“21–27 Korrik: Atje Ku ‘Shumë … Është Dhënë, Shumë … Kërkohet’: Doktrina e Besëlidhje 81–83”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 81–83”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
21–27 Korrik: Atje Ku “Shumë … Është Dhënë, Shumë … Kërkohet”
Doktrina e Besëlidhje 81–83
Në mars 1832, Zoti e thirri Xhesi Gozin që të ishte këshilltar për Jozef Smithin në Presidencën e Priftërisë së Lartë (tani e quajtur Presidenca e Parë). Doktrina e Besëlidhje 81 është një zbulesë drejtuar Vëllait Gozi, rreth thirrjes së tij të re. Por Xhesi Gozi nuk shërbeu me besnikëri, ndaj Frederik G. Uilliamsi u thirr për ta zëvendësuar. Emri i Vëllait Uilliams e zëvendësoi emrin e Vëllait Gozi në zbulesë.
Kjo mund të duket si një hollësi e vogël, por nënkupton një të vërtetë domethënëse: Shumica e zbulesave te Doktrina e Besëlidhje u drejtohen njerëzve të caktuar, por ne gjithmonë mund të kërkojmë mënyra se si t’i zbatojmë ato për veten tonë (shihni te 1 Nefi 19:23). Kur e lexojmë këshillën e Zotit drejtuar Frederik G. Uilliamsit që të “forco[nte] gjunjët e këputur” mund të mendojmë për njerëz që ne mund t’i forcojmë (Doktrina e Besëlidhje 81:5). Kur e lexojmë ftesën e Zotit për anëtarët e Ndërmarrjes së Bashkuar që të “lidhen me anë të kësaj besëlidhjeje”, mund të mendojmë për vetë besëlidhjet tona. Dhe mund të lexojmë premtimin e Tij: “Unë … lidhem kur ju bëni çfarë ju them”, si të ishte duke na folur neve (Doktrina e Besëlidhje 82: 10, 15). Ne mund ta bëjmë këtë sepse, sikurse deklaroi Zoti: “Atë që ia them njërit, ua them të gjithëve” (vargu 5).
Shihni te “Newel K. Whitney and the United Firm”, “Jesse Gause: Counselor to the Prophet”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 142–147, 155–157.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Doktrina e Besëlidhje 81:4–5; 82:18–19
“Ti do t’u bësh të mirën më të madhe bashkëqenieve të tua.”
Në disa fragmente te Doktrina e Besëlidhje 81–83, Zoti na fton t’i ndihmojmë njerëzit në nevojë përreth nesh. Merreni parasysh t’i shenjoni fragmentet teksa i gjeni. Një nga shembujt më përshkrues është te Doktrina e Besëlidhje 81:4–5. Këtu janë disa pyetje që t’ju ndihmojnë t’i përsiatni këto vargje:
-
Cilat janë disa mënyra se si një njeri mund të jetë “[i] dobët”? Çfarë do të thotë ta “ndihmo[sh] atë? Kur më ka ndihmuar shërbimi nga të tjerë, i ngjashëm me të Krishtit, kur u ndjeva i dobët?
-
Çfarë mund t’i bëjë duart e një njeriu që të “varen poshtë” figurativisht? Si mund t’i “ngr[e]” ato duar?
-
Çfarë mund të nënkuptojë fraza “gjunjët e këputur”? Si forcohen ato?
Si i bën Shpëtimtari këto gjëra për ju?
Ndoshta studimi i këtij vargu ju ka sjellë në mendje dikë që mund ta “ndihmo[ni]”, “ngri[ni]” ose “forco[ni]”. Çfarë do të bëni që t’i jepni shërbesë atij personi?
Çfarë tjetër mësoni rreth shërbimit ndaj të tjerëve te Doktrina e Besëlidhje 82:18–19? Ju gjithashtu mund të shihni materialin filmik “Teachings of Thomas S. Monson: Rescuing Those in Need” [“Mësimet e Tomas S. Monsonit: Shpëtimi i Njerëzve në Nevojë”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Si ishin anëtarët e lagjes së Peshkopit Monson shembuj të asaj që jepet mësim në këto vargje?
Shihni edhe te Jakobi [LiM] 2:17–19; Mosia 18:8–9; “Works of God” [“Veprat e Perëndisë”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
Shpëtimtari më ka dhënë shumë dhe kërkon shumë nga unë.
Leximi i këtij vargu mund t’ju nxitë të shqyrtoni atë që ju ka dhënë Perëndia, si bekimet fizike, edhe ato shpirtërore. Mbajeni këtë në mendje ndërsa lexoni pjesën tjetër te seksioni 82. Çfarë mendoni se kërkon Perëndia nga ju?
