Seminari
3 Nefi 13–14: Mësimet e Krishtit


“3 Nefi 13–14: Mësimet e Krishtit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“3 Nefi 13–14”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

3 Nefi 13–14

Mësimet e Krishtit

Krishti duke u buzëqeshur njerëzve në kontinentin e lashtë amerikan

Imagjino se si duhet të kishte qenë për njerëzit në tokën e Begatisë që ta dëgjonin Shpëtimtarin e ringjallur t’u jepte mësim. Ne jemi të bekuar që e kemi të shënuar një pjesë të mesazhit të Tij tek 3 Nefi 13–14. Këta kapituj janë të mbushur me parime që janë po aq kuptimplotë sot sa ishin për njerëzit të cilët qenë atje kur Ai ua deklaroi atyre. Qëllimi i këtij mësimi është të të ndihmojë të përcaktosh parime nga mësimet e Shpëtimtarit dhe të shohësh lidhjen me to në jetën tënde sot.

Ndihmojini studentët të përcaktojnë doktrinën dhe parimet. Nxënësit mund të kenë dobi nga të ushtruarit e vazhdueshëm ndërsa mësojnë të përcaktojnë doktrinën dhe parimet e ungjillit. Kërkoni fragmente shkrimesh të shenjta ku mësohen parime të shumta dhe lëruni nxënësve kohë për t’i kërkuar këto të vërteta. Ndihmojini nxënësit t’i shprehin qartë të vërtetat që gjejnë.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të kërkojnë dhe të vijnë të përgatitur në klasë për t’i treguar pohimet shkak–pasojë që gjejnë në studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta. Këto mund të thuhen duke përdorur fjalët nëse dhe atëherë, ose fragmenti mund të përshkruajë thjesht se cilat zgjedhje çojnë në cilat pasoja.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Çfarë këshille do të jepje?

Merreni parasysh të ftoni një nxënës t’ia shpjegojë ose përshkruajë shkurtimisht klasës një aftësi që ka zhvilluar. Ose mund t’i ftoni të gjithë nxënësit të shpenzojnë një minutë për t’i përshkruar një partneri një aftësi që ata kanë.

Mendo për një aftësi që e ke zhvilluar nëpërmjet përvojës. Mund të jetë një sport, veprimtari e kohës së lirë ose një lëndë në shkollë ose një aftësi e tillë si ngarja e makinës, gatimi i një pjate të caktuar ose përkujdesja për një kafshë shtëpiake.

Imagjino sikur pasi ia shpjegove aftësinë tënde dikujt, ai ose ajo shfaq interes për ta provuar atë.

Mendo për një këshillë që mund t’i jepje nga përvoja jote. Mund të jetë një këshillë praktike që përndryshe mund t’i duhej shumë kohë për ta zbuluar, ose mund ta ndihmonte të shmangte një gabim të zakonshëm që bëjnë njerëzit kur mësojnë aftësinë tënde.

Përmblidhe këshillën tënde në një pohim të thjeshtë shkak–pasojë. (Për shembull, nëse aftësia do të ishte vrapimi i gjatë, mund të thoje: “Nëse qëndron i hidratuar, atëherë muskujt e tu do ta marrin veten më shpejt”.)

Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës t’ia tregojnë klasës pohimet e tyre shkak–pasojë.

Ashtu si njohuria dhe këshilla jote mund ta ndihmojnë dikë i cili po e mëson aftësinë tënde që të ketë sukses dhe të shmangë gabime të panevojshme, këshilla e Jezu Krishtit mund të të bekojë dhe të të mbrojë nga gabimet e tua.

Sot do të kesh bekimin që të studiosh tek 3 Nefi 13–14, i cili është një vazhdim i predikimit të pakrahasueshëm të Shpëtimtarit që gjendet edhe te Mateu 5–7. Jezusi vazhdoi ta jepte mësim ligjin më të lartë që na ndihmon të përgatitemi për të jetuar në praninë e Perëndisë (shih te Doktrina e Besëlidhje 88:21–22). Ndërsa e studion këshillën e Tij, kërko mënyrën se si mësimet e Tij kanë lidhje me situatat me të cilat përballesh. Ndalu shpesh për të përsiatur parimet që zbulon dhe shënon se si ndjekja e të vërtetave që dha mësim Ai do të të përgatitin për t’u kthyer në praninë e Tij.

Pohimet shkak–pasojë në shkrimet e shenjta

Një mënyrë e efektshme për t’i studiuar mësimet e Zotit është të kërkojmë marrëdhënie shkak–pasojë. Shumë herë, këto pohime fillojnë me fjalët nëse/në qoftë se. Këto pohime mund të të ndihmojnë të shohësh qartë se cilat zgjedhje çojnë në cilat rezultate. Duke folur për pohimet shkak–pasojë (ose kushtore), Plaku Kevin S. Hamilton, i Të Shtatëdhjetëve, deklaroi:

“Zoti gjithashtu vepron nëpërmjet kushteve: kushti i besimit, kushti i drejtësisë, kushti i pendimit. Ka shumë shembuj të deklaratave të kushtëzuara nga Perëndia të tilla si: …

Në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, [atëherë] ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë’ (Moroni 10:4). …

Po të zbatoni urdhërimet e mia, [atëherë] do të qëndroni në dashurinë time’ (Gjoni 15:10).” (Kevin S. Hamilton, “Atëherë Unë do të Bëj që Gjërat e Dobëta, të Bëhen të Forta”, Liahona, maj 2022, f. 50, kllapat dhe theksimi në origjinal)

Vër re në shembujt e Plakut Hamilton se fjalët në qoftë se dhe po të vijnë përpara veprimeve që kërkohen prej nesh. Rrjedhojat ose rezultatet e veprimeve tona përshkruhen më pas.

