse nuk thua thjesht se i përket kishës mormone? A nuk lexon nga Libri i Mormonit?”
-
Cilat janë disa mënyra se si Nela mund t’i përgjigjet pyetjes së Marselit?
Sot ti do të studiosh disa nga mësimet e Shpëtimtarit për dishepujt e Tij nefitë të shënuara tek 3 Nefi 27. Ndërsa studion, kërko të vërtetat që Jezusi i dha mësim rreth Kishës së Tij, të cilat mund të të ndihmojnë kur përballesh me situata si ajo që sapo lexove.
Emri i Kishës
Pak pas vizitës së Krishtit te nefitët, dymbëdhjetë dishepujt e Tij nefitë u bashkuan në agjërim dhe lutje. Ata donin të dinin se cili duhet të ishte emri i Kishës. Ndërsa po luteshin, Shpëtimtari u shfaq dhe filloi t’u jepte mësim atyre (shih te 3 Nefi 27:1–3).
Lexo tek 3 Nefi 27:4–7, duke kërkuar atë që Shpëtimtari u dha mësim dishepujve të Tij rreth emrit të Kishës së Tij.
-
Si tha Shpëtimtari se duhej të quhej Kisha e Tij?
Një e vërtetë që mësojmë nga këto vargje është se: Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit duhet të quhet me emrin e Tij.
-
Çfarë arsyesh dha Shpëtimtari për ta quajtur emrin e Kishës sipas vetë emrit të Tij?
Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi arsyet përse është e rëndësishme që ne ta përdorim emrin e saktë të Kishës:
“Emri i Kishës nuk është i diskutueshëm. Kur Shpëtimtari e shpall qartë se cili duhet të jetë emri i Kishës së Tij dhe madje kur i paraprin deklaratës së Tij me fjalët: ‘Kështu do të quhet kisha ime’, Ai e ka seriozisht. Dhe nëse ne lejojmë që nofkat të përdoren, ose i pranojmë, ose madje i nxitim vetë ato nofka, Ai fyhet.
Çfarë vlere ka te një emër apo, në këtë rast, një nofkë? Për sa u përket nofkave të Kishës, të tilla si ‘Kisha SHDM’, ‘Kisha Mormone’, apo ‘Kisha e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme’, gjëja më e rëndësishme në ata emra është mungesa e emrit të Shpëtimtarit. Ta heqësh emrin e Zotit nga Kisha e Zotit, është një fitore madhore për Satanin. Kur ne e heqim emrin e Shpëtimtarit, ne po shpërfillim fshehtas gjithçka që Jezu Krishti bëri për ne – madje dhe Shlyerjen e Tij.” (Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, Liahona, nëntor 2018, f. 87–88)
“Ndërtuar mbi ungjillin tim”
Përveç se ua theksoi se Kisha e Tij duhet të quhet me emrin e Tij, Shpëtimtari u dha mësim dishepujve të Tij nefitë për një tjetër karakteristikë thelbësore të Kishës së Tij.
Lexo tek 3 Nefi 27:8–10, duke e kërkuar këtë karakteristikë.
-
Çfarë mund t’i shtosh nga këto vargje të vërtetës së theksuar me ngjyrë të zezë që e përcaktove më herët rreth Kishës së Shpëtimtarit?
Një mënyrë se si mund t’i përmbledhim mësimet e Shpëtimtarit që i ke studiuar deri tani është: Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit duhet të quhet me emrin e Tij dhe të ndërtohet mbi ungjillin e Tij.
-
Si mendon ti, çfarë do të thotë që Kisha e Shpëtimtarit të ndërtohet mbi ungjillin e Tij?
Mund të jetë e dobishme ta kuptosh se fjala ungjill do të thotë “lajm i mirë” (shih Bible Dictionary, “Gospels”).
Për të të ndihmuar t’i kuptosh aspektet e rëndësishme të ungjillit të Shpëtimtarit, vizato një figurë të thjeshtë të një godine kishe në ditarin tënd të studimit, si ajo më poshtë. Sigurohu që të lësh hapësirë për të shkruar fjalë dhe fraza poshtë kishës.
Lexo tek 3 Nefi 27:13–22, duke kërkuar atë që tha Jezu Krishti se është ungjilli i Tij. Shkruaji fjalët ose frazat që gjen në hapësirën poshtë skicës sate.
-
Nisur nga vargjet që studiove, si do ta përshkruaje se çfarë është ungjilli i Shpëtimtarit?