“3 Nefi 12–16: Vështrim i Përgjithshëm”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“3 Nefi 12–16”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
3 Nefi 12–16
Vështrim i Përgjithshëm
Kur po u jepte mësim njerëzve në tokën e Begatisë, Jezusi shpalli shumë nga bekimet që mund të marrim dhe mënyrat se si mund të bëhemi si Ai në një predikim të ngjashëm me Predikimin e Tij në Mal. Më pas Ai i ndihmoi njerëzit ta kuptonin dashurinë e Tij dhe dëshirën e Tij për t’i mbledhur të gjithë fëmijët e Perëndisë.
Përgatituni të Jepni Mësim
Informacioni i mëposhtëm u siguron ide mësuesve mbi atë që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.
3 Nefi 12:1–16
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të përgatiten për të marrë bekimet për të cilat foli Shpëtimtari ndërsa ata përpiqen fort ta ndjekin këshillën e Tij.
-
Përgatitja e nxënësve: Për të ndihmuar që zemra e nxënësve të përgatitet për ta studiuar predikimin e Shpëtimtarit tek 3 Nefi, i cili është shumë i ngjashëm me Predikimin e Tij në Mal, merreni parasysh t’i ftoni ata ta përsiatin këtë thënie nga Presidenti Jozef Filding Smith (1876–1972). Ai tha se Predikimi në Mal është predikimi “më [i] shkëlqyer që u predikua ndonjëherë, për aq sa ne dimë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Filding Smith [2013], f. 239).
-
Përmbajtje për t’u paraqitur: Një vizatim i thjeshtë i një kapaku të një reviste imagjinare me një titull si Revista e Suksesit të Botës; një vizatim i thjeshtë i kapakut të revistës Liahona
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Nëse nxënësit i studiojnë bisedat e konferencave nga udhëheqësit e Kishës, mund t’u lejoni atyre t’i shpërndajnë ekranet për të vënë në dukje pjesë specifike të bisedave që qenë kuptimplota për ta.
3 Nefi 12:17–48
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka si synim t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë potencialin e tyre për t’u bërë të përkryer si Ati ynë në Qiell dhe Jezu Krishti.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të studiojnë paragrafin e parë nën shkrimin për fjalën “Përsosur (i)” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe të vijnë të përgatitur për të treguar atë që iu duk më kuptimplotë rreth këtij përkufizimi dhe arsyen pse.
-
Figura për t’u paraqitur: Figura të një fare, të një këlyshi qeni dhe të një foshnjëje
-
Materiale për nxënësit: Shirita të vegjël letre që nxënësit të mund të shkruajnë
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Për ta filluar mësimin, krahas shfaqjes së figurave të farës, këlyshit të qenit dhe foshnjës, mund të shfaqni figura të një peme të rritur plotësisht, një qeni të rritur plotësisht dhe Jezusit ose Atit Qiellor. Pasi t’i shfaqni tri figurat e para, mund t’i ndihmoni nxënësit të përfytyrojnë potencialin e tyre duke shfaqur figurat e tjera.
Zotërimi Doktrinor: 3 Nefi 12:48
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te 3 Nefi 12:48, ta shpjegojnë doktrinën që jepet mësim në këtë fragment dhe t’i zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mësojnë përmendsh vargun 3 Nefi 12:48 përpara se të vijnë në orën mësimore. Mund t’i ftoni ata të ushtrohen për t’ua thënë përmendsh shkrimin e shenjtë anëtarëve të tjerë të klasës gjatë kohës përpara fillimit të orës mësimore, qoftë nga afër, nëpërmjet dërgimit të mesazheve ose në ndonjë mënyrë tjetër.
-
Materialet për nxënësit: Gjysmë fleta letre
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Për pjesën e mësimit “Shpjego dhe mëso përmendsh”, mund të përgatitni një dokument me frazat e shkrimeve të shenjta të shkruara në cepa të ndryshëm siç përshkruhet në mësim. Më pas mund të shpërndani ekranin tuaj dhe t’i vini nxënësit t’i prekin frazat sipas rendit. Fshijeni një frazë çdo herë dhe ftojini nxënësit ta përsëritin procesin e prekjes së ekranit dhe të të thënit të fjalëve deri sa dokumenti të jetë bosh. Mund edhe të përgatitni disa dokumente me fraza nga shkrimet e shenjta të shkruara në cepa të ndryshëm dhe të paraqitni një dokument pas tjetrit, t’u jepni nxënësve një mundësi për të gjetur rendin e fjalëve dhe për të përsëritur frazën kyç.
3 Nefi 13–14
Qëllimi i mësimit: Qëllimi i këtij mësimi është t’i ndihmojë nxënësit të përcaktojnë parime nga mësimet e Shpëtimtarit dhe të shohin lidhjen me to në jetën e tyre sot.
-
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të kërkojnë dhe të vijnë të përgatitur në klasë për t’i treguar pohimet shkak–pasojë që gjejnë në studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta. Këto mund të thuhen duke përdorur fjalët nëse dhe atëherë, ose fragmenti mund të përshkruajë thjesht se cilat zgjedhje çojnë në cilat pasoja.
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për t’i përdorur mësimet e Shpëtimtarit për të krijuar pohime shkak–pasojë, ftojini ata t’i publikojnë thëniet e tyre në hapësirën e bashkëbisedimit. Kjo do t’u lejojë nxënësve t’i shohin të gjitha pohimet ndërsa diskutojnë se si mësimet e Shpëtimtarit janë ende aktuale sot.
3 Nefi 15–16
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka si synim t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë dëshirën e Shpëtimtarit për t’i mbledhur ata dhe gjithkënd tek Ai.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin se si do t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje: “Çfarë prove keni parë që Shpëtimtari do që ta mbledhë gjithkënd tek Vetja?”
-
Figurat: Dy figura të Krishtit (një e Tij si bari); një figurë e një tufe delesh
-
Përmbajtje për t’u paraqitur: Fragmentet te Gjoni 10 dhe 3 Nefi 15, 16 me pyetjet shoqëruese
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Në fillim të mësimit, merreni parasysh t’u jepni nxënësve disa minuta për të gjetur figurën e tyre të parapëlqyer të Shpëtimtarit si bari. Lejojini nxënësit t’i shpërndajnë ekranet e tyre ndërsa shpjegojnë se çfarë iu pëlqen te figura që zgjodhën dhe atë që ajo u mëson rreth Krishtit.