“20–26 Tetor: ‘O Perëndi, Ku Je Ti?’: Doktrina e Besëlidhje 121–123”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 121–123”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
20–26 Tetor: “O Perëndi, Ku Je Ti?”
Doktrina e Besëlidhje 121–123
Kati i poshtëm i burgut në Liberti të Misurit, njihej si “biruca”. Muret ishin të trasha, dyshemeja e gurtë ishte e ftohtë dhe e pistë, ushqimi qe i paktë dhe i prishur, dhe dy dritaret e ngushta me shufra hekuri afër tavanit lejonin të hynte shumë pak dritë. Ky është vendi ku Jozef Smithi dhe disa të tjerë kaluan katër muaj të acartë gjatë dimrit të vitit 1838–1839. Gjatë kësaj kohe, Jozefi po merrte vazhdimisht lajme rreth vuajtjeve të shenjtorëve. Paqja dhe optimizmi i ndier në Far‑Uest kishin zgjatur vetëm pak muaj dhe tani shenjtorët kishin mbetur sërish të pastrehë, të dëbuar në vendin e shkretë ende në kërkim të një vendi tjetër për t’ia nisur nga e para, kësaj here me Profetin e tyre në burg.
Prapëseprapë, edhe në atë burg të mjerueshëm, “dituri[a] … prej qiellit” u “derdh” (Doktrina e Besëlidhje 121:33). Pyetja e Jozefit: “O Perëndi, ku je ti?”, mori përgjigje të qartë dhe të fuqishme: “Mos ki frikë … , sepse Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë” (Doktrina e Besëlidhje 121:1; 122:9).
Shihni te Saints [Shenjtorët], 1:323–396; “Within the Walls of Liberty Jail”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 256–263.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Doktrina e Besëlidhje 121:1–10, 23–33; 122
Me Perëndinë, fatkeqësitë mund të “jenë për të mirën [time]”.
Kur ne ose njerëzit që i duam, jemi duke vuajtur, është normale ta pyetim veten a është Perëndia në dijeni për ne. Teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 121:1–6, mendoni për rastet kur keni pasur pyetje ose ndjenja të ngjashme me ato të Jozef Smithit. Çfarë gjeni te përgjigjja e Zotit që mund t’ju ndihmojë kur keni këto pyetje ose ndjenja? Për shembull, në vargjet 7–10, 26–33, vërejini bekimet që premton Ai. Çfarë mendoni se do të thotë “duron mirë”? Si ju ndihmon Shpëtimtari që ta bëni këtë gjë?
Teksa e lexoni seksionin 122, merrni parasysh se si Zoti dëshiron që ju t’i shihni fatkeqësitë tuaja. Mund t’i përsiatni përvojat që kanë ardhur nga sprovat tuaja dhe mënyrat se si mund të jenë “për të mirën t[uaj]” (vargu 7).
Shihni edhe te Kuentin L. Kuk, “Paqja Vetjake në Kohë Sfiduese”, Liahona, nëntor 2021, f. 89–92; “Ku Mund të Gjej Paqe?”, Himne, nr. 67.
Doktrina e Besëlidhje 121:34–46
Fuqia dhe ndikimi i vërtetë bazohen te “parime[t e] drejtësisë”.
Fuqia e botës i detyroi shenjtorët të largoheshin nga Misuri dhe e futi Jozef Smithin në burg. Por ndërkohë që Jozefi ishte atje, Zoti i mësoi atij një lloj të ndryshëm fuqie: Fuqinë e Tij, “fuqitë e qiellit”. Të lexuarit rreth asaj fuqie te Doktrina e Besëlidhje 121:34–46 mund t’ju ndihmojë të mësoni se si ta merrni atë fuqi dhe se si ta përdorni atë për të bekuar të tjerët. Ndoshta mund ta shënoni atë që mësoni, në një tabelë me kolona të emërtuara Fuqitë e Qiellit dhe Fuqia e Botës. Ku ndryshojnë këto dy lloj fuqish? Çfarë ju mësojnë rreth Tij këto përshkrime për fuqinë e Zotit?
Mund edhe të përsiatni fjalën ndikim te vargu 41. Cilat janë disa situata në të cilat doni të jeni një ndikim për mirë, ndoshta në një marrëdhënie familjare, në shkollë, në punë ose në një detyrë në Kishë? Çfarë mësoni nga vargjet 41–46 rreth mënyrës se si Perëndia ndikon te fëmijët e Tij? Mund ta përmblidhni atë që mësoni, duke përfunduar një fjali si kjo: “Për të ndikuar për mirë, unë do të ”.
Shihni edhe te Xhefri R. Holland, “Jo si e Jep Bota”, Liahona, maj 2021, f. 35–38; Dejvid A. Bednar, “Fuqitë e Qiellit”, Liahona, maj 2012, f. 48–51; “The Powers of Heaven” [“Fuqitë e Qiellit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Jezu Krishti ka zbritur nën të gjitha gjërat që Ai të mund të më ngrejë shpirtërisht.
