“Mormoni 7: ‘Një Gjendje Lumturie që Nuk Ka Fund’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Mormoni 7”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Mormoni 7
“Një Gjendje Lumturie që Nuk Ka Fund”
Imagjino se çfarë mund të ketë ndier Mormoni ndërsa dëshmoi për pikëllimin dhe shkatërrimin e shkaktuar nga betejat përfundimtare ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve. Përpara se këto beteja t’ia merrnin jetën, Mormoni i përmbylli shkrimet e tij duke dhënë mësim për Jezu Krishtin dhe lumturinë e përjetshme që i pret ata që e ndjekin Atë. Ky mësim mund të të ndihmojë ta ndjekësh Jezu Krishtin dhe të përgatitesh për të jetuar me Perëndinë në lumturi të përjetshme.
Jeta e Mormonit
Bëje detyrën e kontrollit në vijim për të parë se çfarë të kujtohet rreth profetit Mormoni.
Përgjigjet gjenden në fund të mësimit.
-
Si përshkruhet Mormoni në rininë e tij? (Shih te Mormoni 1:2.)
-
Ai ishte një shqytar në ushtrinë nefite
-
Ai kishte frikë
-
Ai ishte i shpejtë për të vënë re
-
-
Çfarë përjetoi Mormoni në moshën 15 vjeç? (Shih te Mormoni 1:15.)
-
Ai u vizitua nga Zoti
-
Predikimi i tij ktheu qindra veta në besim
-
Ai u plagos në betejë
-
-
Afërsisht, sa prej Librit të Mormonit u shkrua apo u përmblodh prej tij?
-
1/2
-
2/3
-
3/4
-
Mormoni pati përgjegjësinë të përmblidhte, shkruante dhe ruante shkrimin e shenjtë që tani e njohim si Libri i Mormonit. Nga fundi i jetës së tij, Mormoni qe dëshmitar dhe mori pjesë në një luftë të madhe ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve. Në fund fare, kjo luftë i kushtoi jetën Mormonit (shih te Mormoni 8:3). Përpara se t’ia kalonte analet e shenjta të birit, Moronit, Mormoni shkroi mesazhin e tij përfundimtar për lexuesit e ardhshëm të Librit të Mormonit.
-
Ndërsa reflekton mbi jetën, përvojën dhe dëshminë e Mormonit, çfarë mendon se mund të shkruante në mesazhin e tij përfundimtar për lexuesit e ardhshëm të Librit të Mormonit? Përse?
Ndërsa e studion kapitullin te Mormoni 7, shiko se si mesazhi i Mormonit mund të jetë domethënës jo vetëm për njerëzit në mes të një lufte, por për njerëzit në çdo rrethanë në jetë.
Çfarë dëshiron Mormoni që të dimë
Lexo te Mormoni 7:2–7. Shënoji në shkrimet e tua të shenjta ose renditi në ditarin tënd gjërat që donte Mormoni që t’i dinin lexuesit. Kushtoji vëmendje të veçantë asaj që dha mësim Mormoni rreth Jezu Krishtit te vargjet 5–7.
Mund ta kesh vënë re se, kur Mormoni u rrethua nga ligësia dhe lufta, ai i drejtoi sytë te Ringjallja dhe shëlbimi i Jezu Krishtit. Ai dha mësim se për shkak të Jezu Krishtit, ne mund të marrim faljen për mëkatet tona dhe kështu të jemi të përgatitur të jetojmë me Perëndinë në një gjendje lumturie (shih te Mormoni 7:7).
-
Cilat janë disa sfida ose ndikime negative që të rrethojnë?
-
Si shërbejnë njohuria e Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe potenciali për lumturinë e përjetshme si një burim i shpresës dhe forcës në jetën tënde tani?
Kthimi i njohurisë në veprim
Njohuria se mund të jetojmë me Perëndinë në lumturi të përjetshme mund të na japë shpresë të madhe. Për të na ndihmuar ta arrijmë këtë lumturi, Mormoni na nxiti ta kthejmë njohurinë në veprim. Kjo tregohet nga përdorimi i tij i fjalës “prandaj” te vargu 8.
Në ditarin tënd të studimit, shkruaje thënien e papërfunduar vijuese: “Unë mund të jetoj me Perëndinë në një gjendje lumturie ndërsa …”
Lexoji vargjet te Mormoni 7:8–10 dhe përfundoje thënien duke shkruar të paktën tre veprime që Mormoni na fton t’i ndërmarrim. Vër re që në vargun 9, “ky” i referohet Librit të Mormonit dhe “të” i referohet Biblës së Shenjtë.
Reflekto se sa mirë po vepron sipas këshillës së Mormonit. Shikoje shkallën vijuese dhe vlerësoje veten në secilën kategori (1 = kurrë; 5 = thuajse gjithmonë).
Përzgjidhe njërën prej ftesave të Mormonit që ti e ndien se mund të të ndihmojë ta kërkosh lumturinë në dispozicion nëpërmjet Jezu Krishtit. Vendos se çfarë mund të bësh për të vepruar sipas asaj ftese dhe se si ajo mund të të ndihmojë të përqendrohesh te Shpëtimtari.
Përgjigjet për detyrën e kontrollit: 1) c; 2) a; 3) b (Fjalët e Mormonit–Mormoni 7 dhe Moroni 7–9)