“Ethëri 12:23–27: ‘Atëherë Unë do të Bëj që Gjërat e Dobëta, të Bëhen të Forta në Ta’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Ethëri 12:23–27”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Ethëri 12:23–27
“Atëherë Unë do të Bëj që Gjërat e Dobëta, të Bëhen të Forta në Ta”
Ndërsa Moroni vazhdoi ta përmblidhte librin e Ethërit, ai pati frikë se johebrenjtë do ta përqeshnin punën e tij për shkak të dobësisë së tij në të shkruar. Zoti iu përgjigj se, ndërsa vijmë tek Ai me përulësi dhe besim, Ai mund t’i kthejë gjërat tona të dobëta në të forta (shih tek Ethëri 12:27). Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të vish te Jezu Krishti për t’i mposhtur dobësitë nëpërmjet hirit të Tij.
Dobësia dhe pika e fortë
-
Cila është një gjë që është përtej forcës sate fizike për të bërë të drejtën tani? Çfarë do të nevojitet të bësh me qëllim që të jesh i fortë sa duhet për ta përmbushur detyrën?
Në vdekshmëri, ne të gjithë përballemi me dobësi. Ndonjëherë kjo mund të jetë shkurajuese. Në këtë mësim, ti do të mësosh rreth një modeli që Zoti ia mësoi Moronit që mund t’i shndërrojë dobësitë në pika të forta.
Shqetësimet e Moronit
Moronit iu dha detyra e përmbledhjes së rrëfimit të jareditëve dhe ai e dinte se ky rrëfim do të lexohej nga shumë njerëz në të ardhmen. Ndërsa e mbaroi përmbledhjen e tij, ai i shënoi disa nga mendimet e tij të fundit dhe i përfshiu shqetësimet dhe brengat e tij vetjake rreth asaj që iu kërkua të bënte.
Lexo tek Ethëri 12:23–25, duke kërkuar se çfarë shqetësimesh pati Moroni.
-
Për çfarë ishte Moroni veçanërisht i shqetësuar?
Përgjigjja e Zotit ndaj Moronit
Lexo tek Ethëri 12:26–27, duke kërkuar mënyrën se si Zoti iu përgjigj shqetësimeve të Moronit.
Ndaje një fletë ose faqe letre bosh në ditarin tënd të studimit në katër katrorë dhe shkruaje frazën e parë të theksuar me ngjyrë të zezë në njërin prej katrorëve. Më pas shkruaje frazën e dytë të theksuar me ngjyrë të zezë në një katror tjetër. Vazhdo derisa t’i kesh përfshirë të gjitha frazat e theksuara me ngjyrë të zezë. Shkruaj shënime në këta katrorë që të ndihmojnë ta kuptosh se çfarë kuptimi kanë këto fraza.
“Dhe në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre”
-
Çfarë mendon se do të thotë të vish te Krishti?
Vër re që Zoti thotë se Ai do të na i tregojë dobësitë tona nëse vijmë tek Ai.
-
Përse është ky një bekim për ne?
Fjala dobësi në këtë frazë i referohet gjendjes sonë të rënë, që përfshin “gjëra të dobëta” individuale dhe paaftësinë tonë për të qenë të përsosur.
-
Çfarë mëson nga Ethëri 12:27 rreth arsyes përse Shpëtimtari dëshiron që ti ta dallosh dobësinë tënde?
Përsiat nëse ke pasur ndonjë përvojë kohët e fundit në të cilën Perëndia ta ka treguar dobësinë tënde vetjake. Ose merre parasysh të bësh një lutje të heshtur për Të që të të ndihmojë ta mposhtësh një gjë të dobët në jetën tënde.
“Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur”
Lexoji disa shembuj të individëve në shkrimet e shenjta që i dalluan dobësitë e tyre:
-
Ethëri 3:2: Vëllai i Jaredit
-
Mosia 4:2: Populli i mbretit Beniamin
-
Si i ndihmoi dallimi i dobësive të tyre individët në këto rrëfime që të ishin të përulur?
-
Si mendon, përse Zoti dëshiron që të jemi të përulur?
“Hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje”
-
Si mendon, çfarë do të thotë që hiri i Shpëtimtarit është i mjaftueshëm për të gjithë ata që përulen para Tij?
Plaku Kevin S. Hamilton, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi:
“Hiri … forcues e aftësues [i Jezu Krishtit] na jep fuqi për t’i kapërcyer të gjitha pengesat, të gjitha sfidat dhe të gjitha dobësitë teksa kërkojmë të ndryshojmë. …
Shpëtimtari e realizoi Shlyerjen e Tij të pafundme dhe të përjetshme që ne në fakt të mund të ndryshonim, të pendoheshim dhe të bëheshim më të mirë. Ne vërtet mund të lindim përsëri. Ne mund t’i mposhtim zakonet, varësitë dhe ‘prirje[n] [për] të bë[r]ë keq’ [Mosia 5:2].” (Kevin S. Hamilton, “Atëherë Unë do të Bëj që Gjërat e Dobëta, të Bëhen të Forta”, Liahona, maj 2022, f. 52)
Vër re se si populli i mbretit Beniamin e përjetoi hirin e Zotit te Mosia 4:3.
-
Kush tjetër në shkrimet e shenjta e demonstroi se hiri i Shpëtimtarit është i mjaftueshëm për të na ndihmuar t’i mposhtim dobësitë tona?
“Në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta”
Plaku Hamilton vuri në dukje se “gjërat e dobëta” në këtë varg mund t’u referohen sjelljeve tona që janë dobësi.
“Teksa fillimisht e ndryshojmë natyrën tonë të rënë, dobësinë tonë, atëherë do të jemi në gjendje të ndryshojmë sjelljet tona, dobësitë tona.” (Kevin S. Hamilton, “Atëherë Unë do të Bëj që Gjërat e Dobëta, të Bëhen të Forta”, Liahona, maj 2022, f. 51)