Seminari
3 Nefi 11:18–41: Jezu Krishti Shpall Doktrinën e Tij


“3 Nefi 11:18–41: Jezu Krishti Shpall Doktrinën e Tij”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“3 Nefi 11:18–41”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

3 Nefi 11:18–41

Jezu Krishti Shpall Doktrinën e Tij

Krishti duke dhënë mësim në kontinentin amerikan

A ke menduar ndonjëherë për të vërtetat që u tregojnë misionarëve atyre që po u japin mësim? Një nga mesazhet e tyre më të rëndësishme lidhet me atë që duhet të bëjmë për të marrë bekimet e jetës së përjetshme. Ky mesazh nganjëherë quhet doktrina e Krishtit (shih te 2 Nefi 31:21). Shpëtimtari ua mësoi këtë doktrinë nefitëve pak pasi iu shfaq atyre në tempull. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh më mirë dhe ta shpjegosh doktrinën e Jezu Krishtit.

Inkurajimi i nxënësve që të përgatiten për të mësuar. Kur nxënësit përgatiten për të mësuar, ata e përgatitin zemrën e tyre për ta pranuar Frymën e Shenjtë. Nxënësit mund të përgatiten për orën mësimore duke lexuar një bllok shkrimesh të shenjta, duke përsiatur një pyetje ose duke menduar për një përvojë që ta tregojnë. Ftojeni përgatitjen e nxënësve dhe më pas krijoni mundësi që nxënësit të shohin se si ndikon përgatitja e tyre tek të mësuarit.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mësojnë rreth doktrinës së Krishtit përpara orës mësimore. Ata mund të studiojnë mësimet e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 11:31–41 ose të kërkojnë fjalët “doktrina e Krishtit” në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose në ChurchofJesusChrist.org.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Veprimtaritë e studimit në këtë mësim përqendrohen kryesisht në doktrinën që Jezu Krishti dha mësim tek 3 Nefi 11:31–41. Nëse është nevoja, përdoreni pjesën “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë mësimet e tjera të Shpëtimtarit tek 3 Nefi 11 rreth grindjes dhe gjithashtu mënyrës së duhur për ta pagëzuar dikë.

Të bëhesh një ndjekës/e i/e Jezu Krishtit

Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës ta interpretojnë me role skenarin vijues përpara klasës. Për t’iu dhënë më shumë nxënësve mundësi për të folur, merreni parasysh t’i ndani ata në grupe të vogla dhe t’i ftoni ata të ndërrohen për të dhënë përgjigjet e tyre.

Imagjino sikur ke një shok që po interesohet për Kishën. Shoku yt të thotë se ka një ndjesi të mirë rreth asaj që ka mësuar dhe përjetuar deri më tani. Ai do të dijë se ç’duhet të bëjë në vijim për ta ndjekur Shpëtimtarin më plotësisht.

  • Çfarë do ta ftoje shokun tënd të bënte? Përse?

“Kjo është doktrina ime”

Pak pasi Shpëtimtari i ringjallur iu shfaq nefitëve në tokën e Begatisë, Ai u mësoi atyre doktrinën e Tij. Kjo doktrinë, së cilës nganjëherë i referohemi si “doktrina e Krishtit” (2 Nefi 31:21), na ndihmon të kuptojmë se si mund ta ndjekim Jezu Krishtin dhe të marrim bekimet e jetës së përjetshme. Sot do të kesh mundësi për ta kuptuar më mirë doktrinën e Krishtit dhe për ta shpjeguar atë me fjalët e tua.

Informojini nxënësit se ata do ta kenë mundësinë të përgatitin dhe japin një mësim rreth doktrinës së Krishtit para një grupi të vogël shokësh dhe shoqesh të klasës. Paraqitini udhëzimet vijuese që nxënësit të mund t’u referohen ndërsa përgatitin mësimet e tyre.

  1. Studioji mësimet e Shpëtimtarit rreth doktrinës së Tij tek 3 Nefi 11:31–41.

  2. Nëse dëshiron, studio mësime të tjera rreth doktrinës ose ungjillit të Jezu Krishtit, të tilla si 2 Nefi 31:17–21 ose 3 Nefi 27:19–22. Mund të kërkoni edhe fjalët “doktrina e Krishtit” në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose në ChurchofJesusChrist.org.

  3. Përgatit një mësim tre deri në pesë minuta rreth doktrinës së Krishtit. Përdore modelin e dhënë më poshtë që të të ndihmojë të përgatitësh përvijimin tënd. Mund të imagjinosh sikur je një misionar që po e përgatit këtë mësim për dikë të cilit je duke i dhënë mësim. Ose mund të mendosh rreth dikujt që e njeh dhe përgatitu sikur do t’ia jepje mësimin atij ose asaj.

ikona e fletushkës Shpërndajuni nxënësve kopje të fletushkës së modelit të mësimit. Jepuni atyre kohë të mjaftueshme për t’i përgatitur mësimet e tyre.

