Eja, Më Ndiq
18–24 Gusht: “Një Parim me Premtim”: Doktrina e Besëlidhje 89–92


“18–24 Gusht: ‘Një Parim me Premtim’: Doktrina e Besëlidhje 89–92”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 89–92”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025

çift duke gatuar së bashku

18–24 Gusht: “Një Parim me Premtim”

Doktrina e Besëlidhje 89–92

Në Shkollën e Profetëve, Profeti Jozef Smith u dha mësim pleqve të Izraelit rreth ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë në tokë. Ata diskutonin të vërteta shpirtërore, luteshin së bashku, agjëronin dhe përgatiteshin për ta predikuar ungjillin. Por kishte diçka në atë mjedis që neve sot mund të na duket e çuditshme dhe ajo nuk i dukej e drejtë as Ema Smithit. Gjatë mbledhjeve, burrat pinin dhe përtypnin duhan, gjë që nuk ishte e pazakontë për kohën, por duhani i bënte me njolla të zeza dyshemetë prej druri dhe linte një erë të rëndë në ajër. Ema ia tregoi shqetësimet e saj Jozefit dhe Jozefi e pyeti Zotin. Përgjigjja e Tij ishte një zbulesë që shkoi shumë përtej tymit dhe njollave të duhanit. Ajo u dha shenjtorëve, për brezat e ardhshëm, “një parim me premtim” – premtime të shëndetit fizik, “urtësi” dhe “thesare të mëdha diturie” (Doktrina e Besëlidhje 89:3, 19).

Shihni edhe te Saints [Shenjtorët], 1:166–168.

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Doktrina e Besëlidhje 89

ikona e seminarit
Zoti më dha Fjalën e Urtësisë që të më ndihmojë të jem i shëndetshëm në trup dhe shpirt.

Kur pleqtë në Shkollën e Profetëve fillimisht e dëgjuan Jozef Smithin të lexonte Fjalën e Urtësisë, ata menjëherë “i flakën në zjarr çibukët e tyre dhe kallëpet e duhanit që përtypnin” (Saints [Shenjtorët], 1:168). Ata donin të tregonin gatishmërinë e tyre për t’iu bindur Zotit. Ndoshta ju i keni “flak[ur]” tashmë nga jeta juaj lëndët kundër të cilave na paralajmëron Fjala e Urtësisë, por ç’gjë tjetër mund të mësoni nga kjo zbulesë? Merrini parasysh këto ide:

  • Mendoni për zbulesën si “një parim me premtim” (vargu 3) – të vërteta jetëgjata që na udhërrëfejnë në marrjen e vendimeve. Çfarë parimesh gjeni që mund t’ju udhërrëfejnë për vendimet tuaja? Çfarë bekimesh premton Zoti? (Shihni vargjet 18–21.) Si i ka përmbushur Ai këto premtime në jetën tuaj?

  • Çfarë shembujsh keni parë të “djallëzive dhe planeve … në zemrat e njerëzve komplotues” në lidhje me Fjalën e Urtësisë? (Vargu 4.) Krahas kësaj zbulese, çfarë ka dhënë Zoti që t’ju ndihmojnë t’i shmangni ose mposhtni këto djallëzi?

  • Çfarë ju mëson kjo zbulesë rreth Zotit? Si lidhet Fjala e Urtësisë me vargjet te Doktrina e Besëlidhje 29:34–35?

  • Çfarë nxiteni të bëni për t’u kujdesur më mirë për trupin tuaj?

Mund të keni pasur mundësi t’ua shpjegoni të tjerëve arsyen pse e jetoni Fjalën e Urtësisë dhe mund të keni më tepër mundësi në të ardhmen. Merreni parasysh si mund t’i përdorni këto mundësi për të dëshmuar për Shpëtimtarin, shenjtërinë e trupave tanë dhe të vërteta të tjera shpirtërore. Për ide, shihni pjesën “Trupi juaj është i shenjtë”, Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve, f. 22–29.

Shihni edhe te 1 Korintasve 6:19–20; Tomas S. Monson, “Parime dhe Premtime”, Liahona, nëntor 2016, f. 78–79; Tema dhe Pyetje, “Word of Wisdom” [“Fjala e Urtësisë”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “The Word of Wisdom”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 183–191; “Varësia”, “Physical Health” [“Shëndeti Fizik”], Ndihmë për Jetën [Life Help], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

4:39

Principles and Promises

President Monson testifies of the blessings that come as we obey the Word of Wisdom.

