“27 Tetor – 2 Nëntor: ‘Një Shtëpi për Emrin Tim’: Doktrina e Besëlidhje 124”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 124”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
27 Tetor – 2 Nëntor: “Një Shtëpi për Emrin Tim”
Doktrina e Besëlidhje 124
Sado të vështira kishin qenë gjashtë vitet e fundit për shenjtorët, gjërat filluan të merrnin për mbarë në pranverën e vitit 1839: Shenjtorët e shpërngulur kishin gjetur dhembshuri mes qytetarëve të Kuinsit në Ilinois. Rojat i kishin lejuar Jozef Smithin dhe udhëheqës të tjerë të Kishës që të arratiseshin nga robëria në Misuri. Dhe Kisha sapo kishte blerë toka në Ilinois ku shenjtorët të mund të mblidheshin sërish. Po, ishte tokë moçalore, e mbushur me mushkonja, por krahasuar me sfidat që tashmë kishin hasur shenjtorët, kjo ndoshta u duk si diçka e përballueshme. Kështu që ata e thanë moçalin dhe hartuan një statut për një qytet të ri, të cilit ia vunë emrin Navu. Në hebraisht do të thotë “i bukur” edhe pse ishte më tepër një shprehje besimi sesa një përshkrim i saktë, të paktën në fillim. Ndërkohë, Zoti po i jepte mbresa shpirtërore Profetit të Tij me një ndjenjë të ngutshme. Ai kishte më shumë të vërteta dhe ordinanca për të rivendosur dhe Ai kishte nevojë për një tempull të shenjtë ku mund t’i “kurorëzo[nte] [shenjtorët e tij] me nder, pavdekësi dhe jetë të përjetshme” (Doktrina e Besëlidhje 124:55). Në shumë mënyra, po të njëjtat ndjenja besimi dhe ngutjeje janë të dukshme në veprën e Zotit sot.
Shihni te Saints [Shenjtorët], 1:399–427; “Organizing the Church in Nauvoo”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 264–271.
Mësoni më shumë rreth vendeve historike të Kishës në Ilinois.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Doktrina e Besëlidhje 124:2–11
Unë mund t’i ftoj të tjerët të vijnë te Krishti.
Zoti i tha Profetit Jozef Smith t’u “bë[nte] një shpallje solemne për ungjillin [e Tij]” të “gjithë mbretërve të botës” (shihni te Doktrina e Besëlidhje 124:2–11). Nëse e morët këtë detyrë, çfarë do të thuhej në proklamatën tuaj rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij të rivendosur? Përsiatni gjithashtu si mund t’ua jepni dëshminë tuaj normalisht dhe natyrshëm njerëzve me të cilët ndërveproni çdo ditë.
Shihni edhe te “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Doktrina e Besëlidhje 124:12–21
Unë mund të jem një dishepull/e që Zoti i mirëbeson.
Merreni parasysh t’u tregoni të tjerëve, sikurse bëri Shpëtimtari te Doktrina e Besëlidhje 124:12–21, cilësitë si të Krishtit që shihni tek ta. Si jua ka shprehur Ai dashurinë dhe mirëbesimin e Tij?
Shihni edhe te Riçard J. Meinis, “Të Fitoni Mirëbesimin e Zotit dhe të Familjes Suaj”, Liahona, nëntor 2017, f. 75–77.
Doktrina e Besëlidhje 124:22–24, 60–61
Zoti dëshiron që unë t’i mirëpres dhe t’i pranoj të tjerët.
Ndërsa e përsiatni udhëzimin e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 124:22–24, 60–61, mendoni se si mund ta bëni shtëpinë dhe lagjen tuaj një vend si ai që Zoti kishte përfytyruar për Navunë.
Shihni edhe tek “A Friend to All” [“Mik me të Gjithë”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
Doktrina e Besëlidhje 124:25–45, 55
Ne ndërtojmë tempuj për Zotin që të marrim ordinancat e shenjta.
Pse ndieni se Zoti “gjithmonë [e ka] urdhër[uar]” popullin e Tij “të ndërtoj[ë] [tempuj] për emrin [e Tij] të shenjtë”? Merreni parasysh të bëni një listë me arsyet që gjeni te Doktrina e Besëlidhje 124:25–45, 55. Mund të gjeni arsye të tjera në një himn si “Shtëpin’ Tënde Per’ndi, Duam” (Himne, nr. 157) ose në materialin filmik “What Is a Temple?” [“Çfarë Është një Tempull?”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Në ç’mënyrë puna për ndërtimin e tempujve është një shenjë e dashurisë së Zotit për ju?