Sigurohuni që t’u ofroni alternativa nxënësve që mund të ndihen tepër në ankth për të dhënë mësim me zë të lartë. Mundësitë përfshijnë dorëzimin e një përvijimi të mësimit ose të punuarit me një partner që ka më shumë rehati ose përvojë në mësimdhënie. Mund t’i ndihmojë nxënësit nëse ju u jepni shkurtimisht modelin për mënyrën se si ta përgatitin një mësim të shkurtër.

Plani Mësimor për Doktrinën e Krishtit

Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024) – “3 Nefi 11:18–41: Jezu Krishti Shpall Doktrinën e Tij”

  1. Nga ajo që ke mësuar dhe studiuar, shkruaj një përmbledhje të doktrinës së Krishtit.

  2. Rendit dy ose tri pyetje që mund të bësh për t’i ndihmuar ata të cilëve u jep mësim që ta kuptojnë dhe të mendojnë më thellë rreth doktrinës së Krishtit.

  3. Përshkruaj përse është e rëndësishme që t’i ndjekim këto mësime rreth Shpëtimtarit. Nëse është e mundur, përfshi përvoja që ke pasur që dëftojnë se si këto mësime e kanë bekuar jetën tënde.

  4. Rendit një ose dy ftesa që mund të bësh për t’i ndihmuar ata të cilëve u jep mësim ta zbatojnë atë që kanë mësuar rreth doktrinës së Krishtit.

  5. (Fakultative) Mendo për një send ose veprimtari për t’i ndihmuar ata të cilëve u jep mësim që ta kuptojnë më mirë doktrinën e Krishtit.

Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, jepuni atyre mundësi për t’ua dhënë mësimin e tyre partnerëve ose grupeve të vogla. Bëni kujdes të mos i detyroni nxënësit që janë tepër në ankth që ta japin mësimin e tyre me zë të lartë. Mund t’i ftoni disa nxënës të gatshëm t’i japin mësim gjithë klasës.

Kur nxënësit të kenë mbaruar së dhëni mësim, mund të ketë kohë për të diskutuar se çfarë mësuan. Merreni parasysh ta shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë, duhet të ndjekim doktrinën e Shpëtimtarit duke pasur besim tek Ai, duke u penduar, duke u pagëzuar, duke marrë Frymën e Shenjtë dhe duke duruar deri në fund.

Mund të përdorni pyetje si vijueset gjatë diskutimit tuaj:

  • Si mendoni, pse kjo doktrinë qe mes gjërave të para që u dha mësim Shpëtimtari nefitëve?

  • Pse ndieni se këto parime dhe ordinanca janë të domosdoshme për të trashëguar mbretërinë e Perëndisë?

  • Çfarë mund të bëni për t’i bërë këto parime dhe ordinanca një pjesë më të rëndësishme të jetës suaj?

Vlerësimi i vetes

Nëse ka kohë pasi nxënësit të japin mësimet e tyre, ata mund të përsiatin mënyra për ta zbatuar doktrinën e Krishtit në jetën e tyre çdo ditë. Merreni parasysh t’u tregoni vlerësimin vijues dhe t’u jepni nxënësve kohë për ta vlerësuar në heshtje veten:

Ndërsa e përmbyll mësimin, shpenzo ca kohë për të përsiatur se si mund ta zbatosh doktrinën e Krishtit në jetën tënde çdo ditë. Vlerësimi vijues i vetes mund të të ndihmojë të përcaktosh mënyra se si po e jeton aktualisht doktrinën e Shpëtimtarit, si dhe mënyrat se si mund të përmirësohesh.

Përgjigju për secilin nga pohimet vijuese me njërën nga këto përgjigje: “rregullisht”, “nganjëherë” ose “rrallëherë”.

  1. Unë ushtroj besim te Jezu Krishti duke u përpjekur fort që t’i zbatoj urdhërimet dhe të mirëbesoj se Ai mund të më ndihmojë t’i kapërcej sfidat e mia.

  2. Unë pendohem çdo ditë për gabimet e mia dhe kërkoj fuqinë e Shpëtimtarit për të më ndihmuar të bëhem më shumë si Ai.

  3. Përpiqem fort t’i mbaj besëlidhjet e mia të pagëzimit dhe ta përtërij çdo javë atë përpjekje duke marrë sakramentin denjësisht.

  4. Unë e ftoj Frymën e Shenjtë në jetën time nëpërmjet lutjes së rregullt ndaj Atit Qiellor dhe studimit dhe kërkimit për të vepruar sipas nxitjeve shpirtërore.

Inkurajojini nxënësit të përcaktojnë një aspekt të doktrinës së Shpëtimtarit që mund ta bëjnë më plotësisht pjesë të jetës së tyre dhe më pas të bëjnë një plan për ta bërë këtë. Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar. Inkurajojini nxënësit të gjejnë mundësi për t’ua treguar këto mësime të tjerëve.