Mësojini dhe jepiuni mësim nëpërmjet parimeve. Në vend që të krijojmë lista me gjërat që duhen bërë dhe nuk duhen bërë, ne mund të jetojmë sipas parimeve për të ushtruar lirinë tonë të zgjedhjes dhe besimin te Krishti. Për shembull, merrni parasysh pyetje të bazuara te parimet si këto në lidhje me Fjalën e Urtësisë: Cilat parime mund t’i japin zemër dikujt që e ka të vështirë t’i bindet Fjalës së Urtësisë? Cilat parime mund të më ngushëllojnë kur kam probleme shëndetësore pavarësisht se e jetoj Fjalën e Urtësisë?

grua duke bërë joga

Ati Qiellor dëshiron që ne të kujdesemi për trupat tanë.

Doktrina e Besëlidhje 90:1–17

Presidenca e Parë mban “çelësat e mbretërisë”.

seksionin 90, Zoti dha udhëzime rreth “shërbesë[s] dhe … presidenc[ës]” (vargu 12) së Jozef Smithit, Sidni Rigdonit dhe Frederik G. Uilliamsit – anëtarët e asaj që tani e quajmë Presidenca e Parë. Çfarë mësoni rreth Presidencës së Parë nga vargjet 1–17? Merreni parasysh të rishikoni mesazhe të kohëve të fundit nga anëtarë të Presidencës së Parë. Çfarë bëjnë ata që të “vendos[in] në rregull gjithë punët e kësaj kishe dhe mbretërie”? (Vargu 16.) Si mund ta tregoni që ato nuk janë një “gjë me pak vlerë” për ju? (Vargu 5.)

Merreni parasysh t’i këndoni ose lexoni fjalët e këngës “Eja, Zën’ e Profetit D’gjo” (Himne, nr. 15) ose të një kënge tjetër rreth profetëve, të cilat lidhen me mësimet në këto vargje. Si ju ka ndihmuar shërbimi i Presidencës së Parë që t’i njihni Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

Doktrina e Besëlidhje 90:24

“Gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën [time].”

Përsiatni ndonjë përvojë që keni pasur, e cila dëshmon për premtimin e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 90:24. Merrni parasysh t’i mbani shënim përvojat tuaja dhe t’ia tregoni ato një pjesëtari të familjes ose një njeriu që e doni – ndoshta dikujt që ka nevojë për t’u siguruar sërish apo për t’u inkurajuar. Nëse ende po prisni për disa bekime të caktuara, përsiatni se çfarë mund të bëni që të mbeteni besnikë teksa prisni për të parë se si “gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj”.

Doktrina e Besëlidhje 90:28–31

Kush ishte Viena Xheksi?

Viena Xheksi u lind më 10 qershor 1787, në Masaçusets. Një grua me besim, e cila kishte mjete të shumta financiare, Viena i takoi fillimisht misionarët në vitin 1831. Pasi mori një dëshmi shpirtërore se mesazhi i tyre ishte i vërtetë, ajo udhëtoi që të takonte Profetin në Kirtland të Ohajos, vendin ku ajo u pagëzua.

Viena iu bind këshillës së Zotit që iu dha asaj te Doktrina e Besëlidhje 90:28–31. Përkushtimi i saj ndaj Zotit, që përfshiu dhurimet që kishte bërë më parë në Kirtland, erdhi në një kohë vendimtare për Kishën, kur udhëheqësit po përpiqeshin të blinin tokën ku do të ndërtohej Tempulli i Kirtlandit. Viena ishte “besnike, dhe [jo] … përtace” gjatë gjithë jetës së saj dhe përfundimisht mundi të “vendose[j] në paqe” (vargu 31) në luginën e Solt‑Lejkut, ku vdiq në moshën 96‑vjeçare.

Doktrina e Besëlidhje 91

“Shpirti e manifeston të vërtetën.”

