“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 9: Mormoni 7 – Ethëri 15”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 9”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 9
Reflektimi për të mësuarit tënd shpirtëror dhe vlerësimi i tij mund të të ndihmojë të afrohesh më shumë me Shpëtimtarin. Ky mësim mund të të ndihmojë të kujtosh dhe vlerësosh se si përvojat e tua me kapitujt te Mormoni 7 – Ethëri 15 të kanë ndihmuar të rritesh shpirtërisht.
Rrathët e pemës
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Është e habitshme se sa shumë mund të mësojmë për jetën duke studiuar natyrën. Për shembull, shkencëtarët mund të shohin rrathët e pemëve dhe të bëjnë pandehma shkencore mbi klimën dhe kushtet e rritjes qindra dhe madje mijëra vite më parë. Një nga gjërat që mësoni nga studimi i rritjes së pemëve, është që, gjatë stinëve kur kushtet janë ideale, pemët rriten me ritëm normal. Megjithatë, gjatë stinëve kur kushtet e rritjes nuk janë ideale, pemët e ngadalësojnë rritjen dhe ia kushtojnë energjinë e tyre elementeve bazë të domosdoshme për mbijetesë.” (Diter F. Uhtdorf, “Për Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi”, Liahona, nëntor 2010, f. 19)
Ashtu si pemët, ne kemi periudha rritjeje dhe raste kur mund të ndihemi sikur thjesht po përpiqemi të mbijetojmë. Secili prej nesh përjeton rritje në mënyra të ndryshme dhe me shpejtësi të ndryshme. Mendo për rastet në jetën tënde kur mund të kesh përjetuar rritje shpirtërore.
-
Cilat ishin disa nga kushtet që të ndihmuan të rritesh shpirtërisht? Çfarë lloj rritjeje përjetove?
-
Cilat janë disa mënyra se si mund ta vlerësojmë në mënyrë periodike rritjen tonë shpirtërore?
Në këtë mësim, ti do të kesh mundësinë të shpjegosh disa nga ato që mësove dhe të vlerësosh synimet që mund të kesh vendosur gjatë studimit të kapitujve nga Mormoni 7 – Ethëri 15.
Shpjegoje rëndësinë e Librit të Mormonit
Imagjino sikur je një misionar që po shpjegon rëndësinë e Librit të Mormonit në Rivendosjen e ungjillit. Ti je gati t’i japësh dikujt një kopje të Librit të Mormonit për ta lexuar.
Përgatite se çfarë do të thoshe duke përdorur një ose më shumë fragmente të shkrimit të shenjtë te Mormoni 8. Mund të përdorësh gjithashtu faqen e titullit të Librit të Mormonit. Kërko mundësi për të shpjeguar se si Libri i Mormonit na ndihmon të besojmë te Jezu Krishti.
Ti mund t’u referohesh fragmenteve që mund t’i kesh shenjuar te Mormoni 8 dhe shënimeve që ke bërë në ditarin tënd të studimit. Nëse të nevojitet ndihmë, mund të shqyrtosh vargjet te Mormoni 8:14–16, 25–26, 34–35. Mund të përdorësh gjithashtu fragmente të tjera që ke gjetur në Librin e Mormonit gjatë studimit tënd këtë vit.
Reflekto mbi planet për të ushtruar besimin te Jezu Krishti
-
Cilët janë disa përbërës në një copë bukë?
-
Përveç se t’i bashkosh përbërësit, çfarë tjetër nevojitet të bësh për të bërë bukë?
Përbërësit në një copë bukë mund të përfshijnë miellin, majanë, kripën dhe ujin. Mund të të nevojitet gjithashtu kohë që brumi të vijë, si dhe nevojitet ta pjekësh.
Pjekja e bukës mund të krahasohet me ushtrimin e besimit te Jezu Krishti. Rezultatet, dëshmia ose mrekullia që kërkon, është si copa e gatuar e bukës. Përpjekjet e tua për të ushtruar besimin te Jezu Krishti mund të krahasohen me përbërësit, kohën e fryrjes dhe pjekjen e bukës. Në mësimet e fundit, ti studiove rrëfime të individëve që e ushtruan besimin te Jezu Krishti (shih tek Ethëri 3:1–16; 12:6–22). Ti studiove gjithashtu fjalët e profetëve që të ftojnë ta ushtrosh besimin te Zoti dhe të kërkosh mrekulli (shih te Mormoni 9:15–27; Ethëri 12:6–9).
Lexo te Mormoni 9:19–21; Ethëri 3:9; 12:6–9 për të të ndihmuar ta kujtosh atë që studiove rreth besimit te Jezu Krishti dhe planet që mund të kesh bërë.