“Zëra të Rivendosjes: Shfaqjet Shpirtërore dhe Tempulli i Kirtlandit’’, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Shfaqjet Shpirtërore dhe Tempulli i Kirtlandit”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
Zëra të Rivendosjes
Shfaqjet Shpirtërore dhe Tempulli i Kirtlandit
Më poshtë janë fjalë të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që ishin në Tempullin e Kirtlandit gjatë përkushtimit të tij dhe në mbledhjet e tjera që pasuan. Shumë shenjtorë i krahasuan përvojat e tyre me ato që përjetuan shenjtorët në lashtësi kur u “v[eshën] me pushtet nga lart” ditën e Rrëshajave (Lluka 24:49; shihni edhe te Veprat e Apostujve 2:1–4; Doktrina e Besëlidhje 109:36–37).
Eliza R. Snou
“Ceremonitë e atij përkushtimi mund të ritregohen, por asnjë gjuhë njerëzore nuk mund t’i përshkruajë shfaqjet qiellore të asaj dite të paharrueshme. Disave iu shfaqën engjëj, ndërkohë që një ndjesi e pranisë hyjnore u kuptua nga të gjithë të pranishmit, dhe çdo zemër u mbush me një ‘hare të patregueshme dhe plot lavdi’.”
Silvia Katlër Uebi
“Një nga kujtimet e mia më të hershme ishte përkushtimi i tempullit. Babai na mori në prehër dhe na tha përse po shkonim dhe se çfarë domethënie kishte përkushtimi i një shtëpie për Perëndinë. Edhe pse ishim tepër të vegjël në atë kohë, rasti më kujtohet shumë qartë. Mund ta hedh vështrimin pas ndër vite dhe të shoh po atë që pashë atëherë, Jozef Profetin, duke qëndruar me duar të ngritura drejt qiellit, fytyrën e tij të zbehtë, lotët që i rridhnin në faqe ndërsa fliste në atë ditë të paharrueshme. Thuajse të gjithë dukeshin se ishin me lot në sy. Shtëpia ishte kaq e mbushur me njerëz sa fëmijët kryesisht ishin të ulur në prehrin e njerëzve më të moshuar; motra ime u ul në prehrin e babait, unë në prehrin e nënës sime. Mund të mbaj mend edhe fustanet që veshëm. Mendja ime ishte shumë e re në atë kohë për të rrokur rëndësinë e plotë të të gjithë situatës, por ndërsa koha kalonte, e kuptova atë shumë më kthjellët dhe jam shumë mirënjohëse që pata privilegjin të isha atje.”
Oliver Kaudëri
“Në mbrëmje u takova me drejtuesit e kishës në shtëpinë e Zotit. Shpirti u derdh – unë pashë lavdinë e Perëndisë, si një re të madhe, që zbriti dhe qëndroi mbi shtëpinë, dhe e mbushi atë sikurse një erë që fryn furishëm. Pashë gjithashtu gjuhë të flakta, si prej zjarri, të qëndronin mbi shumë veta … ndërkohë që ata flisnin në gjuhë të tjera dhe profetizonin.”
Benxhamin Brauni
“[U] panë shumë vegime. Dikush pa një jastëk ose re që qëndronte mbi shtëpinë, e shndritshme siç ndriçon dielli mbi një re me ngjyrë të artë. Dy të tjerë panë tre persona duke qëndruar pezull në dhomë me çelësa të shndritshëm në duar, si edhe një zinxhir të shndritshëm në duart e tyre.”
Orson Prati
“Perëndia ishte atje, engjëjt e Tij ishin atje, Fryma e Shenjtë ishte mes njerëzve … dhe ata u mbushën që nga maja e kokës e deri te shputat e këmbëve me fuqinë dhe frymëzimin e Frymës së Shenjtë.”
Nensi Naomi Aleksandër Trejsi
“[Kur] tempulli përfundoi dhe u përkushtua … ato ishin dy nga ditët më të lumtura të jetës sime. Himni i përshtatshëm që u kompozua për rastin, ishte ‘Shpirti i Per’ndis’ si një Zjarr ja po Digjet’. Ishte më se e vërtetë që Ndikimi Qiellor qëndroi mbi atë shtëpi. … E ndjeva se ishte qielli mbi tokë.”