“14–20 Prill: ‘Unë Jam Ai që Jeton, Unë Jam Ai që u Vra’: Pashka”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Pashka”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
14–20 Prill: “Unë Jam Ai që Jeton, Unë Jam Ai që u Vra”
Pashka
Data 3 prill 1836 ishte e diela e Pashkës. Pasi ndihmuan të administrohej sakramenti për shenjtorët në Tempullin e sapopërkushtuar të Kirtlandit, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri gjetën një vend të qetë prapa një veli dhe ulën kokat në lutje të heshtur. Atëherë, në këtë ditë të shenjtë kur të krishterët kudo po kremtonin Ringjalljen e Jezu Krishtit, Vetë Shpëtimtari i ringjallur u shfaq në tempullin e Tij, duke shpallur: “Unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra” (Doktrina e Besëlidhje 110:4).
Çfarë kuptimi ka të thuash që Jezu Krishti është “ai që jeton”? Nuk do të thotë thjesht që Ai u ngrit nga varri dhe iu shfaq dishepujve të Tij në Galile. Do të thotë që Ai jeton sot. Ai flet nëpërmjet profetëve sot. Ai e udhëheq Kishën e Tij sot. Ai shëron shpirtrat e lënduar dhe zemrat e thyera sot. Prandaj ne mund t’i përsëritim fjalët e dëshmisë së fuqishme të Jozef Smithit: “Pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia … që ne japim për të: Se ai jeton!” (Doktrina e Besëlidhje 76:22.) Ne mund ta dëgjojmë zërin e Tij në këto zbulesa, ta dëshmojmë dorën e Tij në jetën tonë dhe të ndiejmë “gëzim[in që] jep o kjo fjali: ‘E di, jeton Shëlbuesi im!’” (Himne, nr. 74.)
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Jezu Krishti jeton.
Shumica prej nesh nuk e ka parë Jezu Krishtin sikurse e pa Profeti Jozef Smith. Por ne mund ta dimë, sikurse ai, se Shpëtimtari jeton, se Ai i di sukseset dhe shqetësimet tona dhe se Ai do të na ndihmojë në kohë nevoje. Merreni parasysh dëshminë tuaj vetjake për Krishtin e gjallë ndërsa përsiatni pyetjet më poshtë dhe i studioni burimet shoqëruese.
-
Kush është Jezu Krishti? Pse e adhurojmë Atë? (Shihni te “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”.)
-
Çfarë më mëson Shpirti rreth përvojave të Jozef Smithit dhe të tjerëve që e panë Shpëtimtarin? Si e forcojnë dëshminë time dëshmitë e tyre? (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:11–14, 20–24; 110:1–10; Joseph Smith – Historia:17.)
-
Çfarë mësoj rreth misionit dhe natyrës hyjnore të Shpëtimtarit nga vetë fjalët e Tij? (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 29:5; 38:7.)
-
Si mund të më ndihmojë Shpëtimtari sot? (Shihni tek Isaia 53:3–5; Hebrenjve 2:17–18; Mosia 3:7; Alma 7:11–13; 36:3; Ethëri 12:27; Moisiu 5:10–12.)
Në materialin filmik “My Spiritual Goal” [“Synimi Im Shpirtëror”], një e re vendos të futë në kujtesë dokumentin “Krishti i Gjallë” (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Çfarë ju bën përshtypje nga përvoja e saj? Çfarë ndiheni i/e frymëzuar të bëni për t’i pranuar të vërtetat te dokumenti “Krishti i Gjallë” në zemrën dhe mendjen tuaj?
Për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si Shpëtimtari na bekon sot, mund të studioni, të dëgjoni ose këndoni këngën “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 74). Mund të jetë frymëzuese që të kërkoni të vërtetat në këtë himn që jepen mësim edhe te Doktrina e Besëlidhje 6:34; 84:77; 98:18; 138:23.
Shihni edhe tek Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Jesus Christ” [“Jezu Krishti”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Për shkak të Jezu Krishtit, unë do të ringjallem.
Jozef Smithi e dinte se si ndihesh kur vajton për vdekjen e njerëzve të dashur, përfshirë babanë dhe dy vëllezërit e tij. Jozefi dhe Ema varrosën gjashtë nga fëmijët e tyre, secili më i vogël se dy vjeç. Prej zbulesave që dha Perëndia, Jozefi dhe Ema patën një këndvështrim të përjetshëm.
Kërkojini të vërtetat rreth vdekjes dhe planit të përjetshëm të Perëndisë te Doktrina e Besëlidhje 29:26–27; 42:45–46; 63:49; 88:14–17, 27–31; 93:33–34. Si ndikojnë këto të vërteta te mënyra se si e shihni vdekjen? Si ndikojnë ato te mënyra se si jetoni?
Shihni edhe te 1 Korintasve 15; Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 182–184; Easter.ChurchofJesusChrist.org.
Jezu Krishti kreu një “shlyerje të përsosur” për mua.
