Eja, Më Ndiq
30 Qershor – 6 Korrik: “Nuk Ka Asnjë Armë që Formohet kundër Jush, që do të Përparojë”: Doktrina e Besëlidhje 71–75


“30 Qershor – 6 Korrik: ‘Nuk Ka Asnjë Armë që Formohet kundër Jush, që do të Përparojë’: Doktrina e Besëlidhje 71–75”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 71–75”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025

misionarë duke ecur nëpër fusha

I Will Remember the Covenant [Unë do ta Kujtoj Besëlidhjen], nga Enrique Manuel Garcia

30 Qershor – 6 Korrik: “Nuk Ka Asnjë Armë që Formohet kundër Jush, që do të Përparojë”

Doktrina e Besëlidhje 71–75

Që kur ishte djalosh, Jozef Smithi u përball me njerëz kritikues – madje armiq – teksa përpiqej të bënte punën e Perëndisë. Por duhet të ketë qenë veçanërisht e vështirë në fund të vitit 1831 kur Ezra Buthi filloi ta qortonte Kishën publikisht, sepse në këtë rast kritikuesi ishte një ish‑besimtar. Ezra e kishte parë Jozefin duke përdorur fuqinë e Perëndisë për të shëruar një grua. Ai ishte ftuar ta shoqëronte Jozefin kur shkuan të shikonin për herë të parë tokën e Sionit në Misuri. Por që nga ajo kohë, ai e kishte humbur besimin dhe, në përpjekje për ta diskredituar Profetin, botoi një seri letrash në një gazetë në Ohajo. Dhe përpjekjet e tij dukej se po funksiononin: sepse “ndjenjat armiqësore … ishin krijuar kundrejt Kishës” në atë zonë (Doktrina e Besëlidhje 71, kreu i seksionit). Çfarë duhet të bëjnë besimtarët në një rast si ky? Ndërkohë që nuk ka një përgjigje të saktë për çdo situatë, duket se shpesh, përfshirë këtë rast në vitin 1831, pjesë e përgjigjes së Zotit është ta deklarojmë të vërtetën dhe t’i korrigjojmë gënjeshtrat nëpërmjet “shpallje[s së] ungjillit” (vargu 1). Po, puna e Zotit gjithmonë do të ketë kritikues, por në fund, “nuk ka asnjë armë që formohet kundër [saj], që do të përparojë” (vargu 9).

Shihni tek “Ezra Booth and Isaac Morley”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 134.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Doktrina e Besëlidhje 71

ikona e seminarit
Shpirti do të më udhërrëfejë teksa e shpall ungjillin e Shpëtimtarit.

Mund të jetë shqetësuese kur njerëzit e kritikojnë ose përqeshin besimin tuaj te Shpëtimtari, ungjilli i Tij ose Kisha e Tij. Kur ajo ndodh, çfarë bëni ju? Diçka e ngjashme ndodhi në Ohajo në vitin 1831 (shihni kreun e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 71). Çfarë u tha Zoti Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit të bënin për këtë te Doktrina e Besëlidhje 71? Ndoshta mund t’i renditni udhëzimet që u dha Zoti atyre, dhe bekimet që u premtoi Ai.

Krahas studimit të seksionit 71, mund edhe të eksploroni mënyrën se si iu përgjigj Shpëtimtari kritikëve të Tij gjatë shërbesës së Vet në vdekshmëri. Ja disa shembuj: Mateu 22:15–22; 26:59–64; Gjoni 10:37–38. Çfarë mësoni prej Tij? Çfarë njohurish të tjera fitoni nga Mateu 18:15; Efesianëve 4:31–32; 2 Timoteut 3:12; Jakob [Bibël] 1:19?

Si mund të gjejë zbatim këshilla e Tij për situatat me të cilat përballeni sot? Mund të merrni parasysh mënyra për t’i korrigjuar me fjalët tuaja në mënyrë paqësore gënjeshtrat. Për shembull, mund t’ia nisni duke shprehur respekt për pikëpamjet e personit tjetër dhe më pas mund të tregoni, në një mënyrë të përulur dhe dashamirëse, atë që besoni për Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij. Për t’u përgatitur për këto raste, mbase mund ta ushtroni këtë qasje me miqtë ose pjesëtarët e familjes.

