Eja, Më Ndiq
Zëra të Rivendosjes: Burgu i Libertisë


“Zëra të Rivendosjes: Burgu i Libertisë”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)

“Burgu i Libertisë”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025

ikona zëra të rivendosjes

Zëra të Rivendosjes

Burgu i Libertisë

Ndërsa ishte i burgosur në Liberti të Misurit, Jozef Smithi mori letra që e vunë në dijeni rreth gjendjes së rrezikshme të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, të cilët po dëboheshin nga shteti me urdhër të guvernatorit. Një letër mallëngjyese i erdhi nga bashkëshortja e tij, Ema. Fjalët e saj dhe letrat e Jozefit si përgjigje, shprehin vuajtjet e tyre si edhe besimin e tyre gjatë kësaj kohe të vështirë në historinë e Kishës.

Burgu i Libertisë

Jozef Smithi dhe të tjerët u mbajtën në këtë burg në dimrin e vitit 1838–1839.

Letër nga Ema Smithi drejtuar Jozef Smithit, 7 mars 1839

“I dashur bashkëshort,

Duke qenë se kam mundësinë ta dërgoj letrën me një mik, po bëj përpjekje për të shkruar, por nuk do të përpiqem të shkruaj gjithë ndjenjat e mia njëherësh, pasi situata në të cilën je, muret, hekurat dhe shulat e dyerve, lumenjtë vërshues, rrëketë e rrjedhshme, kodrat e përpjeta, luginat e thella dhe rrafshinat e gjera që na ndajnë, dhe padrejtësia mizore që të hodhi fillimisht në burg dhe që të mban atje akoma, bashkë me shumë arsye të tjera, më bëjnë që të mos gjej fjalë për t’i përshkruar ndjenjat e mia.

Po të mos isha e vetëdijshme për pafajësinë dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të mëshirës hyjnore, jam shumë e sigurt se nuk do të kisha qenë kurrë në gjendje të duroja skenat e vuajtjes që kam kaluar … , por jam ende gjallë dhe jam ende e gatshme të vuaj më shumë, në qoftë se është vullneti i Perëndisë së dashur, që unë duhet të vuaj për hirin tënd.

Tani për tani jemi mirë të gjithë, përveç Frederikut që është tepër i sëmurë.

Aleksandri i vogël, që tani e kam në krahë, është fëmija më i bukur që mund të kesh parë ndonjëherë në jetën tënde. Është kaq i fortë sa mund të vrapojë rreth e qark dhomës me ndihmën e një karrigeje. …

Askush përveç Perëndisë nuk i di mendimet e mendjes sime dhe ndjenjat e zemrës sime kur lashë pas shtëpinë tonë dhe thuajse gjithçka që zotëronim, me përjashtim të fëmijëve tanë të vegjël dhe mora rrugën për të ikur nga shteti i Misurit, duke të të lënë ty të mbyllur në atë burg të shkretë. Por ai kujtim është më i rëndë nga ç’duhet të durojë natyra njerëzore. …

… Shpresoj që ende të na vijnë ditë më të mira në të ardhmen. … Jam përgjithmonë jotja, plot dashuri.

Ema Smithi”

Letër nga Jozef Smithi drejtuar Ema Smithit, 4 prill 1839

“E dashur dhe e dhembshur bashkëshorte.

Të enjten mbrëma, u ula tamam kur dielli po perëndonte, siç po e shikonim vjedhurazi përmes shufrave të dritareve të këtij burgu të shkretë, për të të shkruar ty, që të ta bëj të ditur gjendjen time. Besoj se tani, janë bërë rreth pesë muaj dhe gjashtë ditë që kur jam nën ngërdheshjen e një roje natë e ditë dhe brenda mureve, hekurave dhe dyerve prej hekuri që kërcasin të një burgu të shkretë, të errët e të pistë. Me emocione që vetëm Perëndia i di, e shkruaj këtë letër. Në rrethana të tilla, soditjet e mendjes për t’ia përshkruar apo shprehur qenies njerëzore që nuk e ka provuar kurrë, atë që ne provojmë, i bëjnë sfidë penës ose gjuhës, apo engjëjve. … Ne mbështetemi te krahu i Jehovës dhe tek askush tjetër për çlirimin tonë dhe nëse Ai nuk e bën, nuk do të bëhet, të jesh e sigurt, pasi ka etje të madhe për gjakun tonë në këtë shtet; jo ngaqë jemi fajtorë për ndonjë gjë. … Ema ime e dashur, mendoj vazhdimisht për ty dhe fëmijët. … Dëshiroj t’i shoh Frederikun e vogël, Jozefin, Xhulian, Aleksandrin, Xhoanën dhe majorin plak [qenin e familjes]. … Me gëzim do të vija që këtu deri tek ty, i zbathur, e kokëzbuluar, e gjysmë i zhveshur që të të shihja dhe do ta mendoja kënaqësi të madhe, dhe kurrë nuk do ta quaja si mundim. … Po e duroj me guxim gjithë zgjedhën time; po kështu bëjnë dhe ata që janë me mua; as dhe një prej nesh nuk është zmbrapsur ende. Dua prej teje që [të] mos i lësh [fëmijët tanë] të më harrojnë. Thuaju atyre se Babai i do me një dashuri të përkryer dhe se po bën gjithçka mundet që t’i shpëtojë turmës dhe të vijë tek ata. … Thuaju atyre që Babai thotë se ata duhet të jenë fëmijë të mirë dhe t’i binden nënës së tyre. …

I yti,

Jozef Smith i Riu”

Shënime

  1. Letter from Emma Smith, 7 mars 1839”, Letterbook 2, f. 37, josephsmithpapers.org; germëzimi, pikësimi dhe gramatika të modernizuara.

  2. Letter to Emma Smith, 4 prill 1839”, f. 1–3, josephsmithpapers.org; germëzimi, pikësimi dhe gramatika të modernizuara.

  3. Jozefi dhe shoqëruesit e tij u arrestuan më 31 tetor 1838 dhe u mbajtën nën vëzhgim të rreptë ditë e natë. Pas një gjyqi paraprak në Riçmond të Misurit, ata i çuan në burgun e Libertisë më 1 dhjetor.