Seminari
Alma 26: “Do të Ngazëllehemi në Zotin”


“Alma 26: ‘Do të Ngazëllehemi në Zotin’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 26”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 26

“Do të Ngazëllehemi në Zotin”

grup të rinjsh i gëzuar

A ke pasur ndonjëherë një përvojë që mezi prisje t’ia tregoje dikujt? Çfarë doje që njerëzit të dinin? Në të njëjtën mënyrë, Amoni dhe vëllezërit e tij u gëzuan për misionin e tyre 14-vjeçar mes lamanitëve dhe donin t’i tregonin përvojat e tyre. Ata e dëshmuan fuqinë dhe dashurinë e Perëndisë ndërsa mijëra lamanitë u sollën në njohurinë e së vërtetës. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh mirënjohje të thellë dhe dashuri për Zotin dhe për bekimet që Ai dhuron në jetën tënde.

Përgatitja për të qenë një mjet për Frymën e Shenjtë. Ndërsa përpiqeni fort ta ndiqni shembullin e Shpëtimtarit lidhur me bindjen dhe ta jetoni ungjillin me gjithë zemrën tuaj, Shpirti do të jetë me ju. Nuk keni përse të jeni të përsosur – vetëm të përpiqeni me zell. Kërkoni falje nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit sa herë që bini në mëkat.

Përgatitja e nxënësve: Nxënësit mund të lexojnë tek Alma 26:11–16 dhe të përsiatin se çfarë do të thotë “ngazëllehemi në Zotin”.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Për çfarë je i/e pasionuar?

Nxënësit mund ta diskutojnë sa vijon si dyshe ose në grupe të vogla. Si një alternativë, ju mund të ftoni një ose dy nxënës t’ia tregojnë shkurtimisht klasës.

Reflekto për disa çaste për diçka për të cilën je entuziast/e ose i/e pasionuar – diçka për të cilën pasi fillon të flasësh, është e vështirë të ndalosh!

  • Pse ke ndjenja kaq të forta për këtë?

  • Çfarë shpreson se do të ndiejnë të tjerët kur flet për të? Përse?

Pasi bijtë e Mosias u kthyen nga misioni i tyre 14-vjeçar te lamanitët, Amoni foli me vëllezërit e tij për përvojat e tyre. Lexo tek Alma 26:8, 16, duke kërkuar atë për të cilën Amoni ishte entuziast dhe i pasionuar.

Tek Alma 26:16, Amoni përdori foljet ngazëllehemi, gëzohemi dhe lavdërojmë ndërkohë që foli për Zotin. Të ngazëllehemi do të thotë të gëzohemi ose të japim “lavdërime me adhurim, nderim dhe falënderim” (Merriam-Webster.com, “Glory”; shih edhe tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lavdi”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ti mund të duash t’i shenjosh këto fjalë te vargu 16 dhe në vargje të tjera ndërsa studion sot.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta shkruajnë përkufizimin për foljen ngazëllehem në ditarët e tyre ose të bëjnë një shënim pranë vargut tek Alma 26:16. Nxënësit mund të kenë përkufizime ose mendime të tjera për të treguar në bazë të përgatitjes së tyre për orën mësimore.

Gjej disa çaste për të reflektuar për sa vijon:

  • Si ndihesh për marrëdhënien tënde me Atin Qiellor? Përse?

  • A flet me të tjerët rreth Tij me emocion dhe gëzim? Përse po ose përse jo?

Ndërsa studion kapitullin tek Alma 26 sot, përsiat se si shembulli i Amonit që tregoi se si ai u ndje rreth Perëndisë mund ta shtojë dashurinë dhe mirënjohjen tënde për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

“Bekime kaq të mëdha”

Vendosni nëse nxënësit do të përfitonin më shumë duke i lexuar blloqet vijuese të shkrimeve të shenjta (dhe blloqe të tjera më vonë në mësim) si klasë, në grupe të vogla ose në dyshe. Përdorini pyetjet e dhëna ose të tjera që mund t’ju vijnë në mend për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë dhe analizojnë përmbajtjen dhe kontekstin.

Lexo tek Alma 26:1–4, 8–16, duke kërkuar se si Amoni foli rreth Perëndisë dhe rreth asaj që Ai kishte bërë për vëllezërit e tij dhe lamanitët.

  • Çfarë të bëri përshtypje rreth mënyrës se si Amoni foli për Perëndinë?

  • Çfarë të vërtetash gjete që mund ta frymëzojnë dikë të ngazëllohet në Zotin?

Merreni parasysh t’i vini nxënësit t’i shkruajnë në tabelë të vërtetat që zbuluan. Ose nxënësit mund t’i shkruajnë këto të vërteta në pusulla me ngjitje dhe t’i lexojnë ato me zë të lartë përpara se t’i afishojnë në tabelë. Për shembull, Perëndia jep bekime të mëdha (vargjet 1–3); Perëndia mund të punojë nëpërmjet nesh për ta plotësuar punën e Tij të madhe dhe për t’i bekuar të tjerët (vargu 3); në fuqinë e Zotit ne mund t’i bëjmë të gjitha gjërat (vargu 12) dhe Perëndia është i fuqishëm, i mëshirshëm dhe i duruar me fëmijët e Tij (vargu 16).