Ne të gjithë hasim mesazhe që përmbajnë “shumë gjëra … të cilat janë të vërteta” dhe “shumë gjëra … që nuk janë të vërteta” (Doktrina e Besëlidhje 91:1–2). Çfarë këshille gjeni te seksioni 91 që mund t’ju ndihmojë ta dalloni të vërtetën në mesazhet që hasni? Si ju ka ndihmuar Shpirti që ta dalloni të vërtetën nga e gabuara?

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona 02 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Doktrina e Besëlidhje 89

Fjala e Urtësisë më ndihmon të jem i shëndetshëm në trup dhe shpirt.

  • Për të paraqitur seksionin 89, ndoshta ju dhe fëmijët tuaj mund të vështroni një fotografi të një tempulli ose të këndoni një këngë rreth shëndetit fizik, të tillë si “Zoti më Dha një Tempull” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 73) për t’u mësuar që trupat tanë janë si tempuj për shpirtrat tanë. Ndihmojini fëmijët tuaj të interpretojnë me gjeste mënyrat se si mund të kujdesen për trupat e tyre.

  • Për të mësuar rreth urdhërimeve të Zotit te Doktrina e Besëlidhje 89:10–17, ju dhe fëmijët tuaj mund të vizatoni ose të vështroni figura të gjërave të mira që mund t’i hamë ose bëjmë për t’i mbajtur të shëndetshëm trupat tanë (shiheni figurën dhe faqen e veprimtarisë në fund të këtij përvijimi). Për çfarë na ka paralajmëruar Zoti që të mos i përdorim? Përse dëshiron Ai që të kujdesemi për trupat tanë?

  • Plaku Geri E. Stivenson i këshilloi të rinjtë e të rejat që të planifikojnë që më parë se çfarë do të bëjnë kur të tundohen me alkool ose droga. Ai dha mësim: “Ju do ta kuptoni se tundimet kanë më pak kontroll mbi ju. Ju do ta keni marrë tashmë vendimin se si do të reagoni dhe se çfarë do të bëni. Nuk do t’ju duhet të vendosni [çdo] herë” (“Libri Juaj me Skema i Priftërisë”, Liahona, maj 2019, f. 48). Pasi të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 89:4 dhe thënien e Plakut Stivenson, këshillohuni me fëmijët tuaj për mënyrën se si ata mund të vendosin tani, për gjithë pjesën tjetër të jetës së tyre, që ta jetojnë Fjalën e Urtësisë. Mund edhe të interpretoni me role mënyrën se si ata mund të përgjigjen nëse dikush, madje një mik/e, u ofron diçka që është kundër Fjalës së Urtësisë. Si na bekon Zoti ndërsa i bindemi Fjalës së Urtësisë? (Shihni vargjet 18–21.)

fëmijë duke luajtur në plazh

Trupat tanë janë dhurata nga Perëndia.

Doktrina e Besëlidhje 90:5

Perëndia më jep profetë për të më udhërrëfyer dhe mbrojtur.

  • Mund të vështroni figura të profetëve të lashtë ose të këndoni një këngë si “Ndiqe Profetin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 58–59). Si i ka bekuar Perëndia fëmijët e Tij nëpërmjet profetëve të Tij? Pse duhet t’i dëgjojmë profetët e Perëndisë? (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 90:5.) Më pas ju dhe fëmijët tuaj mund të vështroni fotografinë e profetit të gjallë dhe të tregoni disa gjëra që Zoti na i ka mësuar ose për të cilat na ka paralajmëruar nëpërmjet tij. Si mund ta ndjekim profetin?

Doktrina e Besëlidhje 91

Shpirti mund të më ndihmojë të di se çfarë është e vërtetë.

  • Mund ta përmblidhni kreun e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 91 për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të kuptojnë pse u dha kjo zbulesë. Ata më pas mund të mendojnë për vende, të tilla si në mjetet e komunikimit, ku gjejmë “shumë gjëra … të cilat janë të vërteta” dhe “shumë gjëra … që nuk janë të vërteta” (vargjet 1–2). Çfarë na mësojnë vargjet 4–6 për Frymën e Shenjtë? Si na ndihmon Fryma e Shenjtë të dimë atë që është e drejtë?

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

fruta e perime

“Gjithë drithi është i mirë për ushqimin e njeriut; po ashtu sikurse fruti i vreshtit.”

faqja e veprimtarisë për fëmijët