Seminari
3 Nefi 12:17–48: “Unë do të Doja që Ju të Jeni të Përkryer”


“3 Nefi 12:17–48: ‘Unë do të Doja që Ju të Jeni të Përkryer’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“3 Nefi 12:17–48”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

3 Nefi 12:17–48

“Unë do të Doja që Ju të Jeni të Përkryer”

Fotografi e portretit të Jezu Krishtit

Jezu Krishti dha mësim se ne duhet të “je[m]i të përkryer” sikurse Ai dhe Ati ynë Qiellor janë të përkryer (3 Nefi 12:48). Ndërkohë që ky urdhërim mund të duket tronditës, ai ofron depërtime kuptimplota në natyrën e Atit tonë Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ai gjithashtu na mëson se ne mund të bëhemi si Ata. Ky mësim ka si synim të të ndihmojë të kuptosh potencialin tënd për t’u bërë i përkryer si Ati ynë në Qiell dhe Jezu Krishti.

Shprehja e dashurisë dhe e pritshmërive të larta. Kur mësuesit i duan vërtet nxënësit e tyre, ata do të interesohen së tepërmi rreth përparimit dhe suksesit të tyre dhe nuk do të kënaqen vetëm me pak përpjekje. Inkurajojini me dashuri nxënësit tuaj që ta arrijnë potencialin e tyre si nxënës dhe dishepuj të Jezu Krishtit.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të studiojnë paragrafin e parë nën shkrimin për fjalën “Përsosur (i)” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe të vijnë të përgatitur për të treguar atë që iu duk më kuptimplotë rreth këtij përkufizimi dhe arsyen pse.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Shënim: Megjithëse ky mësim trajton disa aspekte të ligjit më të lartë që Jezusi dha mësim te vargjet 17–47, qëllimi kryesor i këtij mësimi është t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë të vërtetat që jepen mësim në fragmentin e zotërimit doktrinor 3 Nefi 12:48. Nëse më e mira për nxënësit tuaj është të shpenzojnë më shumë kohë duke studiuar aspektet e ligjit më të lartë, ndihuni i/e lirë të shpenzoni dy ditë duke studiuar materialin në këtë mësim dhe të zëvendësoni një mësim të ardhshëm.

Ka disa ide në pjesën “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” që mund të jenë të dobishme për të dhënë mësim aspekte të tjera të ligjit më të lartë.

Potenciali yt

Paraqitini figurat vijuese ose të tjera që tregojnë diçka që nuk është zhvilluar ende plotësisht.

farë në tokë, këlysh kaf
foshnjë e lumtur në shportë
  • Çfarë mund të bëhet secili nga këta kur të zhvillohet plotësisht?

  • Çfarë kanë nevojë të bëjnë ata në mënyrë që ta arrijnë potencialin e tyre?

  • Cili është potenciali i çdo fëmije në planin e Atit Qiellor?

  • Si ndikon kuptueshmëria për potencialin tënd hyjnor te vendimet e tua? Si ndikon ajo te mënyra se si ndihesh për veten?

Teksa e studion mësimin e sotëm, mendo rreth faktit se sa shumë je rritur tashmë dhe sa ke mësuar gjatë rrjedhës së jetës sate dhe për atë që je ende i/e aftë të bëhesh me ndihmën e Perëndisë.

Ftesa e Shpëtimtarit që ta arrijmë potencialin tonë

Tek 3 Nefi 12:17–47, Jezusi u dha disa shembuj nga ligji i Moisiut njerëzve në Librin e Mormonit. Ai e pasoi çdo shembull me një shpjegim të një ligji më të lartë ose me një ftesë për të jetuar një nivel më të lartë drejtësie që mund të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë atë që Ai dhe Ati ynë Qiellor duan që të bëhemi.

Në mënyrë që nxënësit të shohin shembuj të ligjit më të lartë që dha mësim Jezusi, mund ta ndani klasën në tre grupe dhe t’i caktoni çdo grupi të lexojë një nga blloqet vijuese të shkrimeve të shenjta: 3 Nefi 12:21–22, 27–29 dhe 38–42, duke kërkuar mënyra se si Shpëtimtari na fton të përparojmë drejt potencialit tonë. Ftojini nxënësit të tregojnë se si Shpëtimtari na fton në këto vargje që të jetojmë një nivel më të lartë drejtësie. Mund t’i ndihmoni nxënësit të mendojnë për shembuj se si t’iu bindemi këtyre ligjeve në kohën tonë.

  • Në çfarë mënyrash mund të na ndihmojnë këto mësime të bëhemi më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?

Lexo tek 3 Nefi 12:48, duke kërkuar potencialin e plotë që Jezu Krishti e di se është brenda secilit prej nesh.

3 Nefi 12:48 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merre parasysh t’i shenjosh fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme që të mund t’i gjesh me lehtësi. Do të kesh mundësi në mësimin e ardhshëm që ta ushtrosh zbatimin e doktrinës që jepet mësim në këtë fragment, për një pyetje ose situatë.

Ky varg na mëson se Jezu Krishti do që ne të bëhemi të përkryer si Ai dhe Ati ynë në Qiell.

Merreni parasysh t’i vini nxënësit të shkruajnë përgjigje për pyetjen e parë më poshtë në shirita letre dhe më pas t’i dorëzojnë shiritat. Mund t’i lexoni disa nga pyetjet ose shqetësimet e tyre në fund të mësimit dhe t’i lini nxënësit të përgjigjen me atë që kanë mësuar.