Mund të doni më pas t’i paraqitni figurat vijuese për t’u kujtuar nxënësve përvojat e Amonit si një misionar, që e çuan atë ta lavdëronte Perëndinë. Mund t’i ftoni nxënësit t’i ritregojnë shkurtimisht disa nga ngjarjet e shënuara tek Alma 17–21.

Amoni duke luftuar me lamanitët
Amoni duke i dhënë mësim Lamonit
mbretëresha vajton për Lamonin

Ndonëse përvojat tona janë të ndryshme nga të Amonit, ne mund të kemi arsye të ngjashme për ta lavdëruar Perëndinë.

Për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë rreth arsyeve që ata mund të kenë për ta lavdëruar Perëndinë, ju mund të doni t’i paraqitni pyetjet vijuese. Jepuni nxënësve kohë t’i përgjigjen njërës prej pyetjeve në ditarët e tyre të studimit, më pas ftojini nxënësit e gatshëm t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

  • Mendo se si ke qenë ose mund të jesh një “mjet në duart e Perëndisë” (Alma 26:3) për t’i bekuar të tjerët. Si mund të të shtyjnë këto përvoja që ta lavdërosh Perëndinë?

  • Cilat janë disa arsye të tjera që ti ke për ta lavdëruar Perëndinë?

  • Çfarë ndryshimesh mund të ndodhin në jetën e dikujt po të ngazëllehet në atë që Perëndia ka bërë për të?

“Shkak kaq të madh të gëzoheshin”

Kur Amoni kujtoi kohën e tij si misionar dhe ndërveprimin e tij me Perëndinë, ai u ngazëllye për atë që Perëndia është dhe për atë që Perëndia kishte bërë të mundur në jetën e tij.

Merreni parasysh të siguroni letër për nxënësit që ta plotësojnë veprimtarinë vijuese të studimit. Për larmi, pjesa e parë e veprimtarisë mund të plotësohet si klasë. Nxënësit mund t’i studiojnë grupet e ndryshme dhe ta shënojnë atë që gjejnë në tabelë. Merreni parasysh të përdorni pyetjen me pikë ose të tjera që ju vijnë në mendje për t’i ndihmuar nxënësit të ngazëllehen në Zotin.

Palose një copë letër në tresh ose bëj tri kolona në një faqe në ditarin tënd të studimit. Emërtoje kreun e çdo kolone me një nga grupet vijuese të njerëzve:

Lexoji fragmentet e shkrimeve të shenjta për secilin grup dhe shëno në kolonë atë që Perëndia kishte bërë për ta.

  • Çfarë të bëri përshtypje rreth asaj që Perëndia kishte bërë për këta grupe njerëzish? Përse kjo do t’i bënte njerëzit të ngazëllenin në Të?

Jepuni nxënësve kohë të mjaftueshme për ta plotësuar segmentin vijues të individualizuar të kësaj veprimtarie. Nxitini nxënësit të jenë të zhytur në mendime dhe plot lutje ndërsa punojnë.

Ktheje fletën e palosur të letrës ose krijo tri kolona të reja në ditarin tënd të studimit. Vendosi secilës kolonë një prej krerëve vijues:

  • Si më ka bekuar Perëndia

  • Si i ka bekuar Perëndia njerëzit që i dua

  • Ajo që di dhe ndiej për Perëndinë

Nëse dëshiron, mund t’i lutesh Atit Qiellor, duke i kërkuar Atij të të sjellë mendime dhe kujtime në mendje. Ndërsa e kujton se si Perëndia të ka bekuar ty dhe të tjerët dhe reflekton për ndjenjat e tua për Të, Fryma e Shenjtë mund të të ndihmojë ta ndiesh dashurinë e Perëndisë për ty.

Shënoji përgjigjet e tua në secilën kolonë dhe shpjego se përse ato të bëjnë të ngazëllehesh në Perëndinë.

Merreni parasysh t’i përdorni pyetjet vijuese për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë të vërtetën dhe rëndësinë e ndjenjave që përjetuan. Nxitini nxënësit e gatshëm ta tregojnë atë që ndien ndërsa reflektuan për arsyet e tyre për t’u ngazëllyer në Zotin.

  • Si të ndihmoi kjo veprimtari të ndiesh gëzim më të madh në Perëndinë ose dashuri dhe mirënjohje më të madhe për Të?

  • Si mendon se do të ndryshonte marrëdhënia jote me Zotin po të gjeje kohë për t’u kujtuar dhe ngazëllyer në Të më shpesh?

Nxitini nxënësit të veprojnë sipas ftesës vijuese.

Ndërsa reflekton mbi atë që ke mësuar dhe ndier sot, ti mund të duash të vendosësh një synim për të gjetur kohë për ta kujtuar Perëndinë dhe për t’u ngazëlluar në Të. Mund të ndihesh gjithashtu i nxitur t’ia tregosh mendimet e tua dikujt tjetër siç bëri Amoni. Kërko një mundësi për t’u shprehur dhe merre parasysh se si mund ta ndihmosh personin tjetër ta ndiejë atë që ti ke ndier për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.