Eja, Më Ndiq
6–12 Tetor: “Unë do t’i Urdhëroj të Gjitha Gjërat për të Mirën Tuaj”: Doktrina e Besëlidhje 111–114


“6–12 Tetor: ‘Unë do t’i Urdhëroj të Gjitha Gjërat për të Mirën Tuaj’: Doktrina e Besëlidhje 111–114”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)

“Doktrina e Besëlidhje 111–114”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025

Jozefi Smithi duke dhënë mësim në Tempullin e Kirtlandit

6–12 Tetor: “Unë do t’i Urdhëroj të Gjitha Gjërat për të Mirën Tuaj”

Doktrina e Besëlidhje 111–114

A keni pasur ndonjëherë një përvojë shpirtërore që ju bëri të ndiheshit me besim te vetja dhe të sigurt në besimin tuaj te Krishti, por më pas mundimet e jetës e vunë në provë besimin tuaj dhe e gjetët veten duke pasur vështirësi për të rifituar paqen që ndienit më parë? Shenjtorëve në Kirtland u ndodhi diçka e ngjashme. Më pak se një vit pas dhurimeve shpirtërore që patën lidhje me përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit, lindën telashet. Një krizë financiare, mosmarrëveshja në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve dhe sprova të tjera bënë që shumë shenjtorë të lëkundeshin në besimin e tyre pavarësisht nga përvojat e tyre të mëparshme.

Ne nuk mund t’i shmangim sprovat, kështu që si mund t’i pengojmë që të mos na e kërcënojnë besimin dhe dëshminë tonë? Ndoshta një pjesë e përgjigjes mund të gjendet në këshillën e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 112, që u dha gjatë kohës që po shtohej fatkeqësia në Kirtland. Zoti tha: “Pastrojini zemrat tuaja përpara meje” (vargu 28), “Mos ngrini krye” (vargu 15), “Ngjishi ijët e tua për punën” (vargu 7) dhe “Ji i përulur” (vargu 10). Teksa e ndjekim këtë këshillë, Zoti do të na “udhëheqë përdore” përmes fatkeqësisë dhe drejt shërimit e paqes (shihni vargjet 10, 13).

ikona e studimit

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Doktrina e Besëlidhje 111

Zoti mund “t’i urdhëroj[ë] të gjitha gjërat për të mirën [time]”.

Deri në vitin 1836, Kisha kishte hyrë në shumë borxhe gjatë kryerjes së veprës së Zotit. Jozef Smithi dhe të tjerë shqetësoheshin për këto borxhe dhe shqyrtonin mënyra se si t’i shlyenin ato (shihni kreun e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 111).

Ndërsa lexoni seksionin 111, merreni parasysh se si fjalët e Zotit drejtuar Jozefit mund të gjejnë zbatim për ju dhe për gjërat që ju shqetësojnë. Për shembull, kur e keni ndier dashurinë e Perëndisë “pavarësisht nga marrëzitë tuaja” (vargu 1)? Si ju ka ndihmuar Zoti të gjeni “thesar[e]” të papritura (vargu 10)? Çfarë ka bërë Ai për t’i “urdhër[uar] të gjitha gjërat për të mirën tuaj” (vargu 11)? Çfarë ju mëson rreth Atit Qiellor fraza “aq shpejt sa ju jeni në gjendje t’i merrni ato”?

Shihni edhe te Mateu 6:19–21, 33; “More Treasures Than One”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 229–234.

Doktrina e Besëlidhje 112:3–15, 22

ikona e seminarit
Zoti do të më udhëheqë ndërsa e kërkoj përulësisht vullnetin e Tij.

Tomas B. Marshi, Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u mërzit që Jozef Smithi, pa u konsultuar me të, kishte thirrur dy anëtarë të kuorumit të tij për të predikuar ungjillin në Angli. Ai u takua me Profetin, i cili mori një zbulesë që e ndihmoi Tomasin ta linte mënjanë hatërmbetjen. Ajo zbulesë shënohet te Doktrina e Besëlidhje 112.

