“14–20 Korrik: ‘Unë do t’ju Udhëheq Përgjatë Udhës’: Doktrina e Besëlidhje 77–80”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 77–80”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
14–20 Korrik: “Unë do t’ju Udhëheq Përgjatë Udhës”
Doktrina e Besëlidhje 77–80
Më pak se dy vjet pasi u rivendos Kisha e Jezu Krishtit, ajo kishte mbi 2 000 anëtarë dhe po rritej me të shpejtë. Në mars 1832, Jozef Smithi u takua me udhëheqës të tjerë të Kishës që “të diskutonin punë të Kishës”: nevojën për të botuar zbulesat, blerjen e tokës për t’u mbledhur dhe kujdesin për të varfrit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 78, kreu i seksionit). Për t’i plotësuar këto nevoja, Zoti i kërkoi një numri të vogël udhëheqësish të Kishës që të formonin Ndërmarrjen e Bashkuar, një grup që do t’i bashkonte përpjekjet e tyre “për ta çuar përpara kauzën” e Zotit (vargu 4) në këto fusha. Por edhe në çështje të tilla administrative, Zoti u përqendrua te gjërat e përjetësisë. Përfundimisht, qëllimi i një makinerie shtypshkrimi ose një shtëpie të ruajtes, si gjithçka tjetër në mbretërinë e Perëndisë, është për t’i përgatitur fëmijët e Tij që të marrin “një vend në botën çelestiale” dhe “pasuritë e përjetësisë” (vargjet 7, 18). Dhe nëse ato bekime janë të vështira për t’u kuptuar pikërisht tani, mes morisë së punëve të jetës së përditshme, Ai na siguron sërish: “Merrni zemër, sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës” (vargu 18).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Perëndia u jep njohuri njerëzve që e kërkojnë atë.
Ndërsa Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni punonin për përkthimin e frymëzuar të Biblës, ata kishin pyetje rreth librit të Zbulesës, sikurse kanë shumë njerëz. Dhe sikurse e dinte mirë Jozefi, kur atij i mungonte urtia, mund të kërkonte nga Perëndia. Njohuritë që ai fitoi, janë te Doktrina e Besëlidhje 77. Ndërsa e lexoni këtë seksion, merreni parasysh t’i shënoni njohuritë tuaja në kapitujt përkatës në librin e Zbulesës. Çfarë mësoni nga studimi juaj rreth marrjes së zbulesës?
Çfarë ishte Ndërmarrja e Bashkuar?
Ndërmarrja e Bashkuar u krijua që të administronte punët e botimit dhe të biznesit të Kishës në Ohajo dhe Misuri. Ajo përbëhej nga Jozef Smithi, Njull K. Uitni dhe udhëheqës të tjerë të Kishës, të cilët i grumbulluan burimet e tyre që të plotësonin nevojat materiale të Kishës në rritje. Për fat të keq, Ndërmarrja e Bashkuar hyri në borxh dhe u shkri në vitin 1834 kur borxhet u bënë të paadministrueshme.
Shihni edhe te “Newel K. Whitney and the United Firm”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 142–147; Church History Topics, “United Firm (‘United Order’)”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Unë mund të ndihmoj “për ta çuar përpara kauzën” e Krishtit dhe Kishës së Tij.
Zoti u tha Jozef Smithit dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës se administrimi i një shtëpie ruajtjeje dhe një makinerie shtypshkrimi do të ndihmonte “për ta çuar përpara kauzën, për të cilën [ishin] zotuar” (Doktrina e Besëlidhje 78:4). Cila do të thoni se është “kauz[a]” e Kishës së Shpëtimtarit? Përsiatni për këtë ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 78:1–7. Cilat janë disa nga mënyrat e ndryshme se si mund të ndihmoni për ta çuar përpara atë kauzë, përfshirë në familjen tuaj?
Shihni edhe te Manuali i Përgjithshëm, 1.2.
Doktrina e Besëlidhje 78:17–18
Zoti do të më udhëheqë përgjatë udhës.
Përse mendoni se Zoti nganjëherë i thërret ndjekësit e Tij “fëmijë të vegjël”? (Doktrina e Besëlidhje 78:17.) Kur jeni ndier si fëmijë i vogël, ndoshta për shkak të diçkaje që “nuk [e] keni kuptuar ende” ose që “nuk mund t[a] duroni”? (Vargjet 17–18.) Çfarë gjeni në këto vargje që mund t’ju ndihmojnë të “merrni zemër” (vargu 18) në raste të tilla? Merreni parasysh të gjeni një fotografi tuajën kur ishit fëmijë dhe përsiatni se si jeni rritur shpirtërisht që nga ajo kohë. Ose mendoni për diçka që ishte e vështirë për ju kur ishit i vogël, por tani është më e lehtë. Në çfarë mënyrash do Ati Qiellor që të jeni ende si një fëmijë? (Shihni te Mosia 3:19.) Si po ju “udhëheq” Ai?
Unë mund t’i pranoj të gjitha gjërat me falënderim.
Në mënyrë që të përgatiteni të studioni vargun te Doktrina e Besëlidhje 78:19, mund të bëni një listë me gjëra të mira që ju kanë ndodhur sot. Pastaj bëni një listë me gjëra që nuk ju duken në të vërtetë si bekime. Përsiatni për këto lista ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 78:19. Çfarë ndryshimi sjell në jetën tuaj nëse i pranoni “të gjitha gjërat” me falënderim, madje edhe gjërat që mund të mos duken si bekime?
