“Vështrim i Përgjithshëm për Kapitujt tek Alma 23–29”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 23–29”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 23–29
Vështrim i Përgjithshëm
Nëpërmjet mësimeve të Amonit dhe të vëllezërve të tij, mijëra lamanitë “u kthyen në besim te Zoti” dhe “nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre” (Alma 23:6). Këta të kthyer në besim përqafuan emrin anti-nefi-lehitë. Përpara kthimit të tyre në besim, shumë anti-nefi-lehitë kishin zhvilluar praktika mëkatare. Kur përjetuan faljen e Shpëtimtarit, ata u frymëzuan që ta shmangnin rikthimin në ato mëkate. Amoni dhe vëllezërit e tij u gëzuan për misionin e tyre 14-vjeçar dhe donin t’i tregonin përvojat e tyre.
Përgatituni të Jepni Mësim
Informacioni i mëposhtëm u jep mësuesve ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.
Alma 23
Qëllimi i mësimit: Qëllimi i këtij mësimi është t’i ndihmojë nxënësit të dëshirojnë të jenë të kthyer më plotësisht në besim te Zoti dhe të përcaktojnë çdo pengesë ndaj atij kthimi në besim.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar se çfarë mendojnë se do të thotë të jesh “[i] kthye[r] në besim te Zoti” (Alma 23:6) dhe përse kthimi në besim tek Ai është kaq i rëndësishëm. Ata mund t’i referohen Udhëzuesit për Shkrimet e Shenjta nën zërin “Kthim, Kthyer (i)”, nëse kanë nevojë për ndihmë.
-
Figurë: Një figurë e Shpëtimtarit
-
Përmbajtje për t’u paraqitur: Pohimet nga Pleqtë Dejvid A. Bednar dhe Dejll G. Renland, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, se cilat mund të jenë armët e rebelimit
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh ta ftoni në klasë një të kthyer në besim kohët e fundit dhe të flasë për disa prej “armë[ve të] rebelimit” që i është dashur t’i ulë në mënyrë që të ndjekë Shpëtimtarin dhe t’i bashkohet Kishës së Tij. Sigurohuni të merrni leje nga bashkërenduesi ose administratori juaj i programit dhe udhëheqësit vendorë të priftërisë përpara se t’ia bëni ftesën.
Alma 24
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i mposhtin mëkatin dhe zakonet e këqija me ndihmën e Shpëtimtarit.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë tek Alma 24:7–16 dhe të vijnë të përgatitur për të treguar atë që mësojnë nga anti-nefi-lehitët rreth Shpëtimtarit, pendimit dhe faljes.
-
Materialet filmike: “Fuqia e Librit të Mormonit në Kthimin në Besim” (9:01; shiko nga kodi kohor 6:11 deri në 8:12); “Zotim të Patundur ndaj Jezu Krishtit” (13:52; shiko nga kodi kohor 0:00 deri në 1:39 dhe nga kodi kohor 12:45 deri në 13:31)
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në grupe me nga tre ose katër vetë në dhoma virtuale të veçanta për të kërkuar fjalë dhe fraza të rëndësishme tek Alma 24:7–16. Ftojeni secilin grup të përzgjedhë një drejtues për t’i treguar klasës fjalët dhe frazat që përcaktoi grupi.
Alma 26
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë mirënjohje dhe dashuri të thellë për Zotin dhe për bekimet që Ai dhuron në jetën e tyre.
-
Përgatitja e nxënësve: Nxënësit mund të lexojnë tek Alma 26:11–16 dhe të përsiatin se çfarë do të thotë “ngazëllehemi në Zotin”.
-
Figura: Disa figura të përpjekjeve misionare të Amonit
-
Materialet për nxënësit: Një copë letre bosh për çdo nxënës
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Në vend që t’u kërkoni nxënësve të krijojnë tri kolona në një fletë letre, ju mund t’u kërkoni atyre ta bëjnë atë si klasë duke përdorur funksionin e tabelës së bardhë. Përndryshe, mund t’i organizoni ata në dhoma virtuale të veçanta dhe t’i kërkoni secilit grup të krijojë tri kolona në një dokument digjital. Kur nxënësit të jenë prapë së bashku, çdo grup mund t’ia tregojë klasës dokumentin e vet.
Alma 29
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i vlerësojnë dëshirat e tyre dhe t’i përputhin me ato të Zotit.
-
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të lexojnë tek Alma 29:1–6 dhe të përsiatin për atë që mësojnë rreth dëshirave.
-
Figurë: Kthimi në besim i Alma të Riut
-
Përmbajtje për t’u paraqitur: Pyetjet dhe udhëzimet nën titullin “Rëndësia e dëshirave”, të paraqitura në tabelë ose në vende të ndryshme nëpër dhomë
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Në fillim të mësimit, kur nxënësit të ftohen që të mendojnë rreth asaj që do të donin, merreni parasysh t’i ftoni ata të gjejnë dy minuta dhe të kërkojnë një figurë që e ilustron atë që ata dëshirojnë. Nxënësit mund t’i paraqitin dhe t’i shpjegojnë me radhë figurat që zgjodhën.
Përsëritja 13 e Zotërimit Doktrinor
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit t’i gjejnë 12 fragmentet e shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor në gjysmën e dytë të Librit të Mormonit.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’u kërkojnë shokëve ose pjesëtarëve të familjes që t’u tregojnë atyre mënyra të ndryshme se si i shenjojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta dhe përse.
-
Fletushkë: “Zotërimi Doktrinor për Librin e Mormonit: Alma–Moroni”
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Për t’i lejuar nxënësit të punojnë me më shumë nga shokët e tyre të klasës ndërsa gjejnë 12 fragmentet e zotërimit doktrinor, merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në dhoma të ndryshme virtuale për secilin fragment të shkrimeve të shenjta. Në fillim të çdo radhe, ju mund t’u sugjeroni pyetje të ndryshme që mund t’ia bëjnë partnerit ose grupit të tyre për t’i ndihmuar ata ta njohin njëri-tjetrin më mirë.