“3 Nefi 8–10: Zëri i Shpëtimtarit në Errësirë”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“3 Nefi 8–10”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
3 Nefi 8–10
Zëri i Shpëtimtarit në Errësirë
Në kontinentin amerikan, kryqëzimi i Shpëtimtarit u shenjua nga shkatërrimi i skajshëm dhe errësira. Në një çast gjatë tri ditëve të errësirës përshkuese, Jezu Krishti i foli popullit. Atëherë dhe tani, katastrofat natyrore, vuajtja dhe sprovat mund të jenë mundësi për të mësuar rreth Jezu Krishtit dhe për t’iu drejtuar Atij. Ky mësim do të përcaktojë karakteristikat e Jezu Krishtit që mund të të ndihmojnë të ndiesh dashuri më të madhe për Të dhe mirëbesim më të madh tek Ai.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
“Një stuhi e madhe”
Kur Jezu Krishti u kryqëzua në Jerusalem, një stuhi dhe tërmet i tmerrshëm në kontinentin amerikan shkaktuan shkatërrim të madh. Këto ngjarje përmbushën profecitë e Samuel lamanitit rreth shenjave të vdekjes së Shpëtimtarit (shih te Helamani 14:20–27).
Për të mësuar rreth hollësive të këtyre ngjarjeve shkatërrimtare, lexo tek 3 Nefi 8:5–22. Mund të shikosh gjithashtu materialin filmik “Jezu Krishti Shfaqet në Kontinentin e Lashtë Amerikan” nga kodi kohor 0:00–3:19. Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Çfarë mund të kishe menduar ose ndier po t’i kishe përjetuar këto gjëra?
Në vitet që i paraprinë këtij shkatërrimi, shumica e nefitëve qenë larguar nga Zoti dhe i kishin dëbuar profetët që Perëndia kishte dërguar për t’iu predikuar (shih tek 3 Nefi 7:7–8, 14, 21).
Lexo tek 3 Nefi 8:23–25, duke kërkuar se si reaguan të mbijetuarit pasi përjetuan këto ngjarje shkatërrimtare.
-
Si do t’i përshkruaje ndjenjat e tyre?
Të Vërteta rreth Jezu Krishtit
Teksa njerëzit vajtonin në errësirë, ata dëgjuan zërin e Jezu Krishtit që po u fliste. Ai përmendi emrat e shumë qyteteve dhe shpjegoi se ato qytete dhe njerëz qenë shkatërruar për shkak të ligësisë së tyre. Ai më pas u mësoi njerëzve shumë të vërteta të rëndësishme rreth Vetvetes.
Për të të ndihmuar t’i organizosh këto të vërteta, krijo një kre në ditarin tënd të studimit me titull: Të Mësuarit rreth Jezu Krishtit tek 3 Nefi. Nëse do, mund të lësh shumë faqe në ditarin tënd të studimit që të mund të shtosh të vërteta në këtë listë gjatë studimit tënd për shërbesën e Shpëtimtarit mes nefitëve gjatë disa javëve të ardhshme.
Lexo tek 3 Nefi 9:13–22 dhe 10:4–12, duke kërkuar atë që u mësoi Jezu Krishti këtyre njerëzve rreth Vetes. Shkruaji këto të vërteta nën kreun në ditarin tënd të studimit.
-
Çfarë dha mësim Shpëtimtari rreth Vetes që ishte veçanërisht domethënëse për ty? Përse?
-
Si mund të ndikojnë të vërtetat që ke mësuar rreth Jezu Krishtit te dashuria jote për Të dhe te mirëbesimi yt tek Ai?
-
Në çfarë situatash ke qenë ose mund të jesh, ku të kujtuarit e një ose më shumë prej këtyre të vërtetave do të ishte ose do të jetë e rëndësishme?