Seminari
Zotërimi Doktrinor: Alma 34:9–10 – “Duhet të Bëhet një Shlyerje, … një Flijim i Pafundmë dhe i Përjetshëm.”


“Zotërimi Doktrinor: Alma 34:9–10 – ‘Duhet të Bëhet një Shlyerje, … një Flijim i Pafundmë dhe i Përjetshëm’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Zotërimi Doktrinor: Alma 34:9–10”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Zotërimi Doktrinor: Alma 34:9–10

“Duhet të Bëhet një Shlyerje, … një Flijim i Pafundmë dhe i Përjetshëm.”

Krishti në kryq

Në një mësim të mëparshëm, ti mësove rreth Shlyerjes së pafundme dhe të përjetshme të Jezu Krishtit. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet tek Alma 34:9–10, ta shpjegosh doktrinën që jepet mësim në këto vargje dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale duke e përdorur këtë fragment të shkrimit të shenjtë.

Ndihmojini nxënësit që ta ushtrojnë përdorimin e “parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore”. Përpiquni t’u referoheni parimeve me emër, në mënyrë që nxënësit ta dallojnë menjëherë se kur dhe si po përfshihen në diskutimet në klasë.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë se si të vërtetat e dhëna mësim tek Alma 34:9–10 dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore mund ta ndihmojnë dikë që ndihet se nuk mund të marrë falje për mëkatet e veta.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor është hartuar për t’u dhënë pas mësimit “Alma 34:1–17”, që është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor tek Alma 34:9–10. Nëse ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor duhet të zhvendoset në një javë tjetër, sigurohuni që të jepni edhe mësimin përkatës kontekstual gjatë asaj jave.

Shpjego dhe mëso përmendsh

A e ke vënë re ndonjëherë se mund të jetë më e lehtë ta kuptosh diçka në mendjen tënde sesa ta shpjegosh atë me fjalë? Një nga qëllimet e zotërimit doktrinor është të të japë mundësi ta shpjegosh doktrinën nga fragmentet e zotërimit doktrinor me fjalët e tua.

Në studimin tënd të fundit të vargjeve tek Alma 34:9–10, ti mësove se pa Shlyerjen e pafundme dhe të përjetshme të Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi do të ishte i humbur përgjithmonë.

Jepuni nxënësve mundësi për ta shpjeguar doktrinën që jepet mësim tek Alma 34:9–10 me fjalët e tyre duke u dhënë udhëzimet vijuese.

Përfytyro sikur ti pate mundësinë për t’ia shpjeguar kuptimin e vargjeve tek Alma 34:9–10 dikujt që di shumë pak rreth Jezu Krishtit. Gjeje një çast për t’i shqyrtuar këto vargje dhe shenjoji ose shkruaji fjalët ose frazat që do të doje që ky person t’i kuptonte.

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, merreni parasysh t’i rregulloni ata në dyshe ose në grupe të vogla dhe ta ftoni secilin nxënës të ushtrohet për të dhënë shpjegimin e tij.

Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargjet tek Alma 34:9–10 është: “Duhet të bëhet një shlyerje, … një flijim i pafundmë dhe i përjetshëm”.

Ndihmojini nxënësit ta mësojnë përmendsh këtë referencë të shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë. Rregullojeni klasën në dyshe. Një nxënës mund të përsëritë gjysmën e parë të frazës, më pas nxënësi tjetër i dyshes mund të përsëritë gjysmën e dytë. Të dy mund ta thonë më pas së bashku referencën e shkrimit të shenjtë. Pasi ta bëjnë këtë disa herë, nxënësit mund të ndërrohen dhe ta përsëritin gjysmën tjetër të frazës.

Ushtroje vënien në zbatim

Para se t’ua jepni skenarin vijues, merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve t’i përmendin nga sa mbajnë mend parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Shkruajeni secilin parim në tabelë ndërsa nxënësit e thonë atë. Shpjegojuni se ata do të kenë mundësi ta shqyrtojnë dhe ushtrojnë zbatimin e këtyre parimeve gjatë këtij mësimi.

Më pas, paraqiteni skenarin ose jepuni nxënësve një kopje që t’i referohen ndërsa e kryejnë veprimtarinë.

Përfytyro sikur të kanë kërkuar të japësh një mësim rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit në orën tënde mësimore të Shkollës të së Dielës. Si pjesë e përgatitjes sate, ti komunikon me një të re në lagjen tënde, e quajtur Ola dhe i kërkon asaj të të japë mendimet e saj rreth mënyrës se si Jezu Krishti e ka bekuar jetën e saj për shkak të Shlyerjes së Tij.