Çfarë mendoni se do të thotë që Jezu Krishti “zbrit[i] nën … të gjitha [gjërat]”? Ja disa vargje shtesë që mund t’ju ndihmojnë ta kuptoni këtë frazë: Isaia 53:3–4; Hebrenjve 2:17–18; 1 Nefi 11:16–33; Alma 7:11–13. Në bazë të asaj që mësuat, merreni parasysh ta riformuloni vargun te Doktrina e Besëlidhje 122:8 me fjalët tuaja. Si mund t’ia tregoni mirënjohjen tuaj Jezu Krishtit për faktin që zbriti nën të gjitha gjërat?
Si ndikon kjo pikëpamje nga Presidenti Dallin H. Ouks te kuptueshmëria juaj? “Ne madje mund të themi se duke zbritur nën gjithçka, [Jezu Krishti] është përsosurisht në gjendje të na ngrejë dhe të na japë forcën që na duhet për t’i duruar hidhërimet tona” (“Të Forcuar nga Shlyerja e Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2015, f. 64).
“Le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë.”
Te Doktrina e Besëlidhje 123:7–8, Jozef Smithi iu referua bindjeve të rreme që çuan në vuajtje, përfshirë përndjekjen e shenjtorëve. Në mars 1839, mund të dukej sikur shenjtorët nuk kishin ndonjë gjë të madhe në dorë. Por në letrat që i shkroi nga burgu i Libertisë, Jozefi u tha atyre se çfarë mund të bënin: “Mbl[idhni] dituri të të gjitha fakteve” dhe “qëndro[ni] të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 123:1, 17). Teksa merrni parasysh problemet në botë sot, mendoni për mënyra se si t’i trajtoni ato që “janë në fuqinë [tuaj]” (vargjet 12, 17). Mos i shpërfillini “gjëra[t e] vogla” në dukje (vargu 15). Përse është e rëndësishme që t’i bëjmë këto gjëra “me gëzim”? (Vargu 17.)
Shumë prej rrëfimeve që Jozefi i kërkoi në këtë letër, iu dorëzuan qeverisë dhe u botuan si një seri me 11 pjesë në një gazetë të Navusë, Times and Seasons (shihni tek “A History, of the Persecution, of the Church of Jesus Christ, of Latter Day Saints in Missouri, December 1839–October 1840” [josephsmithpapers.org]).
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Doktrina e Besëlidhje 121:1–9; 122:7–9
Me Perëndinë, sprovat e mia mund të jenë për të mirën time.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të përfytyrojnë se si do të kishte qenë për Jozef Smithin dhe miqtë e tij burgu i Libertisë, mund të lexoni së bashku te “Kapitulli 46: Jozef Smithi në Burgun e Libertisë” (në Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 173–175) ose “Zëra të Rivendosjes: Burgu i Libertisë” ose shikoni një pjesë të materialit filmik “Joseph Smith: Prophet of the Restoration” [“Jozef Smithi – Profeti i Rivendosjes]” (Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], duke filluar nga minuta 41:30). Më pas, ndërsa lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 121:1–9, mund të flisni rreth mënyrës se si Shpëtimtari e ndihmoi Jezusin të ndiejë paqe. Si gjejmë paqe te Shpëtimtari, edhe gjatë periudhave të vështira?
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të kuptojnë që sprovat tona mund “të jenë për të mirën t[onë]” (Doktrina e Besëlidhje 122:7), ju mund t’u flisni atyre rreth mënyrës se si muskujt tanë rriten kur mbajmë diçka të rëndë. Mund edhe t’i ftoni ata të ngrenë një send të rëndë. Më pas mund të flisni rreth mënyrës se si kalimi i periudhave të vështira mund t’i ndihmojë shpirtrat tanë të rriten teksa i drejtohemi Zotit për ndihmë. Jepni disa shembuj nga jeta juaj.
Doktrina e Besëlidhje 121:34–46
Të qenit të drejtë sjell “fuqitë e qiellit”.
-
Ndoshta një analogji do t’i ndihmojë fëmijët tuaj për t’i kuptuar “fuqitë e qiellit”. Për shembull, mund ta krahasoni fuqinë e Perëndisë me fuqinë elektrike. Çfarë mund ta pengojë një pajisje elektrike që të marrë fuqi elektrike? Çfarë e pakëson fuqinë tonë shpirtërore? Çfarë e shton atë? (Kërkoni fjalë dhe fraza te Doktrina e Besëlidhje 121:34–46; shihni edhe te Manuali i Përgjithshëm, 3.5, 3.6, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].)
Jezu Krishti e di se çfarë po kaloj.
-
Pasi të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 122:7–9 me fëmijët tuaj, mund të tregoni një përvojë kur e ndiet se Shpëtimtari ishte me ju gjatë një sprove të vështirë. Mund edhe të këndoni së bashku një këngë si “Jezusi Dikur një F’mij’ Ishte” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 34) dhe dëshmoni se Jezu Krishti mund të na ndihmojë ngaqë Ai e di se si ndihemi.
Doktrina e Besëlidhje 123:15–17
Edhe gjërat e vogla mund të sjellin një ndryshim të madh në shërbimin e Perëndisë.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj t’i kuptojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 123:15–17, mund t’u tregoni fotografinë e një anijeje të madhe dhe një timoni të vogël ose t’u tregoni atyre shpjegimin e Plakut Dejvid A. Bednar te “Parimet e Ungjillit Tim” (Liahona, maj 2021, f. 125–126). Më pas, mund të flisni rreth mënyrave të vogla se si mund t’u shërbejmë me gëzim familjarëve dhe miqve tanë.