Seminari
Alma 43, 48–50: Të Mësuarit nga Kapitujt e Luftës


“Alma 43, 48–50: Të Mësuarit nga Kapitujt e Luftës”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 43, 48–50”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 43, 48–50

Të Mësuarit nga Kapitujt e Luftës

nefitët e armatosur në një vend të sigurt

Pjesa e fundit e librit të Almës përshkruan një kohë grindjesh dhe luftërash. Strategjitë e përdorura nga nefitët në këto luftëra mund të na ndihmojnë të zhvillojmë strategji që mund t’i përdorim në betejat tona të përditshme kundër Satanit. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i krahasosh shkrimet e shenjta me veten tënde për të marrë mbrojtjen e Zotit nga sulmet e vazhdueshme dhe në rritje të kundërshtarit.

Ndihmojini nxënësit të gjejnë domethënie vetjake në shkrimet e shenjta. Nxitini nxënësit të përdorin aftësi të ndryshme të studimit për ta përmirësuar kuptueshmërinë e tyre për shkrimet e shenjta. Ata mund të kërkojnë hollësi në subjektin e ngjarjes, të bëjnë krahasime dhe lidhje ndërmjet rrëfimeve në shkrimet e shenjta dhe jetës së tyre dhe të përcaktojnë se si do ta zbatojnë atë që kanë mësuar.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të studiojnë vargjet tek Alma 43:18–21, 37–38, duke kërkuar mësimet që mund t’i ndihmojnë në betejën e tyre kundër Satanit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Dallimi i kundërshtarit

Merreni parasysh të paraqitni thënien vijuese ndërkohë që nxënësit i diskutojnë përgjigjet e tyre për pyetjet që e pasojnë atë.

Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi:

“Ju po rriteni në territor armik. … [Kundërshtari] është nëpër shtëpi, në argëtim, te mjetet e komunikimit, në gjuhë – te gjithçka rreth jush. Në shumicën e rasteve, prania e tij është e pazbuluar.” (Bojd K. Paker, “Si të Mbijetosh në Territor Armik”, New Era, prill 2012, f. 2; Liahona, tetor 2012, f. 34)

  • Çfarë mendimesh ose ndjenjash ke rreth kësaj thënieje?

  • Çfarë shembujsh mund të vijnë në mendje që e ilustrojnë atë për të cilën po fliste Presidenti Paker?

Nxënësit duhet të mendojnë vetëm rreth përgjigjeve të tyre për pyetjet në paragrafin vijues në vend që të përgjigjen me zë të lartë.

Reflekto për një çast se si thënia e Presidentit Paker gjen zbatim për ty. Cilat janë disa nga mënyrat se si e vë re që tundimet e Satanit ndikojnë tek ti ose te personat që ti do? Çfarë përpjekjesh po bën për t’u mbrojtur nga sulmet e tij?

Luftërat ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve

Fundi i librit të Almës përshkruan disa nga luftërat që ndodhën ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve. Ndërsa i studion këto rrëfime, ti mund të mësosh mësime të vyera që mund të të ndihmojnë në betejën tënde kundër Satanit. Për shembull, qëllimet dhe taktikat e lamanitëve mund të krahasohen me qëllimet dhe taktikat e Satanit ndaj nesh.

Merreni parasysh t’i shkruani referencat e shkrimit të shenjtë dhe emrat vijues në tabelë. Mbi Alma 43:5–8, shkruani Zerahemna. Mbi Alma 46:3–5, 10, shkruani Amalikia. Nxënësit mund të ndahen në grupe dhe t’u caktohet të studiojnë një grup vargjesh.

Lexo tek Alma 43:5–8; 46:3–5, 10, duke kërkuar atë që udhëheqësit e ligj të lamanitëve bënë që ngjason me qëllimet dhe taktikat e Satanit.

Merreni parasysh t’i ftoni disa vullnetarë të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë qëllimet dhe taktikat e përdorura nga personi që studiuan.

  • Në ç’mënyrë qenë qëllimet dhe taktikat e këtyre udhëheqësve si ato të Satanit?

Moroni me titullin e lirisë

Ushtritë e nefitëve u udhëhoqën nga një njeri i drejtë i quajtur Moroni.

Merreni parasysh ta shkruani referencën vijuese të shkrimit të shenjtë në tabelë pranë referencave të mëparshme për Zerahemnën dhe Amalikian. Shkruani Moroni mbi referencën e re.

Lexo tek Alma 48:11–13, 17, duke kërkuar cilësi ose karakteristika si të Krishtit te Moroni.

Ftojini disa vullnetarë të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë karakteristikat e Moronit që u kujtojnë Shpëtimtarin.

  • Çfarë gjete?

Krahasimi i shkrimeve të shenjta me veten tënde

Krahasimet që ke bërë deri tani në shkrimet e shenjta mund të të përgatitin t’i krahasosh ose lidhësh hollësitë e tjera nga këto rrëfime me jetën tënde.