Shihni edhe te Tema dhe Pyetje, “Ndihma ndaj Njerëzve të Tjerë për Pyetjet”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; Dallin H. Ouks, “Dashuria për të Tjerët dhe të Jetuarit me Ndryshimet”, Liahona, nëntor 2014, f. 25–28; Jorg Klebingat, “Dishepullimi i Guximshëm në Ditët e Mëvonshme”, Liahona, maj 2022, f. 107–110.

Doktrina e Besëlidhje 72

Zoti më bekon nëpërmjet shërbesës së udhëheqësve si peshkopët.

Kur Njull K. Uitni u thirr që të shërbente si peshkop, detyrat e tij ishin pak më të ndryshme nga ato të peshkopëve të sotëm. Për shembull, Peshkopi Uitni mbikëqyri përkushtimin e pronave dhe lejen për t’u vendosur në tokën e Sionit në Misuri. Por teksa lexoni për thirrjen e tij te Doktrina e Besëlidhje 72, ju mund të vini re disa lidhje midis asaj që peshkopët bëjnë sot – të paktën në frymën e detyrave të tyre, në qoftë se jo në veçantitë.

Për shembull, në çfarë mënyrash i “j[epni] llogari” peshkopit tuaj? (Vargu 5.) Në kohën tonë “shtëpi[a] e ruajtjes [e] Zotit” mund të përfshijë dhurimet, shërbimin dhe talentet e anëtarëve të lagjes (shihni vargjet 10, 12). Si mund të jepni ndihmesë në atë shtëpi ruajtjeje?

Si ju ka bekuar Zoti ju dhe familjen tuaj nëpërmjet shërbimit të një peshkopi?

Shihni edhe te Kuentin L. Kuk, “Peshkopët – Barinj Mbi Tufën e Zotit”, Liahona, maj 2021, f. 56–60.

Doktrina e Besëlidhje 73

Kam mundësi të shumta për ta shpërndarë ungjillin e Shpëtimtarit.

Kur Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni u kthyen nga detyra e tyre si misionarë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 71), Zoti u tha ta vazhdonin përkthimin e Biblës (shihni tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përkthim i Joseph Smith-it (PJS)”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Por kjo nuk nënkuptonte se Ai donte që ata të ndalonin shpërndarjen e ungjillit. Në fund të fundit, ajo është pjesë e jetës së një dishepulli.

Teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 73, merrni parasysh se si ju mund ta bëni shpërndarjen e ungjillit një pjesë të vazhdueshme, “[të] praktikueshme” (vargu 4) – ose realiste – të jetës suaj mes përgjegjësive tuaja të tjera.

mikesha duke biseduar rreth ungjillit

Shpërndarja e ungjillit të Jezu Krishtit mund të jetë normale dhe e natyrshme.

Doktrina e Besëlidhje 75:1–16

“Punoni me fuqi … duke shpallur të vërtetën.”

Zbulesa te seksioni 75 iu drejtua njerëzve që kishin “dhënë emrat [e tyre] që të shkoni[n] për të shpallur ungjillin e [Shpëtimtarit]” (vargu 2). Një mënyrë për ta studiuar këtë zbulesë është të bëni dy lista: 1) si ta shpërndajmë ungjillin me efektshmëri dhe 2) si na bekon dhe përkrah Zoti ndërsa e bëjmë atë.

Çfarë mendoni se do të thotë “qëndroni” ose “jini dembelë” në shpërndarjen e ungjillit? Si është të “pun[uarit] me fuqi”? (Vargu 3.)

Shihni edhe te “Do Shkoj Ku Ti Do që të Shkoj”, Himne, nr. 173.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona 02 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Doktrina e Besëlidhje 71

Unë mund ta mbroj të vërtetën duke dhënë dëshminë time.