Një mënyrë për t’u përqendruar te Shpëtimtari në kohën e Pashkës është të studiojmë zbulesat te Doktrina e Besëlidhje që na mësojnë rreth flijimit të Tij shlyes. Disa mund të gjenden te Doktrina e Besëlidhje 18:10–13; 19:16–19; 45:3–5; 76:69–70. Merreni parasysh të bëni një listë me të vërtetat që gjeni në këto vargje. Për ta thelluar studimin tuaj, mund të shtoni të vërteta në listën tuaj duke hulumtuar vargjet te Lluka 22:39–44; 1 Gjon 1:7; 2 Nefi 2:6–9; Mosia 3:5–13, 17–18; Moroni 10:32–33.
Këtu janë disa pyetje që mund ta udhërrëfejnë studimin tuaj:
-
Çfarë është Shlyerja e Jezu Krishtit?
-
Pse Jezu Krishti zgjodhi të vuante dhe të vdiste për ne?
-
Çfarë duhet të bëj unë për të marrë bekimet e flijimit të Tij?
-
Çfarë ndiej për Jezu Krishtin pasi i lexova këto vargje?
Shihni edhe tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shlyej, Shlyerje”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “The Savior Suffers in Gethsemane” [“Shpëtimtari Vuan në Gjetseman”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Për shkak të Jezu Krishtit, unë do të ringjallem.
-
Për t’iu dhënë mësim fëmijëve tuaj rreth ringjalljes, mund të filloni duke u treguar figura të vdekjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit. Lërini fëmijët tuaj të tregojnë atë që dinë për këto ngjarje. Mund edhe të këndoni një këngë si “Jezusi a Jetoi Sërish?” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 45).
-
Merreni parasysh një mësim me sende që mund t’i ndihmojë fëmijët tuaj ta kuptojnë se çfarë ndodh kur vdesim (shpirti dhe trupi ynë ndahen) dhe kur ringjallemi (shpirti dhe trupi ynë bashkohen prapë dhe trupat tanë janë të përsosur dhe të pavdekshëm). Për shembull, çfarë ndodh kur e heqim baterinë nga një ndriçues dore ose mbajtësen e bojës nga një stilograf? Çfarë ndodh kur ata ribashkohen? (Shihni tek Alma 11:44–45.)
-
A njohin fëmijët tuaj dikë që ka vdekur? Lërini ata të tregojnë paksa rreth këtyre individëve dhe më pas lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 138:17. Bisedoni me njëri‑tjetrin për mënyrën se si ndiheni që e dini se njerëzit tanë të dashur do të ringjallen dhe t’i kenë sërish trupat.
-
Nëse keni fëmijë më të mëdhenj në moshë, mund t’i ftoni të kërkojnë fraza që rrokin mesazhin e Pashkës në fragmentet vijuese: Doktrina e Besëlidhje 63:49; 88:14–17, 27; 138:11, 14–17. Ata mund të bëjnë të njëjtën gjë me materialin filmik “Ai Jeton – Festojeni Pashkën Sepse Jezu Krishti Jeton” (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Si mund ta shpërndajmë këtë mesazh tek të tjerët?
Profeti Jozef Smith e pa Jezu Krishtin.
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të keni interes të dini rreth tre rasteve të ndryshme kur Jezu Krishti iu shfaq Jozef Smithit dhe të tjerëve, sikurse shënohet te Joseph Smith – Historia 1:14–17; Doktrina e Besëlidhje 76:11–24; 110:1–10. Fëmijët tuaj gjithashtu mund të vështrojnë figura për këto ngjarje te faqja e veprimtarisë për këtë javë. Çfarë mësojmë rreth Jezu Krishtit nga secila prej këtyre përvojave? Përse është një bekim të dimë se Jozef Smithi dhe të tjerë e panë Shpëtimtarin e ringjallur?
Për shkak të Jezu Krishtit unë mund të marr falje për mëkatet e mia.
-
Të vërtetat që mësoi Jozef Smithi rreth faljes nëpërmjet Krishtit, mund t’u japin fëmijëve tuaj shpresën se ata mund të falen për gabimet dhe mëkatet e tyre. Merreni parasysh t’i ftoni fëmijët tuaj të krijojnë një tabelë me tituj si këto: Ajo që Shpëtimtari bëri për mua dhe Ajo që duhet të bëj unë për të marrë faljen e Tij. Ndihmojini fëmijët tuaj t’i hulumtojnë fragmentet vijuese për të gjetur gjëra që përkasin nën këta krerë: Doktrina e Besëlidhje 18:10–13; 19:16–19; 45:3–5; 58:42–43. Tregojini njëri‑tjetrit gëzimin dhe mirënjohjen tuaj për atë që Shpëtimtari bëri për ne.
-
Mund edhe të shihni materialin filmik “The Shiny Bicycle” [“Biçikleta që Shkëlqente”] me fëmijët tuaj (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] dhe të tregoni përvoja kur e ndiet faljen e Shpëtimtarit ndërsa u penduat.