Seminari
Helamani 8: Profetët Dëshmojnë për Jezu Krishtin


“Helamani 8: Profetët Dëshmojnë për Jezu Krishtin”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Helamani 8”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Helamani 8

Profetët Dëshmojnë për Jezu Krishtin

Jezu Krishti

Në një botë ku kaq shumë zëra që na tërheqin në kaq shumë drejtime, Perëndia na ka dhënë profetë për të na ankoruar tek Ai. Kur Nefi u mor në pyetje nga nefitët e ligj rreth arsyes përse kishte folur aq ashpër për ta, ai dëshmoi me guxim për Shpëtimtarin. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh se profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe kjo mund të të ndihmojë ta ndiesh të vërtetën e dëshmive të tyre.

Theksojeni se si profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin. Përgjegjësia kryesore e profetëve është të dëshmojnë për Jezu Krishtin (shihni tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Profet”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Vini në dukje fragmente të shkrimeve të shenjta dhe mësime të tjera profetike që japin dëshmi për cilësitë hyjnore, jetën dhe misionin e Shpëtimtarit. Nxitini nxënësit të marrin parasysh se si dëshmitë profetike ndikojnë në kuptueshmërinë dhe vlerësimin e tyre për Jezu Krishtin.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të kërkojnë një ose më shumë shembuj të profetëve dhe apostujve që dëshmojnë për Jezu Krishtin në një konferencë të përgjithshme të kohëve të fundit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Dëshmia e një dëshmitari

Merreni parasysh të sillni një frutë të thatë me lëvozhgën e saj, p.sh. një kikirik, arrë ose frutë tjetër të thatë. Fshijeni në dorën tuaj ose në një qese. Thuajuni nxënësve se keni diçka që nuk është parë kurrë nga sytë e njerëzve ose prekur nga duart e njerëzve (fruta e thatë brenda lëvozhgës). Ftojeni një nxënës të vijë dhe ta shohë. Më pas vëreni nxënësin t’i thotë klasës nëse ju po thoni të vërtetën. Pyetini nxënësit nëse ju besojnë dhe përse ju besojnë ose jo. Pasi ta diskutoni si klasë nëse nxënësit ju besojnë, tregojuani atyre frutën e thatë.

Shumica e njerëzve nuk e kanë parë Jezu Krishtin, por shumë vetë besojnë ende tek Ai.

  • Cilat janë disa arsye përse njerëzit besojnë te Jezu Krishti?

  • Çfarë roli luajnë profetët për të të ndihmuar të besosh te Shpëtimtari?

Dëshmia e profetëve të lashtë

Shërbesa e profetit Nefi u diskutua në mësimin rreth kapitujve te Helamani 7–10. Ky mësim do t’i ndihmojë nxënësit të përqendrohen te mësimet e Nefit te Helamani 8 rreth përgjegjësisë së profetëve për të dëshmuar për Jezu Krishtin. Për t’i ndihmuar nxënësit ta shqyrtojnë kontekstin për mësimet e Nefit te Helamani 8, merreni parasysh ta përmblidhni informacionin vijues.

Mund të të kujtohet se profeti Nefi u profetizoi nefitëve të ligj se do të shkatërroheshin po të mos pendoheshin (shih te Helamani 7:22–29). Shumë nga nefitët u zemëruan me Nefin që foli kundër ligësisë së tyre (shih te Helamani 8:1–7). Nefi i qortoi këta njerëz dhe u tha se po mohonin jo vetëm fjalët e tij, por fjalët e profetëve të kaluar, duke përfshirë Moisiun, që kishte dëshmuar për Jezu Krishtin (shih te Helamani 8:10–13).

Lexo te Helamani 8:13–23, duke kërkuar atë që tha Nefi rreth Moisiut dhe profetëve të tjerë të kaluar. Nëse dëshiron, mund t’i shenjosh emrat e profetëve që përcaktoi Nefi.

  • Çfarë kishin të përbashkët të gjithë këta profetë?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto vargje është se profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin.