Shihni edhe këngën “Sepse Mua Shum’ m’Ësht’ Dhën’”, Himne, nr. 136.
Urdhërimet janë një provë për dashurinë e Perëndisë për ne.
Nëse ju ose dikush që njihni, e keni pyetur ndonjëherë veten se përse Zoti na jep kaq shumë urdhërime, Doktrina e Besëlidhje 82:8–10 mund t’ju ndihmojë. Çfarë njohurish nga këto vargje mund t’ju ndihmojnë që t’i shpjegoni dikujt arsyen përse zgjidhni t’i ndiqni urdhërimet e Zotit? Me çfarë mund t’i krahasoni urdhërimet që mund të ndihmojë për shpjegimin? Mund të gjeni njohuri të tjera te Doktrina e Besëlidhje 1:37–38; 130:20–21 dhe te materiali filmik “Blessed and Happy Are Those Who Keep the Commandments of God” [“Të Bekuar dhe të Lumtur Janë Ata që i Zbatojnë Urdhërimet e Perëndisë”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Cilat përvoja ju kanë mësuar t’i shihni urdhërimet si bekime?
Mendoni për disa nga urdhërimet që ju ka dhënë Perëndia. Çfarë ju kanë mësuar këto urdhërime rreth Tij dhe vullnetit të Tij? (Shihni vargun 8.) Si është ndikuar jeta juaj nga zbatimi i këtyre urdhërimeve?
Çfarë mësoni për Zotin nga vargu 10? Çfarë mendoni se do të thotë që Zoti “lidhe[t]”? (Shihni edhe vargun 15.)
Si i ka mbajtur Zoti premtimet e Tij në jetën tuaj? Çfarë mund t’i thoshit dikujt që nuk ndien shtysë të brendshme për t’i zbatuar urdhërimet sepse nuk i ka marrë bekimet që ka shpresuar? A gjeni ndonjë njohuri të dobishme në mesazhin e Plakut D. Tod Kristoferson “Marrëdhënia Jonë me Perëndinë”? (Liahona, maj 2022, f. 78–80.)
Shihni edhe te Tema dhe Pyetje, “Commandments” [“Urdhërimet”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Zoti na bekon sipas vetë mënyrave të Tij të mrekullueshme.
Motra Virxhinia H. Pirs, ish‑anëtare e Presidencës së Përgjithshme të Të Rejave, foli për një grua e cila shqetësohej skajshëm për fëmijët e saj që po bënin zgjedhje jo të drejta. Pothuajse në panik, ajo provoi gjithçka që i erdhi në mendje për të kërkuar bekimet e Zotit për ta. Krahas lutjeve të zjarrta, ajo vendosi një synim ambicioz që ta shtonte frekuentimin në tempull dhe u ndje e sigurt se Zoti do ta nderonte këtë sakrificë domethënëse duke i ndryshuar zemrat e fëmijëve të saj. Gruaja raportoi:
“Pas dhjetë vitesh frekuentimi të shtuar të tempullit dhe lutjesh të vazhdueshme, më vjen keq të them se zgjedhjet e fëmijëve të mi nuk kanë ndryshuar. …
Por unë kam ndryshuar. Unë jam një grua tjetër. … Kam një zemër më të butë. Jam e mbushur me dhembshuri. Mundem në fakt të bëj më shumë dhe jam e lirë nga frika, ankthi, ndjenja e fajit, fajësimi i vetes dhe druajtja. Kam hequr dorë nga kufizimet që kam vendosur vetë për kohën, dhe jam në gjendje të pres Zotin. Dhe përjetoj shfaqje të vazhdueshme të fuqisë së Zotit. Ai dërgon mëshira të dhembshura, mesazhe të vogla që ma bëjnë të ditur dashurinë e Tij për mua dhe fëmijët e mi. Pritshmëritë e mia kanë ndryshuar. Në vend që të pres që të ndryshojnë fëmijët e mi, unë pres për këto mëshira të dhembshura, të shpeshta dhe jam plot mirënjohje për to. …
Lutjet e mia kanë ndryshuar. Shpreh më shumë dashuri dhe jam më falënderuese. … Zoti vepron në mënyra të mahnitshme dhe unë vërtet jam e mbushur me paqen që ia tejkalon çdo zgjuarsie” (në “Prayer: A Small and Simple Thing”, At the Pulpit [2017], f. 288–289).
“Të vejat dhe jetimët duhet të mbështeten.”
