Seminari
Zotërimi Doktrinor: Mosia 2:41 – “Gjendj[a] e Bekuar dhe [e] Lumtur [e] Atyre që Zbatojnë Urdhërimet e Perëndisë”


“Zotërimi Doktrinor: Mosia 2:41 – ‘Gjendj[a] e Bekuar dhe [e] Lumtur [e] Atyre që Zbatojnë Urdhërimet e Perëndisë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Mosia 2:19–41”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Zotërimi Doktrinor: Mosia 2:41

“Gjendj[a] e Bekuar dhe [e] Lumtur [e] Atyre që Zbatojnë Urdhërimet e Perëndisë”

të reja dhe i ri duke qeshur

Në një mësim të mëparshëm, mësove se, nëse i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë, Ai do të na bekojë edhe materialisht, edhe shpirtërisht. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te Mosia 2:41, ta shpjegosh doktrinën e dhënë mësim në këtë fragment dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale.

Mësimdhënia e shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të profetëve me bindje dhe qëllim. Plaku Xhefri R. Holland dha mësim: “Pa u ndier i pasionuar pas diçkaje, ju nuk do të mund të shpresoni që t’i bëni [nxënësit] tuaj të ndihen të pasionuar pas saj” (“Engjëj dhe Habi” [fjalim i mbajtur në transmetimin e trajnimit vjetor të Sistemit Arsimor të Kishës, 12 qershor 2019]). Jepni mësim me bindje dhe fuqi duke u bazuar te vetë dëshmia juaj për Shpëtimtarin dhe të vërtetat e përjetshme të ungjillit të Tij të rivendosur.

Përgatitja e nxënësve: Nxënësve mund t’u kërkohet të zgjedhin një urdhërim të cilit përpiqen t’i binden. Më pas të jenë gati të tregojnë se si janë bekuar nga zbatimi i urdhërimit.

Veprimtari e Mundshme e të Mësuarit

Ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor është hartuar për t’u zhvilluar pas mësimit “Mosia 2:19–41”, që është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor te Mosia 2:41. Nëse ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor nevojitet të zhvendoset në një javë tjetër, sigurohuni që të jepni edhe mësimin përkatës kontekstual gjatë asaj jave.

Mëso përmendsh dhe shpjego

Shkruani në tabelë Mosia 2:41 dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë “At[a] që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë … janë të bekuar në të gjitha gjërat”. Mund t’i ftoni nxënësit të vizatojnë ose krijojnë një figurë që përfaqëson doktrinën që jepet mësim në këtë fragment.

Ftojini nxënësit të tregojnë atë që krijuan, në dyshe ose grupe të vogla. Udhëzojini ata të diskutojnë se cilat fjalë ose fraza theksuan në punët e tyre artistike dhe pse ndiejnë se ato janë të rëndësishme.

Ftojini nxënësit t’i përdorin figurat që krijuan, për t’i mësuar përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë.

Ushtroje vënien në zbatim

Paraqiteni skenarin ose jepuni nxënësve një kopje ndërsa e plotësojnë veprimtarinë vijuese. Ky skenar ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të përdorin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për të kuptuar se bekimet dhe lumturia vijnë nga bindja. Ai mund t’i ndihmojë ata gjithashtu që të qëndrojnë besnikë edhe nëse kanë vështirësi t’i dallojnë bekimet që Zoti po u jep. Merreni parasysh ta përshtatni këtë skenar me nevojat ose situatën e nxënësve tuaj.

Xheni pati një mësim për zotërimin doktrinor në seminar që theksonte se bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë sjell lumturi dhe bekime më të mëdha në jetën tonë. Paskëtaj, Xheni u ndje e pështjelluar rreth situatës së vetë. Ajo përpiqet t’i zbatojë urdhërimet, por nuk ndien se kjo ia bën jetën ndopak më të lehtë, të lumtur ose më të mirë. Ajo ende ka vështirësi në shkollë dhe ka disa probleme me familjen dhe miqtë. Nëse bindja e saj ndaj urdhërimeve supozohet të sjellë lumturi, pse ndihet ajo kështu?

Një mënyrë për t’i ndihmuar nxënësit t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në këtë situatë, është t’i shkruani tri parimet si krerë në tabelë (shih te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor [2018], f. 3–4). Ftojini nxënësit t’i shkruajnë në tabelë poshtë kreut të duhur thëniet që ndiejnë se do ta ndihmonin Xhenin. Mund ta ftoni pjesëmarrjen duke i dhënë një shkumës ose shenjues një nxënësi dhe më pas ta ftoni atë nxënës që t’ia kalojë shkumësin ose shenjuesin një nxënësi tjetër pasi të mbarojë së shkruari në tabelë. Diskutoni atë që shkruajnë nxënësit në tabelë.

Vepro me besim

Lexoji paragrafët 5–6 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018). Kërko fraza që mund ta ndihmojnë Xhenin.

  • Çfarë mund të tregoje nga këta paragrafë për ta ndihmuar Xhenin të veprojë me besim?

  • Si mendon se mund ta ndihmojë kjo Xhenin?

Nëse dëshironi mund të vini në dukje një lidhje mes thënies së Plakut Xhefri R. Holland te paragrafi 6 “mbahuni fort” dhe premtimit të mbretit Beniamin te Mosia 2:41 ndaj atyre që “qëndrojnë besnikë deri në fund”. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se ndërkohë që disa bekime nuk dallohen menjëherë, ne mund të shkojmë përpara me besnikëri duke mirëbesuar se Perëndia do t’i përmbushë premtimet e Tij (shih te Mosia 2:22).

Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

Lexo paragrafin 8 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018). Kërko fraza që mund ta ndihmojnë Xhenin.

  • Çfarë do t’i tregoje Xhenit?

  • Pse do t’ia tregoje këtë asaj?

Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

Lexo paragrafin 11 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018). Kërko fraza që mund ta ndihmojnë Xhenin.

  • Cilat janë disa burime të tjera hyjnore tek të cilat mund t’i rekomandoje Xhenit të drejtohej?

  • Si mendon se do ta ndihmonte kjo atë?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë bekimet që kanë marrë ndërsa janë përpjekur t’u binden urdhërimeve të Perëndisë. Kërkojuni nxënësve të tregojnë bekime që qenë të menjëhershme dhe të tjera që u morën me kalimin e kohës. Dëshmoni se, në urtësinë e pafundme të Perëndisë, Ai përcakton jo vetëm se çfarë bekimesh të japë, por edhe kohën më të mirë për ne që t’i marrim ato.

Përsëritja e zotërimit doktrinor

Gjatë mësimeve të ardhshme, ndihmojini nxënësit t’i përsëritin shkurtimisht referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te Mosia 2:41. Shkruajeni frazën kyç në tabelë dhe ftojini nxënësit të plotësojnë vendet bosh. Mund ta përshtatni shembullin më poshtë për të theksuar çdo fjalë për të cilën nxënësit tuaj mund të kenë nevojë për ndihmë që ta mbajnë mend:

Mosia: – “At[a] që e Perëndisë … janë ”.

Ftojini nxënësit t’i përsëritin disa herë referencën dhe frazën kyç derisa t’i kenë mësuar përmendsh. Mund të rishikoni edhe vizatimet për këtë fragment që ata krijuan më parë.