“Moroni 7:20–43: Gjetja e Shpresës te Krishti”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Moroni 7:20–43”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Moroni 7:20–43
Gjetja e Shpresës te Krishti
A e ke pasur ndonjëherë të nevojshme të ndiesh më shumë shpresë në jetën tënde? Moroni, i cili u end i vetëm për shumë vjet pasi populli i tij u shkatërrua, i shënoi fjalët e të atit rreth shpresës që mund të kemi te Krishti për gjërat më të mëdha që do të vijnë. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh shpresë më të madhe nëpërmjet Jezu Krishtit.
Mbështetuni në çdo gjë të mirë
Te Moroni 7, Mormoni tha se ai dëshironte t’i ndihmonte njerëzit e tij të dinin se si mund të “mbështeteshin në çdo gjë të mirë” (vargu 21).
-
Kur Mormoni e përdori frazën “gjë e mirë”, cilës gjëje mendon se po i referohej?
-
Cilat janë disa “gjëra të mira” shpirtërore dhe të përjetshme ku do të doje të mbështeteshe, ose të merrje në këtë jetë ose në tjetrën?
Mund të të kujtohet se te Moroni 7:12–19, Mormoni dha mësimin se të gjitha gjërat e mira vijnë nga Jezu Krishti. Lexo te Moroni 7:20–26, duke kërkuar atë që dha mësim Mormoni rreth mënyrës se si t’i marrim këto gjëra të mira nga Krishti.
-
Çfarë gjete?
-
Cilat rrëfime mund të të vijnë ndër mend ku Ati Qiellor dërgoi engjëj për të shpallur se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës?
Kuptimi i shpresës
Për të të ndihmuar të përgatitesh për të mësuar më shumë rreth mësimeve të Mormonit lidhur me shpresën, lexoje këtë rrëfim nga Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Përpara ditëlindjes sime të 12‑të, familja jonë qe detyruar dy herë që të ikte nga shtëpia dhe t’ia niste nga fillimi mes kaosit, frikës dhe pasigurive të shkaktuara nga lufta dhe përçarja politike. Ishte një kohë plot ankth për mua. …
Kjo kohë zymtësie pas Luftës II Botërore la shenjën e saj në botë. Ajo e la shenjën e vet tek unë.
Në atë kohë, në zbrazëtinë e orëve të mia më të vetmuara, shpesh e pyesja veten: ‘A ka mbetur ndonjë shpresë në botë?’” (Diter F. Uhtdorf, “Perëndia mes Nesh”, Liahona, maj 2021, f. 8)
-
Cilat janë disa arsye përse njerëzit ndiejnë një mungesë shprese sot?
Plaku Uhtdorf kujtoi se “ndërsa bota po mbytej nga cinizmi, hidhësia, urrejtja dhe frika”, ai gjeti diçka që e “mbush[i] [atë] me shpresë” (“Perëndia mes Nesh”, Liahona, maj 2021, f. 8).
A po përjeton një mungesë të shpresës në jetën tënde? Mendo se çfarë të sjell shpresë edhe në rrethanat më të vështira. Teksa vazhdon ta studiosh këtë mësim, kërko të vërtetat që mund të të ndihmojnë të mbushesh me shpresë.
Mormoni jep mësim rreth shpresës
Lexo te Moroni 7:40–44, duke kërkuar se si besimi ynë te Jezu Krishti ka lidhje me shpresën.
-
Si do ta përmblidhje vargun 41 me fjalët e tua?
Një e vërtetë nga mësimet e Mormonit
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga Mormoni, është: Nëse e ushtrojmë besimin te Jezu Krishti, ne mund të kemi shpresë nëpërmjet Shlyerjes së Tij për t’u ngritur në jetën e përjetshme.
-
Çfarë mendon se do të thotë të kesh shpresë te Jezu Krishti?
-
Përse mund të duhet të jemi të përulur ose “të bindur dhe të përvuajtur në zemër” (Moroni 7:43), për ta ushtruar besimin te Jezu Krishti dhe për të pasur shpresë?
Për të parë një shembull të dikujt që gjeti shpresë nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, shqyrtoje njërën prej rrëfimeve vijuese. Ndërsa e bën, kërko mënyrën se si personi përjetoi shpresë nëpërmjet Jezu Krishtit.
-
Lexo tek Alma 22:12–18 historinë e atit të mbretit Lamoni.
-
Lexo tek Alma 36:12–21, ose shikoje “Alma Testifies to His Son Helaman” [“Alma i Dëshmon Birit të Tij, Helamanit”], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 1:30 deri në 2:32.
-
Shiko materialin filmik “Finding Hope through the Resurrection of Christ” [“Gjetja e Shpresës nëpërmjet Ringjalljes së Krishtit”] (4:41), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Shiko materialin filmik “The Master Healer” [“Mësuesi Shërues”], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 8:49 deri në 11:53.
Është e rëndësishme të vësh re se, edhe ndërsa tregojmë besim te Jezu Krishti dhe kemi shpresë për bekimet që ofron Ai, ne mund të kemi gjithsesi çaste të vështira dhe sprovuese në jetën tonë. Por ndërsa vazhdojmë ta ushtrojmë besimin te Shpëtimtari dhe përqendrohemi tek Ai dhe jeta e përjetshme që Ai e vë në dispozicionin tonë, ne do të fitojmë shpresën që kërkojmë.