Seminari
Alma 24: “Ne do t’i Varrosim Thellë në Tokë”


“Alma 24: ‘Ne do t’i Varrosim Thellë në Tokë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 24”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 24

“Ne do t’i Varrosim Thellë në Tokë”

anti‑nefi‑lehitët duke groposur shpatat e tyre

Ndonjëherë ne e gjejmë veten duke iu dorëzuar të njëjtit mëkat dhe duke zhvilluar një zakon të keq ose madje një varësi. Mposhtja e këtyre mëkateve mund të jetë shumë e vështirë. Shumë prej anti-nefi-lehive kishin zhvilluar praktika mëkatare para kthimit të tyre në besim te Zoti. Kur përjetuan faljen e Shpëtimtarit, ata u frymëzuan që ta shmangnin rikthimin në ato mëkate. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i mposhtësh mëkatin dhe zakonet e këqija me ndihmën e Shpëtimtarit.

Ndihmojini nxënësit të kërkojnë kthimin në besim. Kthimi në besim është më shumë sesa një ndryshim i sjelljes; është një ndryshim i zemrës i shkaktuar nga Fryma e Shenjtë. Ndërsa nxënësit mësojnë dhe ndërmarrin veprim të efektshëm e të drejtë, nxitini ata t’i luten Atit Qiellor për udhërrëfimin e Tij nëpërmjet Shpirtit.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë tek Alma 24:7–16 dhe të vijnë të përgatitur për të treguar atë që mësojnë nga anti-nefi-lehitët rreth Shpëtimtarit, pendimit dhe faljes.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Mposhtja e mëkatit me ndihmën e Shpëtimtarit

Kijeni parasysh se ky mësim është hartuar për t’u dhënë pas mësimit për kapitullin tek Alma 23.

Lexoje skenarin vijues:

Nertila ka pasur probleme me një mëkat të caktuar prej vitesh. Ndërsa u bë më e kthyer në besim te Zoti, ajo bëri përpjekje të mëdha për t’u penduar dhe kthyer te Shpëtimtari për forcë për ta mposhtur problemin e saj. Ajo e ndjeu faljen dhe dashurinë e Zotit. Megjithatë, në çaste dobësie, ajo ndonjëherë bie përsëri pre e atij mëkati.

  • Si mund të ndihet Nertila në këtë situatë?

Kur nxënësit kanë mundësi për ta vlerësuar veten, kjo mund t’i ndihmojë ata të ndihen më të përfshirë në mësim dhe plot dëshirë për të mësuar për atë që nuk e dinë ende. Ftesa ndaj nxënësve që të reflektojnë në heshtje për sa vijon është një mënyrë se si mund t’i ndihmoni nxënësit ta bëjnë këtë.

Përsiat se sa mirë e ndien se mund ta ndihmosh Nertilën dhe çfarë mund të të nevojitet ende të dish dhe kuptosh për ta ndihmuar atë më mirë. Gjithashtu, mendo për probleme që ti e ndien se Zoti mund të të ndihmojë t’i kapërcesh. Ndërsa studion, kërko të vërtetat që, kur zbatohen, mund ta ftojnë Shpëtimtarin të të ndihmojë ty dhe Nertilën që ta mposhtni mëkatin.

Populli i anti-nefi-lehitëve

Populli i anti-nefi-lehitëve ishin lamanitë që më parë i kishin përdorur shpatat e tyre për të vrarë të tjerët. Megjithatë, pasi “u kthyen në besim te Zoti”, ata i “ulën armët e rebelimit të tyre” (Alma 23:6–7).

Lexo tek Alma 24:1–4 për të parë se si reaguan disa prej lamanitëve të tjerë.

  • Po të ishe një prej anti-nefi-lehive, çfarë mendimesh dhe ndjenjash mund kishe pasur në këtë kohë? Përse?

Amoni dhe vëllezërit e tij mbajtën një këshill me mbretin Lamoni dhe vëllanë e tij, mbretin e popullit që kishte marrë emrin anti-nefi-lehitë (shih tek Alma 24:5). Më pas, mbreti i foli popullit të tij.

Nëse e ndieni se do të kontribuonte në frymën e klasës, merreni parasysh ta ftoni një nxënës t’i lexojë me respekt vargjet vijuese sikur ai ose ajo të ishte udhëheqësi i anti‑nefi‑lehitëve. Ftojini nxënësit të përfytyrojnë sikur e dëgjojnë këtë fjalim si një prej anti‑nefi‑lehitëve dhe të përsiatin për mendimet dhe ndjenjat që ata mund të kenë pasur.

Lexoje fjalimin e mbretit tek Alma 24:7–16. Kërkoji dhe merre parasysh t’i shenjosh fjalët ose frazat që përshkruajnë sa vijon:

  1. Atë që Perëndia kishte bërë për këta njerëz

  2. Atë që njerëzit kishin bërë për t’u penduar

  3. Atë që mbreti i këshilloi të bënin për t’i braktisur mëkatet e tyre

Kujtojuni nxënësve përgatitjen e tyre për mësim. Diskutojini fjalët dhe frazat që nxënësit i shenjuan në veprimtarinë e mëparshme. Kërkojuni nxënësve të shpjegojnë se çfarë kuptimi kanë fjalët dhe frazat dhe ftojeni klasën të punojë së bashku për t’i kuptuar më mirë ato. Merreni parasysh të vini në dukje frazat që duken të rëndësishme dhe t’i diskutoni edhe ato.

  • Çfarë mendimesh dhe ndjenjash mund të kishe pasur po të ishe atje duke e dëgjuar këtë fjalim? Përse?