Paraqitini hapat vijues që nxënësit të mund t’u referohen gjatë gjithë mësimit.

Procesi vijues mund të të ndihmojë t’i krahasosh shkrimet e shenjta me jetën tënde. Mbaji shënim këto hapa në ditarin tënd të studimit.

  1. Gjej hollësi të rëndësishme.

  2. Bëj krahasime me jetën tënde.

  3. Zbulo mësime të vyera.

  4. Përcakto zbatimin në planin vetjak.

Ushtroje aftësinë e krahasimit kur studion shkrimet e shenjta, duke e përdorur këtë proces teksa mëson rreth njërës prej betejave ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve.

Pjesa në vijim ka për qëllim t’i udhërrëfejë nxënësit në krahasimin e shkrimeve të shenjta dhe t’i përgatitë ata ta bëjnë këtë në mënyrë të pavarur më vonë në mësim.

Hapi 1: Gjej hollësi të rëndësishme

Lexo tek Alma 43:17–21, 37–39, 51–54, duke kërkuar hollësi të rëndësishme. Këto hollësi mund të përfshijnë njerëz, vende, sende ose veprime që janë të theksuara.

Kërkojuni nxënësve t’i japin hollësitë e rëndësishme që gjetën në këto vargje. Këto mund të shkruhen në tabelë. Nëse është e nevojshme, ndihmojini nxënësit të përcaktojnë hollësitë e rëndësishme vijuese.

Disa hollësi që mund t’i kesh vënë re përfshijnë Moronin që i mbron ushtritë e tij me parzmore dhe veshje të trasha, lamanitët që nuk mbajnë parzmore mbrojtëse dhe nefitët që i mundin lamanitët pavarësisht se ishin shumë më të paktë në numër.

Hapi 2: Bëj krahasime me jetën tënde

Mendo se si hollësitë që përcaktove në hapin e mëparshëm mund të krahasohen me diçka shpirtërore ose me situata në jetën tënde.

Ti mund ta kesh krahasuar parzmoren e nefitëve me parzmoren e Perëndisë. Mund ta kesh krahasuar edhe fitoren e nefitëve me mposhtjen e Satanit dhe tundimeve të tij.

Hapi 3: Zbulo mësime të vyera

Mendo rreth asaj që mëson nga ky rrëfim që mund të gjejë zbatim për ty. Mund të mendosh edhe rreth asaj që mëson për Shpëtimtarin.

Ftoni nxënës të shumë të japin përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese.

  • Cilat janë disa mësime që mëson nga kjo betejë ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve që mund të të ndihmojnë në betejat e tua kundër Satanit?

  • Çfarë të mëson ky rrëfim për Jezu Krishtin?

Një parim që mund të mësojmë është se Jezu Krishti na ofron mbrojtjen që na duhet në luftën tonë kundër Satanit.

Hapi 4: Përcakto zbatimin në planin vetjak

Reflekto se si mund t’i zbatosh mësimet që përcaktove në hapin e mëparshëm.

  • Çfarë mund të bësh për ta marrë mbrojtjen e Jezu Krishtit kundër Satanit?

Ndër mënyrat e shumta për ta zbatuar këtë të vërtetë, ti mund të kesh menduar se si mbrojtja e Shpëtimtarit është në dispozicion nëpërmjet veprimeve besnike si lutja (shih te Doktrina e Besëlidhje 10:5), studimi i shkrimeve të shenjta (shih te 1 Nefi 15:24) ose zbatimi i urdhërimeve të Zotit (shih te Mosia 2:41).

Ushtroje krahasimin e shkrimeve të shenjta përsëri

Pjesa në vijim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta përdorin aftësinë e krahasimit të shkrimeve të shenjta në jetën e tyre. Nëse është e nevojshme, caktojuni nxënësve një partner ose një grup me të cilin të punojnë. Paraqitini shkrimet e shenjta vijuese dhe drejtojini nxënësit tek katër hapat e paraqitur më parë në mësim në mënyrë që të mund t’i përdorin gjatë studimit.

Zgjidh të paktën dy nga grupet vijuese të vargjeve dhe, ndërsa studion, ushtroje përdorimin e procesit me katër hapa për krahasimin e shkrimeve të shenjta.

Jepuni nxënësve mundësi për ta treguar atë që mësuan nga studimet e tyre. Ju gjithashtu mund të merrni parasysh të shtoni idetë tuaja nga këto vargje.

  • Çfarë hollësish të rëndësishme përcaktove nga një rrëfim që studiove?

  • Cilat janë disa krahasime që bëre mes atyre hollësive dhe aspekteve nga jeta jote?

  • Cili është një ose më shumë mësime që mësove nga ky rrëfim?

  • Si mund t’i zbatosh këto mësime në jetën tënde?