Në prill 1832, siç u udhëzua nga Zoti, Jozef Smithi udhëtoi gati 1 300 kilometra për të vizituar shenjtorët që ishin mbledhur në Misuri (shihni te Doktrina e Besëlidhje 78:9). Ndërkohë që ishte atje, ai vizitoi një komunitet ku disa të veja po i rritnin të vetme fëmijët e tyre. Mes tyre ishin Fibi Peku dhe Ana Roxhersi, të cilat Profeti i njihte personalisht. Në Misuri në vitet 1830, ligjet shtetërore u jepnin të vejave të drejta të kufizuara për pronësinë e bashkëshortëve të tyre të vdekur. Çfarë mësoni nga seksioni 83 rreth mënyrës se si Zoti ndihet për të vejat dhe jetimët? A njihni dikë në këtë situatë që do të përfitonte nga dashuria ose përkujdesja juaj? Cilat janë disa mënyra se si mund ta ndani atë që keni me të vejat, jetimët, nënat beqare dhe të tjerët në nevojë?
Shihni edhe tek Isaia 1:17; Jakob [Bibël] 1:27.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Unë mund t’i lutem Perëndisë “me zë dhe në zemrën” time.
-
Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 81:3 me fëmijët tuaj, ndihmojini ata të mendojnë për vende të ndryshme “në publik” dhe “në fshehtësi” ku mund të luten. Mund edhe të dëgjoni ose këndoni me ta një himn rreth lutjes, të tillë si “Lutja e Fshehtë” (Himne, nr. 82). Tregojini njëri‑tjetrit diçka nga himni, që ju mëson një të vërtetë të rëndësishme rreth lutjes. Mund edhe të bisedoni rreth të folurit me nderim me Atin Qiellor.
-
Për t’i nxitur fëmijët tuaj të luten në zemrat e tyre, mund t’u jepni atyre zemra prej letre dhe t’i ftoni të vizatojnë ose shkruajnë diçka për të cilën duan t’i luten Atit Qiellor. Dëshmoni që Ati Qiellor e di se çfarë po mendojmë dhe ndiejmë dhe Ai mund t’i dëgjojë lutjet tona dhe nëse nuk i themi me zë të lartë. Mund t’u tregoni atyre një përvojë kur u lutët pa zë në zemër dhe Ati Qiellor ju dëgjoi.
Zoti dëshiron që unë t’i ndihmoj njerëzit në nevojë.
-
Me fëmijët tuaj, bëni vizatime të duarve e të gjunjëve dhe kërkojuni fëmijëve tuaj t’i gjejnë këto pjesë te Doktrina e Besëlidhje 81:5. Çfarë po na kërkon Zoti të bëjmë në këtë varg? Mund t’i tregoni njëri‑tjetrit disa mënyra që njerëzit ju kanë forcuar kur u ndiet i “dobët” ose i “këputur”. Materiali filmik “Pass It On” [“Përçojeni Atë”] (ChurchofJesusChrist.org) mund t’u jepte fëmijëve tuaj ide rreth mënyrës se si t’u shërbejnë të tjerëve. Mund edhe të këndoni një këngë rreth shërbimit, të tillë si “A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?” (Himne, nr. 139). Merreni parasysh t’i ndihmoni fëmijët tuaj të bëjnë një plan për të ndihmuar këtë javë të paktën një njeri në nevojë.
-
Mund edhe të përdorni figura ose materiale filmike për të treguar ndodhi të thjeshta kur Jezu Krishti u shërbeu të tjerëve (shihini figurat në këtë përvijim; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 41, 42, 46, 47, 55; ose një nga Bible Videos [Materiale Filmike nga Bibla] në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Si mund ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit për t’i ndihmuar të tjerët?
Ati Qiellor më premton bekime ndërsa përpiqem fort t’i bindem Atij.
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të kërkoni te Doktrina e Besëlidhje 82:8–10 përgjigje për pyetjen “Pse Ati Qiellor na jep urdhërime?” Nëse doni, mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të mendojnë për shembuj të urdhërimeve të Tij (shihni, për shembull, tek Eksodi 20:4–17; Mateu 22:37–39; Doktrina e Besëlidhje 89:5–17). Mund t’ju ndihmojë ju dhe fëmijët tuaj gjetja ose bërja e vizatimeve që i përfaqësojnë disa prej tyre. Si e tregojnë urdhërimet e Atit Qiellor dashurinë e Tij për ne?
-
Ndoshta një lojë e thjeshtë do t’i ndihmonte fëmijët tuaj t’i shohin urdhërimet e Perëndisë si bekime, jo si barrë. Një person mund të japë udhëzime për të ndihmuar një person tjetër, i cili është me sy të lidhur, të bëjë diçka si bërja e një sanduiçi ose e një vizatimi. Mendoni për diçka argëtuese dhe krijuese. Më pas flisni për atë se si urdhërimet e Perëndisë janë të ngjashme me udhëzimet në këtë lojë.