“28 Korrik – 3 Gusht: ‘Fuqia e Perëndishmërisë’: Doktrina e Besëlidhje 84”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 84”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
28 Korrik – 3 Gusht: “Fuqia e Perëndishmërisë”
Doktrina e Besëlidhje 84
Që nga koha kur u rivendos priftëria në vitin 1829, shenjtorët e hershëm ishin bekuar nëpërmjet fuqisë së shenjtë të Zotit. Ata u pagëzuan, konfirmuan dhe u thirrën të shërbenin nëpërmjet autoritetit të priftërisë, që është shumë e ngjashme me mënyrën se si i bëjmë këto sot. Por të kemi të drejtë që ta përdorim fuqinë e priftërisë, nuk është e njëjta gjë me të kuptuarit tërësor të saj dhe Perëndia kishte më shumë gjëra të cilat Ai donte që shenjtorët e Tij t’i kuptonin – veçanërisht lidhur me rivendosjen e ardhshme të ordinancave të tempullit. Zbulesa e vitit 1832 për priftërinë, tani te Doktrina e Besëlidhje 84, e zgjeroi vizionin e shenjtorëve për atë që priftëria është vërtet. Dhe mund të bëjë të njëjtën gjë për ne sot. Në fund të fundit, ka shumë për t’u mësuar rreth fuqisë hyjnore që mban “çelësin e diturisë së Perëndisë”, që bën të shfaqet “fuqia e perëndishmërisë” dhe na përgatit që të “shoh[im] fytyrën e Perëndisë, madje Atit, dhe të jetoj[më]” (vargjet 19–22).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Doktrina e Besëlidhje 84:17–32
Unë kam të drejtën e përdorimit të fuqisë dhe bekimeve të priftërisë së Perëndisë.
Kur mendoni për fjalën priftëri, çfarë ju vjen në mendje? Si ndikon fuqia e priftërisë së Perëndisë në jetën tuaj?
Pasi t’i përsiatni këto pyetje, mund të studioni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 84:17–32 duke kërkuar atë që Zoti dëshiron që ju të dini rreth fuqisë së priftërisë së Tij. Merreni parasysh se si mund t’i përdorni këto vargje për t’ia përshkruar dikujt priftërinë dhe qëllimet e saj.
Diçka që do të gjeni, është se nëpërmjet ordinancave të priftërisë “fuqia e perëndishmërisë manifestohet” (shihni vargjet 19–21). Ndoshta mund t’i renditni ordinancat e priftërisë në të cilat keni marrë pjesë (listat te Manuali i Përgjithshëm, 18.1, 18.2, mund të ndihmojnë). Si kanë sjellë këto ordinanca dhe besëlidhjet që i shoqërojnë, fuqinë e Perëndisë në jetën tuaj? Si do të ishte jeta juaj pa to?
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Çdo grua e çdo burrë që bën besëlidhje me Perëndinë dhe i mban ato besëlidhje, dhe që merr pjesë me denjësi në ordinancat e priftërisë, ka të drejtë përdorimi të drejtpërdrejtë të fuqisë së Perëndisë” (“Thesaret Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2019, f. 77). Merreni parasysh të studioni mesazhin e Presidentit Nelson, duke kërkuar mënyra se si mund të “m[errni] nga fuqia e Shpëtimtarit në jetën t[uaj]”.
Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 25:10, 13, 15; 121:34–37, 41–46; Tema dhe Pyetje, “Priesthood” [“Priftëria”], Ese mbi Temat e Ungjillit, “Mësimet e Dhëna nga Jozef Smithi rreth Priftërisë, Tempullit dhe Grave”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; Manuali i Përgjithshëm, 3.6, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Doktrina e Besëlidhje 84:31–44
Priftëria merret me një betim dhe besëlidhje.
Betimi dhe besëlidhja e priftërisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:31–44) ka zbatim të veçantë për bijtë e Atit Qiellor që janë shuguruar në një detyrë në priftëri, por shumë nga bekimet e premtuara në këto vargje janë në dispozicion të të gjithë fëmijëve të Perëndisë. Cilat janë këto premtime dhe çfarë na kërkon Perëndia të bëjmë për t’i marrë ato?
Plaku Pol B. Pajpër dha mësim: “Është interesante që në betimin dhe besëlidhjen e priftërisë [shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:31–44], Zoti përdor foljet marr dhe pranoj. Ai nuk përdor foljen shuguroj. Është në tempull që burra e gra – së bashku – marrin dhe pranojnë bekimet dhe fuqinë si të Priftërisë Aarone ashtu edhe atë Melkizedeke” (“Revealed Realities of Mortality”, Ensign, janar 2016, f. 21).
Ndërsa studioni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 84:31–44, përsiatni kuptimin që mund të ketë ta “m[errni]” dhe “pranon[i]” priftërinë. Ku ndryshon kjo nga të qenit të shuguruar në një detyrë në priftëri? Çfarë tjetër ju fton Zoti të pranoni në këto vargje? Si po e bëni atë?