  • Mund të përdorni kreun e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 71 ose pjesën “Kapitulli 25: Jozef Smithi dhe Sidni Rigdëni Shkojnë në Mision” (në Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 96 ose materialin filmik përkatës te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]) që t’u mësoni fëmijëve tuaj për rrethanat që e frymëzuan seksionin 71. Më pas ndihmojini ata të zbulojnë te vargu 1 atë që Zoti donte që Jozefi dhe Sidni të bënin lidhur me “ndjenjat armiqësore” kundrejt Kishës. Si tha Ai se do t’i ndihmonte ata? Si mund të jemi ne sikurse Jozefi dhe Sidni?

    0:45

    Chapter 25: Joseph Smith and Sidney Rigdon Go on a Mission: December 1831–January 1832

  • Mund edhe të këndoni një këngë që i frymëzon fëmijët tuaj të jenë të vërtetë ndaj Shpëtimtarit, të tillë si “Mbro Drejtësinʼ” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 81). Ndihmojini fëmijët tuaj të ushtrohen për ta treguar atë që dinë rreth Jezu Krishtit.

Doktrina e Besëlidhje 72:2

Zoti ka thirrur një peshkop që të më ndihmojë.

  • Leximi së bashku i vargut te Doktrina e Besëlidhje 72:2 mund të krijojë një mundësi për të diskutuar arsyen pse Zoti na jep peshkopë (shihni edhe te “Kapitulli 17: Peshkopët e Parë të Kishës”, në Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 64–66, ose materiali filmik përkatës te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Ju dhe fëmijët tuaj mund të gjeni figura ose sende që përfaqësojnë përgjegjësitë e një peshkopi. Figura dhe faqja e veprimtarisë në fund të këtij përvijimi sigurojnë disa ide. Më pas mund të bisedoni së bashku rreth peshkopëve që keni njohur, dhe mënyrën se si Zoti e ka bekuar familjen tuaj nëpërmjet shërbimit të tyre.

    1:45

    Chapter 17: The First Bishops of the Church: February and December 1831

Jepni gjithmonë mësim për Jezu Krishtin. “Pavarësisht nga ajo që jeni duke dhënë mësim, kujtoni se në të vërtetë po jepni mësim për Jezu Krishtin dhe se si të bëheni si Ai” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 6). Për shembull, kur t’u jepni mësim fëmijëve tuaj për peshkopët, theksoni se ata janë përfaqësues të Jezu Krishtit, të thirrur nga Ai për të bërë punën e Tij (shihni te 1 Pjetër 2:25).

ushqime dhe furnizime në shtëpinë e ruajtjes e Zotit

Zoti u kërkon peshkopëve të kujdesen për njerëzit në nevojë.

Doktrina e Besëlidhje 75:3

Unë mund t’i jap Zotit përpjekjen time më të mirë.

  • Për të folur rreth ndryshimit mes të qenit “dembelë” dhe “të pun[uarit] me fuqi”, ndoshta mund të përzgjidhni disa vepra shërbimi ose punë shtëpie dhe t’i ftoni fëmijët tuaj të demonstrojnë kryerjen e tyre me dembelizëm dhe më pas me të gjithë fuqinë e tyre. Ndërsa lexoni frazën “as mos jini dembelë” te Doktrina e Besëlidhje 75:3, fëmijët tuaj mund të tregojnë se si do t’i bënin punët me përtaci. Kur të lexoni frazën “por të punoni me fuqi”, ata mund të tregojnë se si punojnë fort. Përse është e rëndësishme që ne të bëjmë gjithçka mundemi kur i shërbejmë Zotit?

  • Në mesazhin e tij “Dy Parime për Cilëndo Ekonomi” (Liahona, nëntor 2009, f. 55–58), Presidenti Diter F. Uhtdorf tregoi dy histori rreth punës. Ndoshta mund t’ua tregoni ato fëmijëve tuaj dhe të flisni rreth mënyrës se si ndihemi kur e dimë se kemi punuar fort dhe kemi bërë më të mirën.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

peshkop duke këshilluar një të ri

Recognizing the Tender Mercies in Your Life [Dallimi i Mëshirave të Dhembshura në Jetën Tuaj], nga Keith Larson

faqja e veprimtarisë për fëmijët