“Mormoni 8:27–41; 9:1–6, 27–37: Shkruar për Kohën Tonë”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Mormoni 8:27–41; 9:1–6, 27–37”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Mormoni 8:27–41; 9:1–6, 27–37
Shkruar për Kohën Tonë
Imagjino sikur të jetoje qindra vite më parë, por duke e ditur se si do të ishte të jetoje në kohën tonë. Moroni e përjetoi këtë; Zoti i tregoi atij kohën tonë. Moroni përshkroi mëkatet dhe qëndrimet që do të mbizotëronin në ditët e fundit. Ai na ftoi të “ktheh[emi] te Zoti” (Mormoni 9:6) dhe dha këshillë tjetër për të na ndihmuar ta ndjekim Jezu Krishtin. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh se Libri i Mormonit është shkruar për të na ndihmuar ne, në ditët e mëvonshme, që të drejtohemi te Zoti.
Moroni na shkroi neve
Imagjino sikur jetove shumë kohë më parë dhe t’u kërkua të shkruash një mesazh që do të vendosej në një kapsulë kohe që do të hapej në kohën tonë.
-
Çfarë paralajmërimi, këshille ose nxitjeje do të jepje për ta ndihmuar dikë të orientohet në sfidat e sotme?
Para se të vdiste Mormoni, ia besoi birit të tij, Moronit, fletët e arta (shih te Mormoni 8:1). Moroni përshkroi një mënyrë se si Zoti e ndihmoi atë të dinte se çfarë të shkruante për njerëzit në kohën tonë. Lexo te Mormoni 8:34–35; 9:30, duke kërkuar mënyrat se si Zoti e bekoi Moronin në përgjegjësinë e tij të shenjtë.
-
Çfarë i tregoi Zoti Moronit?
-
Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga kjo?
Një e vërtetë që mund ta mësojmë, është se Jezu Krishti i frymëzoi profetët e Librit të Mormonit që të shkruanin duke pasur në mendje kohën tonë.
-
Si mund të ndikojë njohuria se profetët e Librit të Mormonit e panë kohën tonë, në mënyrën se si e lexojmë Librin e Mormonit?
Lexoje thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) rreth profetëve të Librit të Mormonit:
“Nëse ata e panë kohën tonë dhe zgjodhën ato gjëra që do të ishin me vlerën më të madhe për ne, a nuk është ajo mënyra se si duhet ta studiojmë ne Librin e Mormonit? Ne duhet ta pyetim veten tonë vazhdimisht: ‘Përse Zoti e frymëzoi Mormonin (ose Moronin apo Almën) që ta përfshijë atë në analin e tij? Çfarë mësimi mund të mësoj nga kjo që të më ndihmojë të jetoj në këtë kohë dhe epokë?’” (Ezra Taft Benson, “The Book of Mormon—Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 6; Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson, f. 147)
Bërja e pyetjeve për veten tënde si ato të sugjeruara nga Presidenti Benson është një aftësi e efektshme e studimit të shkrimeve të shenjta që mund të të ndihmojë të gjesh më shumë kuptim dhe lidhje në studimin tënd të Librit të Mormonit. Nëse dëshiron, mund t’i mbash shënim këto pyetje që t’u referohesh kur studion.
-
Si mendon se bërja e këtyre pyetjeve mund ta përmirësojë studimin tënd të shkrimeve të shenjta?
Lexo te Mormoni 8:27–33 ose Mormoni 8:36–41, duke kërkuar se si e përshkroi Moroni gjendjen shpirtërore të popullit në kohën tonë.
-
Cilën prej gjendjeve të përshkruara nga Moroni e sheh në shoqërinë tonë?
-
Si mund të ndikojnë këto qëndrime dhe sjellje në besimin tonë në Jezu Krishtin?
Zgjidhjet shpirtërore në kohën tonë
Lexo te Mormoni 9:6, 27–31, duke kërkuar se çfarë e frymëzoi Zoti Moronin të shkruante për të na ndihmuar t’i kapërcejmë gjendjet shpirtërore negative.
Mësime nga Libri i Mormonit
Libri i Mormonit u shkrua për të na ndihmuar të besojmë dhe të drejtohemi te Jezu Krishti (shih te 1 Nefi 6:4; Mormoni 7:5; Moroni 10:30, 32).