  • Çfarë pyetjesh ose shqetësimesh mendon se mund të kenë njerëzit për këtë mësim? Përse?

  • Çfarë të jep shpresë ose siguri se bërja si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti është e mundur?

  • Si mund të lidhet kjo e vërtetë me figurat nga fillimi i mësimit?

Dashuria e përkryer e Atit Qiellor dhe e Jezu Krishtit

Bërja të përkryer është të bëhemi si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ligji më i lartë që Jezusi dha mësim në këtë kapitull mund të na ndihmojë ta kuptojmë karakterin dhe cilësitë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ndërsa e kuptojmë më mirë se kush janë Ata, mund të përpiqemi fort të bëhemi si Ata dhe të fitojmë shpresë se Ata do të na ndihmojnë me durim ndërsa përpiqemi të përparojmë.

Lexo tek 3 Nefi 12:43–45 dhe thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar atë që ata na mësojnë rreth dashurisë së Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

“Jam mirënjohës të di se pavarësisht nga papërsosmëritë e mia, të paktën Perëndia është i përkryer – se të paktën Ai është, për shembull, i aftë që t’i dojë armiqtë e Tij, sepse shumë shpesh, për shkak të burrit dhe gruas ‘së natyrsh[me]’ brenda nesh, unë dhe ju nganjëherë jemi ai armik. Sa mirënjohës jam që të paktën Perëndia mund t’i bekojë ata, të cilët e keqtrajtojnë Atë sepse, pa dashur ose pa e pasur qëllim që ta bëjmë këtë gjë, ne të gjithë e keqtrajtojmë Atë nganjëherë.” (Xhefri R. Holland, “Jini, pra, të Përkryer – Përfundimisht”, Liahona, nëntor 2017, f. 41)

  • Pse është ngushëlluese të dimë se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i duan armiqtë e Tyre dhe i bekojnë ata që i keqtrajtojnë Ata?

  • Si munden dashuria, ndihma dhe durimi i Tyre të të japin shpresë që një ditë do të arrish përsosurinë?

Përsosuria është një proces i mundur vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit

Është e natyrshme të pyetim veten a është e mundur të bëhemi të përkryer. Po të na duhej ta arrinim përsosurinë vetëm, ose po të na duhej ta arrinim gjatë jetës në vdekshmëri, do të ishte e pamundur.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 76:69–70 dhe Moroni 10:32–33, duke kërkuar se çfarë na e bën të mundur të bëhemi të përkryer. Merr parasysh t’i bësh referenca–kryq këto fragmente me vargun tek 3 Nefi 12:48.

  • Çfarë ua bën të mundur të gjithë atyre që përfundimisht bëhen të përkryer që të bëhen të tillë?

Nëse nxënësit e kanë të vështirë të përgjigjen për pyetjen e mëparshme, sigurohuni që të shpjegoni se vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit mund të bëhemi të përkryer. Është e pamundur pa Të. Teksa pendohemi çdo ditë dhe kërkojmë vazhdimisht të rritemi shpirtërisht, atëherë ne po bëhemi të përkryer në Krisht.

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 93:11–13 dhe kërko se çfarë i shtojnë ato vargje kuptueshmërisë sonë për përsosurinë e Jezu Krishtit.

  • Pse është e rëndësishme të kuptojmë se edhe përsosja e Jezu Krishtit ishte një proces?

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim sa vijon rreth përkufizimit dhe procesit të përsosurisë:

“Ju lutem, vini re që fjala [i përkryer] nuk nënkupton ‘i çliruar nga gabimi’. …

Ne nuk ka nevojë të zhgënjehemi nëse përpjekjet tona të zellshme drejt përsosjes tani duken kaq të mundimshme [të vështira] dhe të pafundme. Përsosja është duke pritur. Ajo mund të vijë e plotë vetëm pas Ringjalljes dhe vetëm nëpërmjet Zotit. I pret të gjithë ata që e duan Atë dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij.” (Russell M. Nelson, “Perfection Pending”, Ensign, nëntor 1995, f. 86, 88)

  • Çfarë i shton kjo thënie kuptueshmërisë sate për përsosurinë?

Pjesa e fundit e mësimit u jep nxënësve një mundësi për ta shprehur atë që kuptojnë për potencialin tonë për t’u bërë të përkryer si Perëndia.

Një mënyrë për ta bërë këtë është të lexojmë disa nga pyetjet dhe shqetësimet që shkruan nxënësit më herët në mësim. Lejojini nxënësit të tregojnë se si mund të zbatohet ajo që kanë mësuar për çdo pyetje ose shqetësim.

Imagjino sikur të kanë kërkuar të japësh një mendim dy deri në treminutësh në aktivitetin tënd të radhës për rininë. Udhëheqësit të kërkojnë të japësh mendimet e tua mbi arsyen pse mësimi tek 3 Nefi 12:48 duhet të na japë shpresë. Shkruaji mendimet e tua. Përfshi përgjigjet për pyetjet vijuese:

  • Çfarë do të thotë të bëhesh i përkryer? Çfarë do të thotë kjo?

  • Si të jep shpresë ajo që di rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për t’u bërë si Ata?

Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për identitetin e çdo nxënësi si fëmijë i Perëndisë dhe potencialin që kanë ata për t’u bërë si Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti me kalimin e kohës dhe me ndihmën e Tyre.