“12 Shtator. Si Mund ta Përballojmë Fatkeqësinë me Besim? Doktrina e Besëlidhje 98–101”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021 (2020)
“12 Shtator. Si Mund ta Përballojmë Fatkeqësinë me Besim?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021
12 Shtator
Si Mund ta Përballojmë Fatkeqësinë me Besim?
Këshillohuni së Bashku
Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; përafërsisht 10–20 minuta
Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone ose Temën e Të Rejave. Më pas udhëhiqni një diskutim rreth çështjeve të tilla si ato që vijojnë dhe planifikoni mënyra për të vepruar sipas asaj që diskutoni (ju mund të vendosni në një mbledhje të presidencës se për cilat çështje të diskutoni):
-
Kuorumi ose klasa jonë. Kush ka nevojë për ndihmën dhe lutjet tona? Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar? Kë duhet të ftojmë në një aktivitet të ardhshëm?
-
Detyrat ose përgjegjësitë tona. Çfarë detyrash kemi përmbushur? Çfarë detyrash nevojitet të caktojmë? Si i kemi ftuar të tjerët të vijnë te Krishti dhe si mund të ftojmë të tjerë tani?
-
Jeta jonë. Çfarë përvojash të kohëve të fundit i kanë forcuar dëshmitë tona? Çfarë po ndodh në jetën tonë dhe si mund ta përkrahim njëri‑tjetrin?
Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:
-
Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.
-
Kujtojini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës rreth planeve dhe ftesave të bëra gjatë mbledhjes.
Jepeni Mësim Doktrinën
Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta
Përgatituni Shpirtërisht
Fjalët e Perëndisë te Doktrina e Besëlidhje 98 dhe 101 iu ofruan ngushëllim shenjtorëve, të cilët po përballeshin me sprova të rënda në Misuri në vitet 1830. Ndërkohë që sprovat tona mund të jenë të ndryshme nga ato të anëtarëve të hershëm të Kishës, të gjithë ne përballemi me fatkeqësi gjatë vdekshmërisë dhe reagimi me besnikëri ndaj fatkeqësive mund të na ndihmojë të rritemi shpirtërisht dhe të bëhemi më shumë si Jezu Krishti.
Në ç’mënyrë kthimi te Zoti gjatë kohëve të fatkeqësive ju forcoi dhe e përmirësoi marrëdhënien tuaj me Jezu Krishtin? Çfarë sfidash dhe sprovash po përjetojnë anëtarët e kuorumit ose anëtarët e klasës suaj dhe si mund t’i ndihmoni që të gjejnë forcë te Shpëtimtari? Për t’ju ndihmuar që të përgatiteni për të dhënë mësim rreth fatkeqësisë, ju mund të shqyrtoni mesazhin e Plakut Nil L. Andersen “Të Plagosur” (Liahona, nëntor 2018, f. 83–86) dhe “Fatkeqësi” tek Të Vërtetë ndaj Besimit ([2005], f. 50–53).
Mësoni së Bashku
Secili prej anëtarëve të kuorumit ose secila prej anëtareve të klasës suaj po has vështirësi me sfidat e veta. Çfarë ngushëllimi mendoni se mund të gjejnë ata te Doktrina e Besëlidhje 98:1–3? Ju mund të përdorni një ose më shumë nga veprimtaritë më poshtë për t’i ndihmuar të kuptojnë se si ta durojnë fatkeqësinë me besim te Zoti.
