“4 Nefi: ‘Të Kthyer në Besim te Zoti’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“4 Nefi”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
4 Nefi
“Të Kthyer në Besim te Zoti”
Për mijëra vjet, individët, familjet dhe shoqëritë kanë kërkuar ideale si harmonia, paqja dhe uniteti. Këto mund të duken të paarritshme, por ekzistojnë. Rrëfimi te Nefi i Katërt është një shembull i asaj. Një çelës për t’i përjetuar këto bekime është ta thellojmë kthimin tonë në besim te Zoti dhe ta kemi dashurinë e Perëndisë në zemrën tonë. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh dashuri më të madhe për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në mënyrë që të kthehesh më tepër në besimin tek Ata.
Një mundësi qiellore
Imagjino se si do të ishte nëse ti dhe njerëzit që të rrethojnë ta donit dhe po përpiqeshit të gjithë ta ndiqnit Jezu Krishtin.
-
Si do të ndryshonte komuniteti yt?
-
Si do të ndryshonte shkolla ose kisha jote?
-
Si do të ndryshonte shtëpia jote?
Libri i Nefit të Katërt përmban rrëfimin e njerëzve që jetuan pas vizitës së Shpëtimtarit në kontinentin amerikan. Ndërsa i studion përvojat e tyre, kërko ndikimin që patën Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij te këta njerëz. Mendo se si këto mësime mund të ndikojnë në mënyrën se si ti zgjedh ta jetosh jetën tënde.
Efekti i ungjillit të Shpëtimtarit
Lexo te 4 Nefi 1:1–2, duke kërkuar efektin që patën Shpëtimtari dhe mësimet e Tij te njerëzit.
-
Çfarë vure re?
Nëse dëshiron, mund ta shenjosh frazën “i gjithë populli ishte kthyer në besim te Zoti” te vargu 2.
Të jesh i kthyer në besim te Zoti do të thotë “ndryshim nga dikush i besimeve, zemrës dhe jetës së tij për të pranuar dhe për të bërë vullnetin e Perëndisë … [dhe] të bëhesh dishepull i Krishtit” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Kthim, Kthyer (i)”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Bekimet e kthimit në besim
Nefitët dhe lamanitët përjetuan bekime të pabesueshme për shkak të kthimit të tyre në besimin te Jezu Krishti. Në ditarin tënd të studimit, shkruaj “Bekimet nga Kthimi në Besim” në mes të faqes.
Lexo te 4 Nefi 1:2–18 dhe shenjoji fjalët ose frazat që i ilustrojnë bekimet që ata morën. Në letrën tënde, shkruaji këto fjalë ose fraza përreth titullit “Bekimet nga Kthimi në Besim”. (Mund të jetë e dobishme ta dini kuptimin e disa prej fjalëve te vargu 16. Trazira u referohet rrëmujave, lavirësi i referohet mëkateve seksuale dhe ndyrësi i referohet epshit dhe mungesës së dëlirësisë.)
Mendo se cilin prej këtyre bekimeve dëshiron ta përjetosh më shumë në jetën tënde. Merre parasysh t’i rrethosh ato në faqen te ditari yt i studimit.
Një e vërtetë që mund të përcaktojmë nga këto vargje është: kur kthehemi në besimin te Zoti, ne bekohemi me lumturi dhe unitet si fëmijë të Krishtit.
-
Si mendon, përse të kthyerit në besimin te Jezu Krishti dhe të jetuarit e ungjillit të Tij mund të prodhojnë bekime të tilla?
-
Si mund të ndikojë të kuptuarit e kësaj të vërtetë në veprimet tona të përditshme?
Dashuria e Perëndisë
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi bisedën vijuese rreth arsyes përse këta njerëz ishin në aftë të jetonin në një gjendje të tillë lumturie dhe uniteti.
“Cili është kyçi i këtij zbulimi të madh lidhur me të jetuarit të kënaqur e të lumtur? Është i ngulitur atje në tekstin e një fjalie: ‘Dashuri[a e] Perëndisë … jetonte në zemrat e njerëzve’ [4 Nefi 1:15]. Kur dashuria e Perëndisë vendos tonin e jetës sonë, të marrëdhënieve tona me njëri‑tjetrin dhe më së fundmi të ndjenjës sonë për gjithë njerëzimin, atëherë dallimet e vjetra, etiketimet kufizuese dhe përçarjet artificiale fillojnë të largohen dhe paqja shtohet. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi në shembullin tonë në Librin e Mormonit. Nuk kishte më lamanitë, ose jakobitë, ose jozefitë, ose zoramitë. Nuk kishte asnjë lloj ‘‑itësh’. Njerëzit kishin marrë mbi vete vetëm një identitet të mrekullueshëm. Ata që të gjithë, siç thuhet, njiheshin si ‘fëmijë të Krishtit’ [4 Nefi 1:17].” (Xhefri R. Holland, “Pasuria më e Madhe”, Liahona, nëntor 2021, f. 9)
Merre parasysh ta shenjosh frazën në vargun 15 rreth dashurisë së Perëndisë që banon në zemrat e njerëzve. Të kemi dashurinë e Perëndisë në zemrën tonë mund të nënkuptojë që ta ndiejmë dashurinë që Perëndia ka për ne dhe për të tjerët. Mund të nënkuptojë gjithashtu të ndiesh dashuri ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.
-
Cilat janë disa veprime që mund t’i ndërmarrim që do të na ndihmonin të ndiejmë dashuri më të madhe për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
Një mënyrë se si mund të ndiejmë dashuri më të madhe për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin është duke mësuar dhe arritur t’i njohim Ata në shkrimet e shenjta.
Ndalu për t’i studiuar fragmentet e shkrimit të shenjtë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që mund të të ndihmojnë të ndiesh dashuri më të madhe për Ta. Kushtoji vëmendje asaj që mëson rreth tipareve, dëshirave dhe roleve të Tyre. Mund të kërkosh terma si “Ati në Qiell” ose “Jezu Krishti” duke përdorur mjetet e studimit si Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ose funksioni i kërkimit Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].