  • Cilat fjalë ose fraza do të të kishin dhënë shtysë që të përpiqeshe fort të mos i riktheheshe kurrë mëkateve të tua?

Groposja e armëve të tyre të luftës

anti‑nefi‑lehitët duke groposur shpatat e tyre

Lexo tek Alma 24:17–19 dhe shenjo se si njerëzit u përgjigjën pas këtij fjalimi dhe përse.

  • Si mendon se përvoja e anti‑nefi‑lehitëve mund të lidhet me ne?

Një e vërtetë që mund të përcaktojmë nga ky rrëfim është se dashuria dhe përkushtimi ynë ndaj Jezu Krishtit mund të na ndihmojnë t’i braktisim mëkatet tona.

Gjej një çast për të përsiatur se përse ky parim është i vërtetë.

  • Kur përpiqesh ta braktisësh mëkatin, përse mund të të ndihmojë të kujtosh dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe atë që Ata kanë bërë për ne? (Mund të jetë e dobishme të përsiatësh fraza si “ai na … ka falur” [Alma 24:10], “Perëndia i madh pati mëshirë për ne” [Alma 24:14] dhe “ai i do shpirtrat tanë” [Alma 24:14].)

  • Si i ndihmoi këta njerëz groposja e shpatave të tyre “thellë në tokë” (Alma 24:17) që t’i braktisnin mëkatet e tyre?

Vër re frazat vijuese te vargu 18 (theksi i shtuar):

  • Ata më mirë do të hiqnin dorë nga jeta e tyre, sesa të derdhnin gjakun e vëllezërve të tyre.”

  • Më mirë do t’i jepnin një vëllai, sesa të merrnin prej tij.”

  • Më mirë do të punonin rëndë me duart e tyre, sesa të kalonin ditët në përtaci.”

Në thelb, anti‑nefi‑lehitët nuk groposën vetëm armët e tyre të luftës; ata gjithashtu i zëvendësuan mëkatet e tyre të mëparshme me veprime pozitive.

  • Si mund të na ndihmojë bërja e kësaj gjëje ta braktisim mëkatin?

  • Cilat janë disa mënyra se si mund ta bëjmë këtë sot?

Për të parë një shembull, shih materialin filmik “Fuqia e Librit të Mormonit në Kthimin në Besim” nga kodi kohor 6:11 deri në 8:12, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

9:1

Zotimi i popullit të anti-nefi-lehitëve

Lexo tek Alma 24:20–27 për të parë se si anti‑nefi‑lehitët e jetuan zotimin e tyre për ta braktisur mëkatin. Ndërsa lexon, përfytyro sikur je atje. Përsiat pamjet, tingujt dhe ndjenjat që mund të kesh përjetuar ndërsa u përkule në lutje, duke e ditur se nuk kishe asgjë me se ta mbroje veten dhe se ishe plotësisht në duart e Zotit.

  • Çfarë të bën përshtypje për zotimin e tyre?

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi se si sakrificat e anti-nefi-lehive mund të lidhen me ne sot.

2:3

“Varrosini plotësisht armët tuaja të rebelimit pa doreza mbi dhe. Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, bërja e besëlidhjeve me një qëllim të vërtetë për t’i nderuar me besnikëri ato, do ta bekojë jetën tuaj përgjithmonë. Ju do të bëheni më shumë si Shpëtimtari ndërsa do ta kujtoni gjithmonë Atë, do ta ndiqni Atë dhe do ta adhuroni Atë. Unë dëshmoj se Ai është themeli i patundur. Ai është i besueshëm dhe premtimet e Tij janë të sigurta.” (Dejll G. Renland, “Zotim i Patundur ndaj Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2019, f. 25)

Plaku Renland dha gjithashtu një shembull të fuqishëm të zotimit të shenjtorëve në Kongo. Merreni parasysh t’ua paraqitni nxënësve materialin filmik “Zotim të Patundur ndaj Jezu Krishtit” nga kodi kohor 0:00 deri në 1:39, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

Si ta braktisësh mëkatin

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të bëjnë veprimtarinë vijuese në grupe të vogla, në mënyrë që të mund ta zbatojnë në një situatë nga jeta reale atë që kanë mësuar.

Kujtoje skenarin me Nertilën në fillim të mësimit. Shpjegoje se si do t’ia rekomandoje që t’i zbatonte parimet që studiove sot. Përfshi sa vijon:

  • mënyrat se si ajo mund ta kujtojë dashurinë e Zotit për të

  • veprimet e caktuara që ajo mund të ndërmarrë për të shmangur rënien përsëri pre të mëkateve të saj të mëparshme

Ftojini disa nxënës t’i japin idetë e tyre. Ndërsa nxënësit e dëgjojnë njëri-tjetrin, ftojini të përsiatin se si zbatimi i këtyre planeve mund t’i ndihmojë ata t’i mposhtin mëkatet e tyre.

Braktisja e mëkateve të tua

Në ditarin tënd të studimit, shkruaj se si mund ta zbatosh atë që mësove sot në jetën tënde. Shkruaji hapat që mund të ndërmarrësh për të kujtuar dashurinë e Zotit. Përfshiji hapat praktikë për ta braktisur mëkatin dhe për t’u ruajtur nga rikthimi tek ai.

Ndërsa përpiqesh fort ta zbatosh planin tënd, beso se Shpëtimtari të do dhe do të të ndihmojë teksa përpiqesh fort t’i shmangësh rrethanat që mund të të çojnë në mëkat.

Dëshmoni për dashurinë e Zotit për çdo nxënës dhe se Ai do t’i ndihmojë ata kur përpiqen fort të jenë më shumë si Ai, megjithëse ndonjëherë ata nuk ia dalin mbanë në përpjekjet e tyre.