Përgjigjja e Olës të habit. Ajo thotë: “Të jem e sinqertë me ty, unë mendoj se Shlyerja e Jezu Krishtit është madhështore për shumicën e njerëzve, por nuk jam e sigurt se sa shumë gjen ende zbatim tek unë për shkak të disa gabimeve që kam bërë dhe vazhdoj t’i bëj. Janë disa mëkate që nuk e di nëse do të arrij ndonjëherë t’i mposht.”

Ndërsa vazhdon ta përgatitësh mësimin tënd, ti vazhdon të mendosh rreth komenteve të Olës dhe dëshiron ta ndihmosh atë. Merre parasysh se si mësimet tek Alma 34:9–10 dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore mund ta ndihmojnë Olën me shqetësimin e saj.

Merreni parasysh t’i rregulloni nxënësit në grupe të vogla dhe t’i caktoni secilit grup të përqendrohet në njërin nga parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Nxënësit mund të krijojnë një listë në letër ose në tabelë me të gjitha mënyrat që ata mendojnë se ky parim mund ta ndihmojë Olën në situatën e saj. Nxënës nga secili grup mund të ftohen t’ia raportojnë të gjithë klasës atë që diskutuan.

Sipas nevojës, pyetjet vijuese mund t’u jepen grupeve për t’u përdorur si pjesë e diskutimit të tyre.

Vepro me Besim

  • Cilat janë veprimet besnike të veçanta që ti mendon se Ola mund të bëjë që mund ta ndihmojnë atë?

  • Çfarë mund t’i mësosh Olës rreth Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij që mund ta ndihmojë atë të veprojë me besim? Si mund të të ndihmojnë mësimet tek Alma 34:9–10?

Për ide të tjera rreth mënyrës se si Ola mund të veprojë me besim, mund të lexosh paragrafët 5–7 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor.

Shqyrtoji konceptet ose pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

Një mënyrë alternative e mësimdhënies së kësaj pjese është t’i ftoni nxënësit t’i renditin në tabelë disa nga supozimet e pasakta që Ola mund të ketë pasur rreth Jezu Krishtit, Shlyerjes së Tij dhe rolit të saj në fitimin e qasjes te mëshira e Shpëtimtarit. Më pas, ftojini nxënësit ta ndihmojnë Olën ta riformulojë shqetësimin e saj (ose ta shohë ndryshe atë) duke treguar të vërtetat që ata kuptojnë rreth Jezu Krishtit, Shlyerjes së Tij dhe rolit tonë në fitimin e qasjes te mëshira e Shpëtimtarit.

  • Si mendon se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do ta shihnin një shqetësim si ai i Olës?

  • Përse është e rëndësishme që Ola të kujtohet se Shlyerja e Shpëtimtarit është “[e] pafund[me] dhe [e] përjetsh[me]” (Alma 34:10)?

  • Si mund ta ndihmojë atë të kujtuarit se të gjithë janë të rënë dhe të humbur pa Shlyerjen e Shpëtimtarit që ta shohë ndryshe shqetësimin e saj?

Për ide të tjera rreth mënyrës se si Ola mund t’i shqyrtojë konceptet ose pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm, mund të lexosh paragrafin 8 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor.

Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

  • Çfarë lloje burimesh të caktuara në mënyrë hyjnore do t’i rekomandoje Olës për ta ndihmuar atë që të marrë udhërrëfim dhe drejtim? Përse?

  • Përveç vargjeve tek Alma 34:9–10, cili është një shkrim i shenjtë ose thënie nga një udhëheqës i Kishës që ti mund t’ia tregosh Olës? Si mund ta ndihmonte kjo atë?

Për ide të tjera rreth mënyrës se si Ola mund të kërkojë kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore, mund të lexosh paragrafët 11–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor.

Ftojini nxënësit të mendojnë rreth asaj që ata kanë mësuar ose ndier sot, që mund ta bekojë jetën e tyre ose jetën e njerëzve që njohin. Nxitini ata të kërkojnë mundësi për t’i zbatuar parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrinën që jepet mësim në shkrimet e shenjta në situatat me të cilat ata përballen.

Përsëritja e zotërimit doktrinor

Në një mësim të ardhshëm, ndihmojini nxënësit ta përsëritin referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet tek Alma 34:9–10: “Duhet të bëhet një shlyerje, … një flijim i pafundmë dhe i përjetshëm”.

Një mënyrë se si mund të bëhet kjo është t’i shkruani shkronjat e para të referencës dhe frazës kyç në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit të përpiqen t’i kujtojnë fjalët që lidhen me secilën shkronjë. Ushtrojeni bërjen e kësaj disa herë derisa nxënësit të mund ta përsëritin referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë nga sa mbajnë mend.