Mbajeni këtë kontekst në mendje teksa studioni seksionin Doktrina e Besëlidhje 112. Çfarë gjeni që mund ta ketë shëruar hatërmbetjen e Tomasit? Në vargjet 3–15 dhe 22, mund të kërkoni përgjigje për pyetje si këto: Çfarë është përulësia? Çfarë do të thotë që Zoti do të të udhëheqë “përdore”? Si mendoni ju, përse të qenit i/e përulur ju ndihmon ta pranoni udhërrëfimin e Zotit? Mund të gjeni përgjigje të tjera në pjesën “Modeli i Përulësisë” në mesazhin e Plakut Xhozef W. Sitati “Modelet e Dishepullimit” (Liahona, nëntor 2022, f. 87).

Mendoni për dikë që ju e njihni, që është i/e përulur. Çfarë bën ky person për të treguar përulësi? Çfarë mësoni nga Shpëtimtari rreth të qenit i/e përulur? Ndoshta ju mund të gjeni figura të rasteve në jetën e Tij kur Ai tregoi përulësi.

Kur jeni ndier i udhërrëfyer nga Zoti pasi u përulët?

Shihni edhe tek Ulises Soares, “Jini të Bindur dhe të Përvuajtur në Zemër”, Liahona, nëntor 2013, f. 9–11; “The Faith and Fall of Thomas Marsh”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 54–60; Tema dhe Pyetje, “Humility” [“Përulësia”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Përulu”, Himne, nr. 68.

Angazhojini nxënësit. Mendoni se si mund t’i ndihmoni njerëzit të cilëve u jepni mësim, të marrin pjesë aktivisht në të mësuarit e të vërtetave që janë në shkrimet e shenjta. Për shembull, për t’i ndihmuar ata të kuptojnë atë që tha Zoti te Doktrina e Besëlidhje 112:10, mund t’i lidhni sytë dikujt dhe ta udhëhiqni me kujdes për dore nëpër një shteg pengesash të vogla me karrige ose sende të tjera. Çfarë mund të mësojmë rreth përulësisë nga ky demonstrim?

Doktrina e Besëlidhje 112:12–26, 28, 33–34

Ata që kthehen vërtet në besim, arrijnë ta njohin Jezu Krishtin.

Fakti që disa Apostuj në vitin 1837 u kthyen kundër Profetit, është një kujtues i mirë se pavarësisht nga thirrja jonë në Kishë ose se sa shumë dimë për ungjillin, ne duhet të sigurohemi individualisht që ta ushqejmë kthimin tonë në besim te Jezu Krishti. Ndoshta mund të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 112:12–26, 28, 33–34 dhe të kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë të kapërceni një sprovë besimi ose të bëheni më plotësisht të kthyer në besim te Zoti. Mund të ndiheni i/e frymëzuar ta tregoni atë që gjeni, për të ndihmuar dikë tjetër ta forcojë kthimin e vet në besim te Krishti.

Doktrina e Besëlidhje 113

Jozef Smithi ishte “një shërbëtor në duart e Krishtit”.

Profeti Isaia iu referua njërit prej pasardhësve të Isait si një “degëz” dhe një “rrënjë” (Isaia 11:1, 10). Te seksioni 113, Zoti shpjegoi se ky pasardhës, një shërbëtor i Krishtit, do të ishte mjet për mbledhjen e popullit të Zotit në ditët e fundit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 113:4, 6). Kjo profeci e përshkruan mjaft mirë Profetin Jozef Smith. Si mund t’u ketë dhënë zemër shenjtorëve kjo e vërtetë dhe të vërtetat e tjera te seksioni 113 gjatë trazirës që përjetuan në Kirtland? Çfarë gjeni në këtë zbulesë që ju frymëzon të qëndroni i/e fortë dhe të vazhdoni të merrni pjesë në veprën e Zotit sot?