Çfarë gjeni që ju frymëzon të jeni më besnikë në pranimin e Shpëtimtarit, Atit të Tij, të shërbëtorëve të Tij dhe të fuqisë së priftërisë së Tij?
Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 121:36–46.
Doktrina e Besëlidhje 84:43–61
Të jetuarit sipas fjalës së Perëndisë sjell dritë dhe të vërtetë në jetën time.
Çfarë të vërtetash gjeni te Doktrina e Besëlidhje 84:43–61 që ju ndihmojnë të kuptoni përse ju nevojitet ta studioni vazhdimisht fjalën e Perëndisë? Vini re dallimin midis dritës dhe errësirës në këto vargje; si ju ka sjellë “v[ënia] veshin me zell [ndaj] fjalëve të jetës së përjetshme” dritë, të vërtetë dhe “Shpirti[n e] Jezu Krishtit” në jetën tuaj? (Vargjet 43, 45.)
Shihni edhe te 2 Nefi 32:3.
Doktrina e Besëlidhje 84:62–91
Zoti do të jetë me mua kur jam në shërbim të Tij.
Teksa i lexoni këto vargje, ju mund të përcaktoni mënyrat që Zoti tha se do t’i përkrahte shërbëtorët e Tij. Si mund të gjejnë zbatim këto premtime në punën që Ai ju ka kërkuar të bëni? Për shembull, si janë përmbushur në jetën tuaj premtimet në vargun 88?
Doktrina e Besëlidhje 84:106–110
Çdokush mund të japë ndihmesë për veprën e Perëndisë.
Çfarë mësoni nga këto vargje për mënyrën se si Zoti e përmbush veprën e Tij? Çfarë këshillash dhe bekimesh gjeni? Mund edhe të mendoni për mënyrën se si jeni “lartës[uar] në zemërbutësi” për shkak se shërbyet me dikë që ishte “i fortë në Shpirt”, përfshirë njerëzit në familjen tuaj.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Ordinancat e tempullit më ndihmojnë të përgatitem për të jetuar me Atin Qiellor përsëri.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të presin me padurim që të shkojnë në tempull, mund të krijoni një figurëformuese me një fotografi tempulli. Në anën e pasme të secilës pjesëz, mund të shkruani diçka që e bëjmë në tempull, të tillë si pagëzimi për paraardhësit, vulosja me familjet tona dhe bërja e besëlidhjeve me Perëndinë. Lexoni me fëmijët tuaj te Doktrina e Besëlidhje 84:4–5 dhe kërkojuni atyre të dëgjojnë atë që Zoti i urdhëroi shenjtorët të ndërtonin. Teksa ju dhe fëmijët tuaj e formoni figurëformuesen, tregojini njëri-tjetrit gjërat që mund të bëjmë për t’u përgatitur që të hyjmë në tempull.
Doktrina e Besëlidhje 84:19–22
Unë mund të marr fuqinë e Atit Qiellor nëpërmjet ordinancave të priftërisë.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të kuptojnë se çfarë është një ordinancë, merreni parasysh të vështroni figura të disa ordinancave të priftërisë me ta, të tillë si Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 103–108 ose te faqja e veprimtarisë për këtë javë. Kërkojuni atyre të përshkruajnë se çfarë po ndodh në secilën figurë. Më pas mund të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 84:19–22. Përse Ati Qiellor dëshiron që t’i marrim këto ordinanca? Tregojuni fëmijëve tuaj se si e keni ndier fuqinë e Perëndisë për shkak të ordinancave që morët dhe besëlidhjeve që bëtë. (Shihni edhe te “Fuqia, Autoriteti dhe Çelësat e Priftërisë” te shtojca A ose shtojca B.)
Unë jam miku i Jezusit kur e ndjek Atë.
-
Pasi të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 84:77, pyetini fëmijët se çfarë do të thotë të jeni një mik. Mund të flisni rreth miqve të mirë që keni pasur. Si na tregon Jezusi që Ai dëshiron që ne të jemi miqtë e Tij? Si mund të tregojmë se dhe ne e duam atë gjë? Një këngë si “Përpiqem t’Jem si Jezusi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41) mund t’ju ndihmojë për këtë bashkëbisedim.
Ati Qiellor i ndihmon shërbëtorët e Tij.
-
Fëmijëve tuaj mund t’u pëlqejë të dëgjojnë rreth mënyrës se si misionarët ju ndihmuan ju, familjen tuaj ose paraardhësit tuaj për ta pranuar ungjillin. Më pas mund të lexoni për një premtim të veçantë që Zoti u bëri misionarëve te Doktrina e Besëlidhje 84:88. Ndoshta fëmijët tuaj mund të mendojnë për veprime që shkojnë me këtë varg. Merreni parasysh të tregoni për një rast kur ju po i shërbenit Zotit dhe e ndiet se Ai ishte me ju, siç përshkruhet te vargu 88. Mund edhe t’i ndihmoni fëmijët tuaj të mendojnë për mënyra se si mund të jenë misionarë tani. Dëshmoni se Ati Qiellor na ndihmon të dimë se çfarë të themi kur flasim me të tjerët rreth Jezu Krishtit.