Seminari
Mormoni 8:1–26: Një Anal i Një Vlere të Madhe


“Mormoni 8:1–26: Një Anal i Një Vlere të Madhe”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Mormoni 8:1–26”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Mormoni 8:1–26

Një Anal i Një Vlere të Madhe

kopje të Librit të Mormonit në shumë gjuhë të ndryshme

Çfarë do të bëje nëse do të të besonin diçka aq me vlerë sa fletët e arta? Kur Moroni i mori fletët, ai bëri gjithçka mundej për t’i mbrojtur ato. Përfundimisht, ai i groposi ato në tokë, duke besuar se ishin “fshehur te Zoti” (faqja e titullit të Librit të Mormonit), për të dalë një ditë “me anë të dorës së Zotit” (Mormoni 8:26). Ky mësim mund të të ndihmojë ta ndiesh rëndësinë e Librit të Mormonit në jetën tënde.

Një dhuratë e çmuar

Imagjino sikur dikush të të jepte një çantë plot me diamante dhe rubinë si dhuratë.

  • Si do t’i përgjigjeshe? Si mund ta bekojë jetën tënde kjo dhuratë?

Presidenti Rasëll M. Nelson i dha një kopje të Librit të Mormonit mbretit të një fisi afrikan dhe i shpjegoi se si ai është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit. Mbreti u përgjigj:

“Ju mund të më kishit dhënë diamante ose rubinë, por asgjë nuk është më e çmueshme për mua sesa kjo njohuri shtesë rreth Zotit Jezu Krisht.” (Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 60)

  • Cilat janë disa arsye përse mbreti mund të jetë ndier në këtë mënyrë?

Mendo se si do t’i përgjigjeshe pyetjeve vijuese që shtroi Presidenti Nelson:

“Vëllezërit dhe motrat e mia, sa i çmuar është Libri i Mormonit për ju? Nëse do t’ju ofronin diamante apo rubinë ose Librin e Mormonit, cilin do të zgjidhnit? Sinqerisht, cila ka më shumë vlerë për ju?” (Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 61)

Ndërsa e studion kapitullin te Mormoni 8, përsiat për dëshminë tënde vetjake për Librin e Mormonit. Kërko arsyet përse dëshmia për Jezu Krishtin në Librin e Mormonit është më e çmueshmja dhe se si mund ta bekojë jetën tënde.

Zbulimi i vlerës së Librit të Mormonit

hartë thesari
  1.  Plotësoje sa vijon:

    Në ditarin tënd të studimit krijo një skicë të një harte thesari. Çdo pikë në hartë është një vend për të regjistruar atë që mëson gjatë studimit tënd të kapitullit te Mormoni 8. Përfshi zbulime rreth vlerës së Librit të Mormonit nga secili prej seksioneve vijues. Çdo gjë që ti mëson, do të të sjellë më pranë shenjës X në hartën e thesarit. Shenja X është vendi ku ti do të mund ta shënosh domethënien që ka për ty Libri i Mormonit.

Pjesa 1. Një thesar i fshehur

Pasi Mormoni vdiq në betejë (shih te Mormoni 8:3), Moroni mbajti dhe shkroi më shumë në analin që i ati e kishte bërë në fletë të arta.

Lexo te Mormoni 8:1–5 dhe te faqja e titullit të Librit të Mormonit, duke kërkuar arsyen përse u shkrua dhe u ruajt Libri i Mormonit.

  • Çfarë mund të mësojmë rreth qëllimit të Librit të Mormonit?

Shkruaje përgjigjen tënde pranë njërës prej pikave në hartë.

Një e vërtetë që mund të mësojmë, është se Libri i Mormonit u ruajt për kohën tonë për të na bindur se Jezusi është Krishti.

  • Si ka ndikuar Libri i Mormonit në dëshirën tënde për ta ndjekur Jezu Krishtin?

Pjesa 2. Vlera e analit

fletët e arta

Mendo për atë që ti di rreth fletëve të arta dhe sa vlerë mendon se mund të kenë ato. Lexoje atë që përjetoi Jozef Smithi kur i mori për herë të parë fletët e arta nga Moroni.

“Pasi Jozefi i solli fletët e arta në shtëpi, kërkuesit e thesareve u përpoqën për javë të tëra që t’ia vidhnin. Për ta mbajtur të sigurt analin, atij iu desh ta lëvizte nga një vend në tjetrin, duke i fshehur fletët nën vatër, nën dyshemenë e dyqanit të babait të tij dhe në dengjet e grurit. Ai nuk mund ta pakësonte kurrë vigjilencën e tij.” (Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, vëll. 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 [2018], f. 43)

  • Çfarë të bën përshtypje nga ky rrëfim?

Lexo te Mormoni 8:14, duke kërkuar atë që tha Moroni rreth fletëve.

  • Çfarë mendon se nënkuptoi Moroni kur tha se fletët “nuk [ishin] të çmueshme”, por “anali në to është i një vlere të madhe”? Çfarë mund të mësojmë nga kjo?

Shkruaje përgjigjen tënde pranë njërës prej pikave në hartë.

Një e vërtetë që mund të mësojmë, është se anali i Librit të Mormonit është me vlerë të madhe.

Rendit disa vargje, mësime ose histori nga Libri i Mormonit që ti e ndien se janë me vlerë të madhe. Shpjegoje përse këto janë me vlerë për ty ose për të tjerët.

Pjesa 3. Një dhuratë nga Perëndia

Jozef Smithi duke i marrë fletët e arta nga kodra Kumorah

Reflekto mbi atë që ti di rreth Jozef Smithit kur ishte i ri. A mund të mendosh për arsye përse Perëndia mund ta ketë zgjedhur Jozef Smithin për ta përkthyer Librin e Mormonit?

Lexo te Mormoni 8:15–16, 26, duke kërkuar atë që dha mësim Moroni rreth Jozef Smithit dhe Librit të Mormonit.

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë rreth mënyrës se si erdhi në dritë Libri i Mormonit?

Shkruaje përgjigjen tënde pranë njërës prej pikave në hartë.

Një e vërtetë që mund të mësojmë, është se Perëndia i dha Jozef Smithit fuqinë për ta nxjerrë në dritë Librin e Mormonit.

Shkruaj një ose dy gjëra që ti i di rreth Jozef Smithit lidhur me përkthimin prej tij të Librit të Mormonit. (Shih te Church History Topics, “Book of Mormon Translation”, history.ChurchofJesusChrist.org ose Gospel Topics, “Book of Mormon Translation”, history.ChurchofJesusChrist.org.)

Pjesa 4. Çfarë vlerësoj te Libri i Mormonit

Nisur nga studimi yt i Librit të Mormonit në shtëpi, në kishë dhe në seminar, shkruaje se çfarë vlerëson më së shumti rreth Librit të Mormonit. Pyetjet vijuese mund të ndihmojnë.

Shkruaje përgjigjen për të paktën njërën prej pyetjeve vijuese pranë shenjës X në hartën tënde:

  • Përse je mirënjohës që Libri i Mormonit u ruajt?

  • Çfarë ke mësuar rreth profetëve që Zoti i thirri për të na sjellë Librin e Mormonit?

  • Çfarë do të bësh për t’i treguar Zotit se sa shumë e vlerëson Librin e Mormonit?