Shihni edhe tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Isai”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; 2 Nefi 21:10–12; Joseph Smith – Historia 1:40.

ilustrim për vargun tek Isaia 11:1

Isaia shkroi për një “degëz” dhe “rrënjët” që do të dalin nga “trungu i Isait” (Isaia 11:1).

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

ikona 01 e pjesës së fëmijëve

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Doktrina e Besëlidhje 111:2, 10–11

Gjërat e Perëndisë mund të jenë një thesar për mua.

  • Ju dhe fëmijët tuaj mund të vizatoni atë që ju vjen ndërmend kur dëgjoni fjalën thesar. Më pas mund të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 111:2, 10–11 dhe të vini përballë thesaret tokësore dhe gjërat që Zoti i çmon si thesare. (Shihni faqen e veprimtarisë së kësaj jave.) Si mund t’i çmojmë më tepër si thesare gjërat e Perëndisë?

Doktrina e Besëlidhje 112:10

Zoti do të më udhëheqë për dore dhe do t’u përgjigjet lutjeve të mia.

  • Pas leximit te Doktrina e Besëlidhje 112:10 së bashku, ju dhe fëmijët tuaj mund të këndoni bashkë këngën “Përulu” (Himne, nr. 68). Mund edhe të bëni një lojë që përfshin udhëheqjen e njëri‑tjetrit “për dore” (të tillë si një shteg pengesash). Si na udhëheq Zoti “për dore”, ndonëse nuk është fizikisht me ne? Pse kemi nevojë që Zoti të na udhëheqë? Kur e kemi ndier Zotin të na udhëheqë?

  • Ju ose fëmijët tuaj mund të shkruani fjalët që gjenden te Doktrina e Besëlidhje 112:10 dhe të nënvizoni bekimet që na jep Zoti kur ne i drejtohemi Atij përulësisht. Nxitini fëmijët tuaj të tregojnë raste kur ata kërkuan me përulësi ndihmën e Zotit dhe morën përgjigje për lutjet e veta ose u udhëhoqën të bënin diçka të mirë (shihni te Moroni 7:13, 16).

Jezusi duke shëruar një fëmijë

Hollësi nga Arise and Walk [Çohu dhe Ec], nga Simon Dewey

Doktrina e Besëlidhje 112:11

Jezusi dëshiron që unë ta dua çdo njeri.

  • Ju dhe fëmijët tuaj mund të lexoni me radhë nga “Kapitulli 41: Shqetësime në Kirtland” (te Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 158–160). Cilët në këtë histori i përkeqësuan problemet në Kirtland? Kush po përpiqej t’i përmirësonte ato? Më pas mund të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 112:11 dhe të flisni rreth arsyes pse Shpëtimtari do që ne ta duam gjithkënd. Kur tregoi Ai dashuri për njerëzit që qenë dashakeqë ndaj Tij? (Për shembull, shihni te Lluka 23:34.) Mund edhe të këndoni një këngë rreth dashurisë për të tjerët, të tillë si “Do t’Ec’ me Ty” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 78–79).

2:20

Chapter 41: Trouble in Kirtland: 1837–1838

Doktrina e Besëlidhje 112:11–14, 24–26

Ata që kthehen vërtet në besim, arrijnë ta njohin Jezu Krishtin.

  • Pas leximit te Doktrina e Besëlidhje 112:24–26, ju dhe fëmijët tuaj mund të flisni rreth asaj si ndryshon fakti që i dini emrin dikujt me faktin që e njihni atë. Çfarë mësimesh nga vargjet 11–14 na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë do të thotë të njohim Zotin?

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Tomas B. Marshi shkruan zbulesën që iu dha atij nëpërmjet Jozef Smithit.

Be Thou Humble [Ji i Përulur], nga Julie Rogers

faqja e veprimtarisë për fëmijët