Për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si mirënjohja ndaj Perëndisë mund të ndikojë në jetën tuaj, eksplorojini këto shkrime të shenjta dhe bëni një listë me të vërtetat që gjeni: Psalmeve 107:8–9; Lluka 17:11–19; Filipianëve 4:6–7; Mosia 2:19–24; Alma 34:38; 37:37; Doktrina e Besëlidhje 46:32; 59:7, 15–21.
Merreni parasysh të kërkoni te mesazhi i Presidentit Diter F. Uhtdorf “Mirënjohës në të Gjitha Rrethanat” (Liahona, maj 2014, f. 70–77) për këshilla rreth mënyrës se si të jeni mirënjohës. Mund të kërkoni këshilla të ngjashme në materialin filmik “Presidenti Rasëll M. Nelson: Një Lutje Mirënjohje, Shprese dhe Shërimi e Profetit për Botën” (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Si mund të ndikojë mirënjohja te marrëdhënia juaj me Jezu Krishtin?
Shihni edhe te “Numëro Bekimet”, Himne, nr. 152; Tema dhe Pyetje, “Gratitude” [“Mirënjohja”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Thirrja për t’i shërbyer Perëndisë ka më shumë rëndësi sesa vendi ku shërbej.
Lidhur me seksionin te Doktrina e Besëlidhje 80, Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Ndoshta një nga mësimet që Shpëtimtari po na mëson në këtë zbulesë, është se një caktim për të punuar në një vend të posaçëm është thelbësor dhe i rëndësishëm, por dytësor krahasuar ndaj thirrjes për veprën” (“Thirrur për Veprën”, Liahona, maj 2017, f. 68). Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të mësoni se fjalët e Plakut Bednar janë të vërteta? Çfarë mësimesh shtesë mund të gjeni te Doktrina e Besëlidhje 79–80 që mund ta ndihmojnë dikë që sapo ka marrë një thirrje?
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Perëndia krijoi çdo krijesë në tokë.
-
Ndërsa ju dhe fëmijët tuaj lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 77:2, mund të vështroni figura kafshësh, përfshirë insekte dhe zogj. Fëmijët tuaj mund të tregojnë me gisht nga figurat ndërsa ju lexoni fjalët “bishave”, “zvarranikëve” dhe “shpendëve të ajrit”. Tregojini njëri‑tjetrit se si krijimet e Perëndisë ju ndihmojnë të ndieni dashurinë e Tij.
Unë mund të ndihmoj “për ta çuar përpara kauzën” e Jezu Krishtit.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të mendojnë rreth roleve të tyre në veprën e Zotit, merreni parasysh të lexoni me ta te Doktrina e Besëlidhje 78:4 për të identifikuar “kauzën” për të cilën jemi “zotuar” (e kemi pranuar ose kemi zgjedhur ta përkrahim) kur u pagëzuam. Ndihmojini ata të kërkojnë përgjigje të mundshme te fragmente të shkrimeve të shenjta si këto: Mosia 18:8–10; Doktrina e Besëlidhje 20:37; Moisiu 1:39. Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të interpretojnë me role mënyrën se si ata mund të ndihmojnë për veprën e Zotit. Për shembull, si është të “mba[sh] barrat e njëri-tjetrit” ose të “marr[ësh] mbi vete emrin e Jezu Krishtit”? Në ç’mënyrë kjo gjë e “ç[on] përpara kauzën” e Jezu Krishtit?
Unë mund t’i ndaj gjërat që kam, me të tjerët.
-
Për të dhënë mësim se çfarë do të thotë të jemi “të barabartë në gjëra tokësore” (vargu 6), mund t’u jepuni fëmijëve tuaj figura të njerëzve në nevojë (të uritur, të dëmtuar ose në të ftohtë) dhe sende që do të ndihmonin (si ushqimi, një fashë ose një batanije). Më pas, fëmijët tuaj mund t’i përputhin figurat me sendet. Çfarë mund të japim që t’i ndihmojmë njerëzit në nevojë?
-
Për të dhënë një farë konteksti për seksionin 78, lexojini me fëmijët tuaj fjalitë nën dy figurat e para te “Kapitulli 28: Profeti Jozef Shkon Përsëri në Misuri” (në Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 108, ose shihni materialin filmik përkatës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Më pas, fëmijët tuaj mund të bëjnë sikur po ndihmojnë dikë që të ndërtojë një shtëpi, po japin nga ushqimi i tyre ose po shërbejnë në një mënyrë tjetër.
Jezu Krishti do të më udhëheqë përgjatë udhës.
-
Mund të jetë zbavitëse për fëmijët tuaj që të flasin rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh një udhëheqës dhe më pas të udhëheqësh një veprimtari. Pasi të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 78:18, mund të diskutoni rastet kur kemi nevojë që Jezusi të na udhëheqë. Merreni parasysh të këndoni një këngë të tillë si “Do të Eci me Krishtin” (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit].
Unë mund t’i pranoj “të gjitha gjërat me falënderim”.
-
Lexoni me fëmijët tuaj te Doktrina e Besëlidhje 78:19 për të zbuluar atë që Zoti u premton njerëzve që janë falënderues. Ndihmojini fëmijët tuaj të kuptojnë çfarë do të thotë “njëqindfish”, ndoshta duke u treguar një send të vogël dhe më pas 100 sende si ai. Ndoshta ata mund të bëjnë vizatime të gjërave që kanë marrë nga Perëndia “me falënderim”.