Seminari
Helamani 7–10: Profeti i Zotit


“Helamani 7–10: Profeti i Zotit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Helamani 7–10”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Helamani 7–10

Profeti i Zotit

Presidenti Rasëll M. Nelson

Në një botë të mbushur me zëra kontradiktorë, ku mund të kthehemi për drejtim dhe të vërtetë? Një mënyrë se si Zoti kërkon të na udhërrëfejë dhe ndihmojë në vdekshmëri është duke thirrur një profet. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh rolin kritik që luajnë profetët në planin e Atit Qiellor.

Duajini ata, të cilëve u jepni mësim. Përpiquni të tregoni dashuri për nxënësit tuaj. Tregoni interes të sinqertë për jetën e tyre, dëgjojini me kujdes pyetjet dhe komentet e tyre, përfshijini në mësim dhe përshëndetini përzemërsisht kur t’i shihni. Shprehni sigurinë tuaj se nxënësit tuaj mund ta mësojnë dhe jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të diskutojnë me një mik ose pjesëtar të familjes se si kanë ndikuar profetët e gjallë në jetën e tyre.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Përse Perëndia thërret profetë?

Për ta filluar orën mësimore, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të ushtrojnë dhënien e përgjigjeve të tyre për situatën vijuese. Ju mund të silleni si shoku që nuk është anëtar. Lejojini disa nxënës të tregojnë se si mund të përgjigjen. Sigurohuni që nxënësit ta dinë se ky skenar do të trajtohet sërish në fund të orës mësimore.

Përfytyro sikur një nga shokët e tu, që nuk është anëtar i Kishës, habitet kur mëson që ti beson se Zoti thërret profetë në kohën tonë. Shoku yt pyet veten se përse janë të nevojshëm profetët për kohën tonë.

  • Cilat janë disa mënyra se si mund t’i përgjigjesh shokut tënd?

Mendo për ndjenjat e tua rreth profetëve të Zotit dhe gatishmërinë tënde për t’i dëgjuar dhe ndjekur ata. Ndërsa studion sot, ti do të kesh mundësi për të përcaktuar të vërteta të rëndësishme rreth profetëve.

Në një faqe bosh në ditarin tënd të studimit, shkruaje titullin vijues: Të vërtetat rreth profetëve të Zotit. Gjatë gjithë mësimit, shkruaji të vërtetat që mëson rreth profetëve poshtë këtij titulli.

Mund ta shkruani gjithashtu këtë titull në tabelë dhe t’i shtoni idetë e nxënësve gjatë gjithë mësimit.

Një pjesë e mirë e përmbajtjes që do të studiohet gjatë kësaj jave (Helamani 7–12) dhe javës së ardhshme (Helamani 13–16) do të përqendrohet te profetët. Merreni parasysh t’i udhëzoni nxënësit të lënë hapësirë të mjaftueshme në ditarët e tyre të studimit në mënyrë që të mund të shtojnë më tej në listat e tyre gjatë dy javëve të ardhshme.

Profeti Nefi

Nefi Lutet në Kullën e Kopshtit të Tij, nga Jerri Thompson

Sot do të mësosh rreth Nefit, birit të Helamanit. Pasi u refuzua nga nefitët në tokën në veri, Nefi u kthye në shtëpinë e tij në Zarahemla. Njerëzit atje ishin gjithashtu shumë të ligj. Duke vajtuar për ligësinë e tyre, Nefi shkoi në kullën e kopshtit të tij dhe i thirri Perëndisë (shih te Helamani 7:1–11).

Lexo te Helamani 7:12–22, duke kërkuar atë që tha Nefi pasi kuptoi se ishin mbledhur njerëz për t’i dëgjuar thirrjet e tij.

  • Cila është një e vërtetë që mund të përcaktosh rreth profetëve të Zotit në bazë të asaj që tha Nefi në këto vargje?

Një e vërtetë që mund të kesh përcaktuar është se profetët e Perëndisë i ftojnë njerëzit të pendohen. Shkruaje këtë të vërtetë në listën në ditarin tënd të studimit.

  • Çfarë mëson prej saj rreth Perëndisë, i cili do të thërrasë profetë që të bëjnë thirrje për pendim?

Shumë njerëz u zemëruan me mesazhin e Nefit. Për t’i ndihmuar njerëzit ta kuptonin se ai po thoshte të vërtetën, Nefi u tregoi në mënyrë të mrekullueshme për ngjarjet që kishin ndodhur ndërkohë që ai po u predikonte atyre.

Merreni parasysh ta ftoni një nxënës të lexojë përmbledhjen vijuese për vargjet te Helamani 8:25–28; 9:1–36. Mund ta ftoni gjithashtu një nxënës t’i lexojë këto vargje përpara orës mësimore dhe të përgatitet që ta përmbledhë këtë histori me fjalët e veta. Përndryshe, mund të shfaqni materialin filmik “The Murder of the Chief Judge” [“Vrasja e Kryegjykatësit”] nga kodi kohor 1:25 deri në 4:01, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

Në fillim Nefi i tha popullit se kryegjykatësin e tyre, Sizoramin, e kishin vrarë (shih te Helamani 8:27–28). Populli ndjeu se “Nefi duhet të jetë marrë vesh me ndonjë njeri, që të vriste gjykatësin” (Helamani 9:16). Më pas Nefi i tha popullit të gjente Seantumin, që ishte vëllai i Sizoramit, dhe t’i bënte atij disa pyetje. Nefi i tha popullit saktësisht se si do të përgjigjej Seantumi (shih te Helamani 9:26–36). Kjo bëri që Seantumi të rrëfente se ai ishte vrasësi dhe se Nefi ishte i pafajshëm (shih te Helamani 9:37).