-
Shkrimet e shenjta përmbajnë shumë shembuj të njerëzve që i duruan me besnikëri sprovat. Anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës mund të mësojnë se si ta durojnë me besnikëri fatkeqësinë duke studiuar disa nga këta shembuj (shih disa shembuj te pjesa “Burime Mbështetëse”). Secili prej tyre mund të zgjedhë një nga fragmentet e shkrimit të shenjtë dhe ta përmbledhë përvojën e atij personi për kuorumin ose klasën. Çfarë idesh marrim lidhur me arsyen pse kemi fatkeqësi? Çfarë mësojmë rreth mënyrës se si ta durojmë me besnikëri fatkeqësinë? Ftojeni secilin anëtar të kuorumit ose secilën anëtare të klasës që të shkruajë një sprovë me të cilën po përballen ata apo njerëzit e tyre të dashur dhe të përsiatin se si mund të mbështeten te fuqia e Shpëtimtarit që t’i ndihmojë gjatë këtyre sprovave.
-
Për të mësuar rreth disa prej shkaqeve të fatkeqësisë dhe çfarë mund të mësojmë nga sprovat tona, ju mund të lexoni së bashku dy paragrafët e parë nën pjesën “Fatkeqësi” tek Të Vërtetë ndaj Besimit (faqe 50). Kërkojuni anëtarëve të kuorumit ose anëtareve të klasës të tregojnë atë që mësuan. Më pas secili person mund të rishikojë një nga tre pjesët e mbetura te “Fatkeqësia” dhe të përgatitet për t’i mësuar pjesës tjetër atë që mëson, përfshirë mënyrën se si mund të na ndihmojë Shpëtimtari gjatë kohëve të sprovës. Nxitini që të tregojnë një përvojë vetjake lidhur me ato që lexuan nëse ndihen mirë për ta bërë këtë.
-
Një mënyrë për të nxitur një diskutim rreth fatkeqësisë është të hiqni një vijë vertikale në mes të tabelës dhe të shkruani Pse kemi fatkeqësi? në njërën anë dhe Si mund të përballemi me besnikëri me fatkeqësinë? në anën tjetër. Çdo anëtar i kuorumit ose anëtare e klasës suaj mund të lexojë një prej pjesëve nga mesazhi i Plakut Nil L. Andersen “Të Plagosur”, duke kërkuar përgjigje për pyetjet në tabelë. Çfarë mësojmë rreth Shpëtimtarit nga mesazhi i Plakut Andersen?
-
Plaku Stenli G. Ellis përdori shembuj të zogthave dhe fluturave për të na dhënë mësim rreth fatkeqësisë në mesazhin e tij “A i Mirëbesojmë Atij? Vështirësia Është e Mirë” (Liahona, nëntor 2017, f. 112–114). Ju mund të tregoni figurën e një zogthi që del nga veza, ose të një fluture që del nga fshikëza, dhe të diskutoni se çfarë dha mësim Plaku Ellis. Më pas, ata të cilëve u jepni mësim, mund të punojnë së bashku në dyshe për të shqyrtuar bisedën e Plakut Ellis. Çdo dyshe mund të renditë gjithçka që mund të gjejë, të cilat ai i dha mësim, rreth arsyes se pse kemi vështirësi dhe si duhet t’i përgjigjemi asaj. Si na ka ndihmuar të duruarit me besnikëri gjatë kohëve të fatkeqësisë për të ardhur më pranë Shpëtimtarit?
Veproni me Besim
Nxitini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës që të përsiatin dhe të mbajnë shënim atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Si lidhet mësimi i sotëm me synimet vetjake që kanë vendosur? Nëse do të duan, anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës mund të shprehin idetë e tyre.
Burime Mbështetëse
-
1 Samuelit 1; 1 Mbretërve 17; Lluka 23:33–34; 1 Nefi 5:1–9; Mosia 24:8–17; 3 Nefi 1:4–21; Moroni 1; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ruth” dhe “Ester”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org (Shembuj të njerëzve që u përballën me fatkeqësi)
-
Gjoni 14:18; Romakëve 8:28, 35–39; Alma 36:3 (Shpëtimtari mund të na ndihmojë gjatë fatkeqësisë)
-
“God Will Lift Us Up” [“Perëndia do të na Lartësojë”], “The Will of God” [“Vullneti i Perëndisë”], materiale filmike, ChurchofJesusChrist.org