“13 Shkurt. Si Mund të Qëndrojmë të Vërtetë ndaj Shpëtimtarit në një Botë të Ligë? Zanafilla 12–17; Abraham 1–2”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022 (2021)
“13 Shkurt. Si Mund të Qëndrojmë të Vërtetë ndaj Shpëtimtarit në një Botë të Ligë?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022
13 Shkurt
Si Mund të Qëndrojmë të Vërtetë ndaj Shpëtimtarit në një Botë të Ligë?
Këshillohuni së Bashku
Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; 10–20 minuta
Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj udhëhiqni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet më poshtë ose vetë pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2, ChurchofJesusChrist.org). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.
-
Jetojeni ungjillin. Si i jemi afruar më shumë Shpëtimtarit? Si po përpiqemi të jemi më shumë si Ai?
-
Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Kush ka qenë në mendjen tonë kohët e fundit? Si mund t’i ndihmojmë këta individë?
-
Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Si mund t’u përgjigjemi pyetjeve të miqve tanë rreth Kishës në një mënyrë që e forcon besimin e tyre te Shpëtimtari?
-
Bashkojini familjet për përjetësinë. Cilat janë disa mënyra se si mund të lidhemi më mirë me pjesëtarë të rrethit familjar, të tillë si gjyshër dhe kushërinj?
Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:
-
Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.
-
Kujtojuni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.
Jepeni Mësim Doktrinën
Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; 25–35 minuta
Përgatituni Shpirtërisht
Të jetuarit me drejtësi në një botë të ligë nuk ka qenë asnjëherë e lehtë. Për Abrahamin, presioni për t’u larguar nga Perëndia nuk erdhi vetëm nga bota e jashtme – edhe babai i Abrahamit e kishte braktisur Zotin (shih Abraham 1:5–12; 2:5). Abrahami dhe Sara u përballën me vështirësi, prapëseprapë iu mirëbesuan premtimeve të Zotit “dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe” (Hebrenjve 11:13).
Si mund t’i ndihmoni anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të qëndrojnë besnikë kur ndihen si “të huaj dhe shtegtarë” në botë ngaqë jetojnë standardet e Zotit? Si mund t’i frymëzoni ata të jenë të guximshëm ndërsa jetojnë të vërtetë ndaj Zotit? Ndërsa përgatiteni të jepni mësim, merrni parasysh të shqyrtoni vargjet te Gjoni 15:18–20 dhe mesazhin e Plakut Nil L. Andersen “Mundja e Botës” (Liahona, maj 2017, f. 58–62).
Mësoni së Bashku
Anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit tuaj mund të jenë frymëzuar nga shembulli i Abrahamit këtë javë ndërsa studiuan kapitujt Zanafilla 12–17 dhe Abraham 1–2. Ju mund t’i ftoni ata të shqyrtojnë vargjet Abraham 1:1–19 dhe të tregojnë se çfarë i frymëzon ata nga shembulli i Abrahamit. Çfarë ngjashmërish shohim midis sfidave me të cilat u përball Abrahami dhe sfidave me të cilat përballemi sot? Përzgjidhni një ose më shumë nga veprimtaritë më poshtë për të nxitur diskutimin rreth asaj se si ne mund t’i qëndrojmë besnikë Jezu Krishtit në të gjitha rrethanat.
-
Zoti dhe profetët e Tij shpesh i kanë nxitur ata të cilëve u dhanë mësim, të jetojnë me besnikëri pavarësisht nga ligësia përreth tyre. Cilat janë disa mënyra se si Satani i tundon të rinjtë dhe të rejat që t’i shkelin urdhërimet e Perëndisë në kohën tonë? Ata të cilëve u jepni mësim, mund të lexojnë disa nga shkrimet e shenjta që renditen te pjesa “Burime Mbështetëse”. Ftojini ata të diskutojnë se çfarë mësojnë rreth të qëndruarit të vërtetë ndaj Krishtit kur bota na tundon të bëjmë të kundërtën ose na përqesh. Ata mund të tregojnë mënyra se si kanë zbuluar të jetojnë me besnikëri kur të tjerët nuk e bëjnë këtë gjë. Kur kemi qenë ne ose të tjerë që njohim, në gjendje që ta bëjmë këtë? Ju gjithashtu mund të shfaqni një ose më shumë nga materialet filmike te pjesa “Burime Mbështetëse”.
-
Për ta ndihmuar klasën ose kuorumin tuaj të kuptojë se si ta mundin botën dhe të marrin bekimet që vijnë duke e bërë këtë, shkruani në tabelë Mundja e botës është … dhe Mundja e botës çon në … Më pas mund t’u kërkoni të rinjve dhe të rejave të shqyrtojnë mesazhin e Plakut Nil L. Andersen “Mundja e Botës”. Ftojini ata të gjejnë mënyra për t’i plotësuar këto fjali, duke e shkruar në tabelë atë që mësojnë. Diskutoni për atë që gjeni. Ftojeni një person paraprakisht që të vijë i përgatitur për të thënë një histori që tregon se si Jezu Krishti qëndroi i vërtetë ndaj Atit të Tij pavarësisht nga kundërshtimi (shih, për shembull, Mateu 4:1–11; Lluka 22:39–44). Çfarë na ndihmon shembulli i Shpëtimtarit që të kuptojmë rreth mundjes së botës? (Shih Gjoni 16:33.)
-
Dishepujt e Jezu Krishtit duhet të jenë “në botë por jo të botës”. Të jesh “në botë” mund të nënkuptojë se ne përballemi me kundërshtim kur i jetojmë standardet tona por gjithashtu nënkupton se ne mund të ndikojmë tek të tjerët për mirë. Për ta dhënë mësim këtë parim, ju mund t’i kërkoni dikujt të vijë në klasë i përgatitur që të tregojë një ose më shumë nga historitë në mesazhin e Presidentes Boni H. Kordën “Që Ata të Shohin” (Liahona, maj 2020, f. 78–80). Çfarë mësojmë nga këto histori rreth përdorimit të dritës sonë për t’i ndihmuar të tjetër që t’i afrohen më shumë Jezu Krishtit? Ftojeni klasën ose kuorumin të kërkojë në mesazhin e Presidentes Kordën fjali që i frymëzojnë të jenë një dritë për të tjerët në një botë të ligë. Ftojini ata t’i lexojnë fjalitë e tyre me zë të lartë dhe të tregojnë se çfarë ndihen të frymëzuar të bëjnë.
Veproni me Besim
Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse do të duan, mund t’i shprehin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë mbi mënyrën se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, nëse ata veprojnë sipas mbresave të veta.
Burime Mbështetëse
-
Mateu 5:14–16; 1 Nefi 15:23–25; Helamani 5:12; Doktrina e Besëlidhje 10:5; 27:15–18; 87:8 (Si të qëndroni të vërtetë ndaj Jezu Krishtit në një botë të ligë)
-
“Stand Ye in Holy Places—Bloom Where You’re Planted” [“Qëndroni në Vende të Shenjta – Lulëzoni Aty ku Jeni Mbjellë”], “195 Dresses” [“195 Fustane”], “Guided Safely Home” [“Të Udhëhequr në Mënyrë të Sigurt Drejt Shtëpisë”] (materiale filmike), ChurchofJesusChrist.org