Lexo te Helamani 9:37–41, duke kërkuar se si reagoi populli pasi i dëshmoi këto ngjarje.

  • Cila është një e vërtetë që mëson nga përvoja e Nefit që mund ta shtosh në listën tënde?

Një e vërtetë që mund të kesh përcaktuar është se fjalët e profetëve do të përmbushen.

  • Si mendon, përse është e rëndësishme ta dish këtë të vërtetë rreth profetëve?

  • Cilët janë disa shembuj të tjerë të fjalëve të profetëve që përmbushen?

Merreni parasysh të tregoni një shembull vetjak që e ilustron atë se si janë përmbushur fjalët e profetëve në jetën tuaj. Për shembull, mbase një bekim i premtuar erdhi nga ndjekja e këshillës së një profeti.

Të vërteta të tjera rreth profetëve

Krahas të vërtetave të përcaktuara tashmë, shumë të vërteta të tjera rreth rolit dhe qëllimit të profetit të Zotit ilustrohen nga Nefi dhe ndërveprimet e tij me popullin. Vazhdo ta ushtrosh aftësinë e përcaktimit të të vërtetave ndërsa i studion fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë. Shtoja gjetjet e tua listës sate.

Merreni parasysh t’i paraqitni referencat vijuese dhe t’ua caktoni nxënësve çdo fragment që ta studiojnë në dyshe ose në grupe të vogla. Nxënësve mund t’u caktohen gjithashtu fragmente të ndryshme të shkrimit të shenjtë për t’i studiuar dhe për t’ia mësuar më pas njëri-tjetrit.

  • Helamani 7:29: Deklarata e Nefit për njerëzit që u mblodhën pasi e dëgjuan të lutej

  • Helamani 8:1–4: Reagimi i gjykatësve ndaj fjalëve të Nefit

  • Helamani 8:22–23: Përgjigjja e Nefit ndaj njerëzve që e përçmuan atë dhe fjalët e tij

  • Helamani 10:5–7: Bashkëbisedimi i Zotit me Nefin pasi përfundoi së dhëni mësim njerëzve

  • Çfarë të vërtetash rreth profetëve gjete në këto vargje?

Shtojini përgjigjet e nxënësve te lista në tabelë. Ata mund të kenë përcaktuar të vërteta të tilla si këto që vijojnë.

Nxënësit do të kenë mundësi për të mësuar më shumë rreth secilës prej këtyre të vërtetave në mësimet pasuese. Dy të vërtetat e renditura të parat do të studiohen më në thellësi te Helamani 13–16. E vërteta e renditur e treta dhe e katërta do të studiohet më në thellësi në mësimet e mëvonshme këtë javë.

Rëndësia e profetëve të gjallë

Paraqitini udhëzimet vijuese dhe jepuni nxënësve kohë të mjaftueshme për të hartuar një përgjigje ndaj skenarit nga fillimi i mësimit.

Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për t’i hartuar përgjigjet e tyre, mund të jetë e dobishme t’u kërkoni atyre të përmendin disa nga sfidat më të zakonshme me të cilat përballen adoleshentët sot. Përgjigjet e tyre mund të renditen në tabelë pranë të vërtetave që kanë përcaktuar rreth profetëve. Nxënësit mund të tregojnë më pas se si disa nga të vërtetat që i kanë përcaktuar sot mund të ndihmojnë me sfidat që u erdhën në mendje.

Kujtoje skenarin nga fillimi i mësimit rreth shokut tënd që pyeste veten përse profetët janë të nevojshëm në kohën tonë.

Shkruaji shokut tënd një përgjigje që shpjegon se përse është e rëndësishme që Zoti i thërret profetët në kohën tonë. Përgjigjja jote duhet të jetë e gjatë të paktën një paragraf.

Pyetjet vijuese mund të të ndihmojnë me përgjigjen tënde:

  • Si mund të na ndihmojnë një ose më shumë nga të vërtetat që përcaktove me sfidat me të cilat përballemi?

  • Cilat përvoja të kanë ndihmuar ta dallosh bekimin e të pasurit të profetëve të gjallë në tokë?

Ftojini nxënësit t’ia tregojnë përgjigjet e tyre një partneri. Të njëjtët vullnetarë që e interpretuan situatën në fillim të orës mësimore, mund të ftohen gjithashtu të vijnë përpara dhomës dhe të bëjnë një tjetër interpretim me role të situatës.

Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar dhe nxitini nxënësit të veprojnë sipas çdo mbrese shpirtërore që kanë pasur gjatë mësimit.