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, pohoi:

“Roli më i rëndësishëm i profetit të Zotit është të na mësojë për Shpëtimtarin dhe të na udhëheqë drejt Tij. …

Një profet nuk qëndron ndërmjet jush dhe Shpëtimtarit. Përkundrazi, ai qëndron përkrah jush dhe ju tregon rrugën drejt Shpëtimtarit. Përgjegjësia më e madhe dhe dhurata më e çmuar e një profeti për ne është dëshmia e tij e sigurt, dituria e tij e patundur se Jezusi është Krishti.” (Nil L. Andersen, “Profeti i Perëndisë”, Liahona, maj 2018, f. 25, 27)

  • Si mendon, përse dhurata më e madhe e një profeti për ne është dëshmia e tij për Jezu Krishtin?

Shembuj të profetëve që dëshmojnë për Jezu Krishtin

Shpenzo kohë për të studiuar disa nga dëshmitë e profetëve për Jezu Krishtin. Ndërsa i studion dëshmitë e tyre, Fryma e Shenjtë mund të dëshmojë për vërtetësinë e fjalëve të tyre në zemrën dhe mendjen tënde.

Ftojini nxënësit të plotësojnë njërën ose të dyja veprimtaritë vijuese, ose mund t’i lejoni ata të zgjedhin se cilën veprimtari do të donin të plotësonin. Përndryshe, mund t’i vendosni nxënësit në grupe dhe t’i caktoni secilit grup njërën nga mundësitë për ta plotësuar. Anëtarë nga secili grup mund të tregojnë më pas se çfarë u bëri përshtypje në dëshmitë që studiuan.

Mundësia A: Profetët e lashtë dëshmuan për Jezu Krishtin

Merreni parasysh ta paraqitni nëpër dhomë emrin e secilit prej profetëve vijues që përmendet te Helamani 8:13–23, vargjet shoqëruese vijuese dhe një figurë të secilit profet (nëse është e mundur). Pasi nxënësit t’i kenë studiuar disa dëshmi, ata mund ta mbajnë shënim çdo ndjenjë ose mbresë që patën ndërsa studiuan dhe t’ia tregojnë ato ndjenja ose mbresa një shoku të klasës.

Lexo të paktën tri nga dëshmitë vijuese nga profetët e përmendur nga Nefi. Bëj një listë të asaj që po mëson nga këto dëshmi rreth Jezu Krishtit.

Shqyrtoje listën që shkrove. Merre parasysh ta mbash shënim çdo ide, ndjenjë ose mbresë që pate rreth Shpëtimtarit ndërsa studiove. Shkruaj disa fjali që shpjegojnë se si jeta jote mund të ishte ndryshe nëse profetët nuk do të na i kishin dhënë mësim këto gjëra rreth Jezu Krishtit.

Mundësia B: Profetët e ditëve të mëvonshme dëshmojnë për Jezu Krishtin

Për t’i ndihmuar nxënësit ta plotësojnë këtë mundësi, merreni parasysh t’u ofroni burime, të tilla si disa kopje të botimeve të revistës Liahona për konferencën e përgjithshme.

Merreni parasysh t’u jepni disa nga dëshmitë e profetëve, të përmendura në pjesën “Komente dhe Informacion për Rrethanat” sipas nevojës.

Gjej dy ose më shumë shembuj të profetëve ose apostujve të ditëve të mëvonshme që dëshmojnë për Jezu Krishtin. Ata mund të jenë nga një konferencë e përgjithshme e kohëve të fundit ose nga historia e Kishës. Merre parasysh të përdorësh faqen ChurchofJesusChrist.org ose programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për kërkimin tënd. Mund edhe ta lexosh dokumentin “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” në ChurchofJesusChrist.org.

Kur nxënësit ta plotësojnë veprimtarinë e tyre, ftojini t’i tregojnë shembujt që gjetën të profetëve që dëshmojnë për Jezu Krishtin. Sigurohuni t’u jepni shumë nxënësve mundësi për të folur. Mund të jetë e dobishme të bëni pyetje si “Cilat nga dëshmitë e profetëve ju kanë lënë mbresa?” ose “Si mendoni, përse është e rëndësishme që kaq shumë profetë kanë dëshmuar për Jezu Krishtin?”

Nëse koha e lejon, mund të jetë gjithashtu e dobishme për nxënësit t’i japin dëshmitë e veta për Jezu Krishtin.