Ashtu siç u mësoi Jezu Krishti njerëzve në tokën e Begatisë, disa parime të rëndësishme që Ai dha mësim, u pohuan si marrëdhënie shkak–pasojë që përfshinin fjalët në qoftë se. Për shembull, lexo tek 3 Nefi 13:14–15 dhe merre parasysh t’i shenjosh fjalë në qoftë se në secilin varg.

Vër re se, në shembullin e Plakut Hamilton, ai vendosi fjalën atëherë në çdo pohim për të theksuar rezultatet e zgjedhjeve tona. Nëse do, mund ta shënosh fjalën atëherë në shkrimet e tua të shenjta atje ku mendon se përshtatet në vargjet 14–15.

Ftoni vullnetarë që t’i shkruajnë në tabelë pohimet shkak–pasojë që gjetën në këtë fragment. Kjo mund të fillojë një listë pohimesh të të vërtetave që nxënësit do t’i shtojnë gjatë gjithë mësimit.

Riformulimi i mësimeve të Shpëtimtarit si pohime shkak–pasojë

Disa nga mësimet e Jezusit nuk i përfshijnë fjalët nëse/në qoftë se. Megjithatë, me mendim dhe ndihmë të kujdesshme nga Fryma e Shenjtë, mund t’i dallosh marrëdhëniet shkak–pasojë që i sqarojnë parimet që Ai dha mësim. Lexo të paktën tre nga fragmentet vijuese dhe shkruaj një pohim të thjeshtë shkak–pasojë për secilin fragment që pasqyron këshillën e Shpëtimtarit.

Nëse do, mund ta thoni përsëri atë që Ai dha mësim si një pohim “nëse–atëherë”. Për shembull: Pasi të studiojë tek 3 Nefi 13:1–4, dikush mund të shkruajë: “Nëse shtysa jonë për t’i ndihmuar të varfrit është e ngjashme me të Krishtit, atëherë shpërblimi ynë do të vijë nga Ati Qiellor”. Ne mund të mësojmë nga ky fragment se shtysat tona për veprimet e drejta janë të rëndësishme për Atin tonë Qiellor, të cilit i pëlqen shumë t’i bekojë ata që po bëhen më shumë si Biri i Tij, Jezu Krishti.

Nxënësit mund ta përfundojnë këtë veprimtari në grupe të vogla ku çdo nxënës studion fragmente të ndryshme dhe tregon pohimet që krijoi. Mund t’i paraqitni të gjitha mundësitë vijuese, ose mund t’i kufizoni vetëm tek ato që ndieni se u nevojiten nxënësve më së shumti.

Ftojini disa nxënës të shtojnë pohimet e tyre shkak–pasojë në tabelë dhe merrni parasysh të bëni pyetje si vijueset për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë se si mësimet e Shpëtimtarit kanë lidhje me botën e sotme.

Një mënyrë e ndryshme për t’i ndihmuar ata të shohin lidhjen është t’i ftoni nxënësit të punojnë në grupe të vogla që të mendojnë për situata kur parime specifike në tabelë mund ta ndihmojnë një të ri ose të re në mjedise të caktuara si ato në vijim: 1) në shtëpi, 2) në shkollë ose 3) në jetën e tyre të ardhshme si të rritur. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini grupet t’ia tregojnë idetë e tyre një grupi fqinj.

  • Si mendon, pse Shpëtimtari dëshiron që njerëzit sot ta dinë atë që Ai dha mësim në këta kapituj? Si mendon, cilat nga mësimet e Tij janë më të nevojshmet në kohën tonë?

  • Si mund ta zbatojë një adoleshent një nga parimet shkak–pasojë që krijove nga këta kapituj në shtëpi? në shkollë? në jetën e vet të ardhshme si i/e rritur? Si mund ta ndihmojë kjo atë?

    Mund të tregoni një rast kur ia keni vënë veshin njërit prej parimeve që Shpëtimtari dha mësim në këta kapituj dhe mënyrën se si e bekoi kjo jetën tuaj.

    Më pas, merreni parasysh t’u jepni nxënësve kohë për të përsiatur dhe për të shkruar mendimet e tyre për sa vijon:

  • Cili nga mësimet e Shpëtimtarit në këta kapituj lidhet më së miri me një situatë me të cilën po përballesh në jetën tënde? Si mendon se do të donte Ai që ta përdorje këshillën që dha?