“Moroni 1: Nuk do ta Mohoj Krishtin”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Moroni 1”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Moroni 1
Nuk do ta Mohoj Krishtin
Të qenit një ndjekës i Jezu Krishtit nuk ka qenë kurrë e lehtë. Afër fundit të Librit të Mormonit, profeti Moroni zbuloi se ndjekësit e Krishtit dënoheshin me vdekje nëse nuk e mohonin Shpëtimtarin (shih te Moroni 1:2). Për shkak se Moroni refuzoi ta mohonte Jezu Krishtin, ai u detyrua të endej kudo ku mundej për të gjetur siguri dhe për të qëndruar i fshehur nga lamanitët. Mbase ti je ndier vetëm kur je përpjekur ta jetosh besimin tënd dhe të qëndrosh i vërtetë ndaj Shpëtimtarit dhe Kishës së Tij. Ky mësim mund të të ndihmojë të nxitesh për ta ndjekur gjithmonë Jezu Krishtin dhe për të mos e mohuar Atë.
Përballja me kundërshtimin
Ndalu një çast për të menduar rreth mënyrës se si ti priresh të veprosh kur je i rrethuar nga ata që mund të mos kenë standardet ose bindjet e tua rreth Perëndisë.
Ngjyrat në këtë diagram mund të të ndihmojnë të imagjinosh nivele të ndryshme kundërshtimi me të cilat mund të përballet një dishepull i Jezu Krishtit. E gjelbra mund të përfaqësojë mungesën e kundërshtimit. E verdha dhe portokallia mund të sugjerojnë nivele të rritura të kundërshtimit, ndërkohë që e kuqja mund të simbolizojë kundërshtimin më të vështirë.
Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) shërbeu në ushtri kur ishte i ri dhe dëshmoi shumë vepra guximi. Ai tregoi shembullin vijues.
Mendo rreth ngjyrës që do të zgjidhje për të përfaqësuar nivelin e kundërshtimit që përjetoi ky i ri. Si mendon se do të veproje në një situatë të ngjashme?
“Një rast, të cilin nuk do ta harroj kurrë, ishte guximi i heshtur i një detari 18‑vjeçar – jo i fesë sonë – i cili nuk ishte tepër krenar për t’u lutur. Nga 250 burra në kompani, ai ishte i vetmi që çdo natë binte në gjunjë pranë shtratit të tij, nganjëherë në mes të talljeve të kërcënuesve dhe përqeshjeve të mosbesuesve. Me kokë të ulur, ai i lutej Perëndisë. Kurrë nuk u lëkund. Kurrë nuk u ligështua. Ai kishte guxim.” (Tomas S. Monson, “Ji i Fortë dhe Guximtar”, Liahona, maj 2014, f. 67)
-
Çfarë të bie në sy te ky shembull?
-
Ku mendon se qëndron vështirësia te ndjekja gjithmonë e Jezu Krishtit? Çfarë të ndihmon?
Rendit disa situata të tjera në të cilat ndjekja e Jezu Krishtit mund të jetë sfiduese. Përpiqu të imagjinosh hollësi të caktuara dhe merre parasysh se cila ngjyrë në diagram do t’i përshtatej më mirë secilës situatë.
Sigurisht, është shumë më e lehtë të flasim për zotimin tonë ndaj Jezu Krishtit sesa ta mbajmë atë në çastin që sfidohemi. Ndërsa studion, kërko të gjesh nxitjen që të nevojitet për t’i qëndruar i vërtetë ndaj besimit tënd te Jezu Krishti dhe ndaj standardeve të Kishës së Tij të rivendosur.
Moroni ndiqet nga lamanitët
Kur Moronit iu dha përgjegjësia për t’i mbajtur dhe ruajtur analet e popullit nefit, edhe ai u përball me kundërshtim.
Lexo te Moroni 1:1–4, duke marrë parasysh se si mund ta vlerësosh kundërshtimin me të cilin u përball ai.
Për të të ndihmuar të krijosh një ide më të mirë se si mund të kishte qenë jeta për Moronin, mund të shohësh gjithashtu “Moroni i Fton të Gjithë që të Vijnë te Krishti” nga kodi kohor 0:00 deri në 3:59, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Sa të fortë do ta vlerësoje kundërshtimin ndaj Moronit?
-
Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Moronit?
Një e vërtetë që mund të mësojmë është se ne mund të jemi të vërtetë ndaj Jezu Krishtit në çdo rrethanë dhe të mos e mohojmë Atë.
-
Përse është e rëndësishme për ne të jemi të vërtetë ose besnikë ndaj Jezu Krishtit?
-
Çfarë përvojash mendon se pati Moroni, që e ndihmuan atë të ishte kaq besnik ndaj Jezu Krishtit?
-
Çfarë di ti rreth Jezu Krishtit që mund të të nxitë ty të mos e mohosh Atë?
Merre parasysh t’i shenjosh fjalët e Moronit te vargu 3. Mund ta shënosh gjithashtu emrin tënd pranë atij të Moronit për të të ndihmuar të nxitesh ta ndjekësh gjithmonë Jezu Krishtin.
Kërko disa prej shembujve vijues të individëve që ishin të vërtetë ndaj Perëndisë gjatë rrethanave të vështira.
-
Mbretëresha Ester (shih tek Esteri 4:16)
-
Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja (shih te Daniel 3:17–18)
-
Abinadi (shih te Mosia 17:20)
-
Jozef Smithi (shih te Doktrina e Besëlidhje 135:4–5)
-
Bijat e Onitahut (shih tek Abraham 1:11)
Të treguarit e zotimit tonë
-
Kur ke treguar ti ose dikush që e njeh zotim ndaj Krishtit në rrethana të vështira?
-
A ka ndonjë rrethanë në të cilën ti po përballesh me kundërshtim ngaqë ndjek Jezu Krishtin?
-
Çfarë mund të bësh për të qenë i vërtetë ndaj Jezu Krishtit në ato rrethana?