Qëkurse u ndërtua Tempulli i Navusë në vitet 1840, mbi 300 tempuj janë ndërtuar ose janë njoftuar. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “E dimë se koha jonë e kaluar në tempull është vendimtare për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë dhe për atë të familjeve tona. … Sulmet e kundërshtarit po shtohen në mënyrë eksponenciale, për nga intensiteti dhe larmia. Nevoja jonë për të qenë në tempull rregullisht dhe shpesh nuk ka qenë kurrë më e madhe” (“Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, nëntor 2018, f. 114). Si ju ka ndihmuar tempulli që t’u bëni ballë “sulme[ve të] kundërshtarit”? Me anë të mbresave, çfarë ndieni që të bëni për ta ndjekur këshillën e Presidentit Nelson?
Shihni edhe te “Why Latter-day Saints Build Temples”, temples.ChurchofJesusChrist.org.
Doktrina e Besëlidhje 124:45–55
Zoti i bekon njerëzit që përpiqen fort për t’iu bindur urdhërimeve të Tij.
Shenjtorët ishin urdhëruar që të ndërtonin një tempull në kontenë e Xheksonit në Misuri, por u “penguan prej armiqve të tyre” (Doktrina e Besëlidhje 124:51). Vargjet 49–55 përmbajnë një mesazh sigurie për njerëzit që dëshirojnë t’u binden urdhërimeve të Perëndisë, por pengohen për ta bërë këtë gjë për shkak të rrethanave familjare ose të tjera. Çfarë këshille gjeni në këto vargje që mund ta ndihmojnë dikë që është në një situatë të tillë?
Doktrina e Besëlidhje 124:91–92
Zoti mund të më udhërrëfejë nëpërmjet bekimit tim patriarkal.
Pak pasi i ati i profetit, Jozef Smith Plaku, ndërroi jetë, Zoti e thirri Hajrëm Smithin në thirrjen që kishte mbajtur i ati – Patriark i Kishës. Mund të lexoni për këtë te Doktrina e Besëlidhje 124:91–92.
Si do t’ia përshkruanit bekimin patriarkal dikujt që nuk ka dëgjuar kurrë për të? Çfarë do të thoshit për ta inkurajuar dikë të marrë një të tillë? Kërkojini përgjigjet për këto pyetje në mesazhin e Plakut Randall K. Benet “Bekimi Juaj Patriarkal – Drejtim i Frymëzuar nga Ati Qiellor” (Liahona, maj 2023, f. 42–44) ose Tema dhe Pyetje “Patriarchal Blessings” [“Bekimet Patriarkale”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit].
Bazuar tek ajo që keni studiuar dhe përjetuar, merreni parasysh se si do ta plotësonit këtë fjali: “Një bekim patriarkal është si ”. Pse Ati Qiellor do që fëmijët e Tij të marrin një bekim patriarkal?
Nëse nuk e keni marrë një bekim patriarkal, çfarë mund të bëni që të përgatiteni për një të tillë? Nëse e keni marrë një bekim patriarkal, si mund t’ia tregoni Perëndisë se e çmoni këtë dhuratë?
Shihni edhe te Kazuhiko Jamashita, “Koha Kur ta Merrni Bekimin Tuaj Patriarkal”, Liahona, maj 2023, f. 88–90; Manuali i Përgjithshëm, 18.17, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Doktrina e Besëlidhje 124:15, 20
Jezu Krishtit i pëlqen pa masë integriteti moral.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta kujtojnë atë që mësojnë nga Doktrina e Besëlidhje 124:15, 20, mund t’i ndihmoni ata të vizatojnë dhe presin zemra prej letre. Mbi zemra, mund t’i ndihmoni ata të shkruajnë fraza kyç nga këto vargje. Një këngë si “Mbro Drejtësin’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 81) mund të ndihmojë për t’i përforcuar fjalët e Zotit.
-
Pas leximit së bashku të vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 124:15, 20, ndoshta mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të zbulojnë se çfarë do të thotë të jetojnë me integritet moral te faqja 31 e broshurës Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve. Çfarë tha Zoti posaçërisht për Xhorxh Millerin te vargu 20 “për shkak të integritetit të zemrës së [Xhorxhit]”? Ju gjithashtu mund të jepni shembuj të fëmijëve që po tregojnë integritet moral nga vetë përvoja juaj ose nga revista Miku. Ftojini fëmijët tuaj të vendosin një synim për të treguar integritet moral këtë javë dhe t’ju thonë se si ndihen kur ta bëjnë atë.
Doktrina e Besëlidhje 124:28–29, 39
Jezusi i urdhëron njerëzit e Tij që të ndërtojnë tempuj.
-
Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të vështrojnë fotografi tempujsh, përfshirë një tempull të lashtë dhe një tempull afër vendit ku jetojnë (shihni te ChurchofJesusChrist.org/temples/list). Mund t’i përdorni këto fotografi dhe vargun te Doktrina e Besëlidhje 124:39 për të shpjeguar që Jezu Krishti e ka urdhëruar gjithnjë popullin e Tij të ndërtojë tempuj, në kohët e lashta dhe në kohën tonë (shihni edhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave).
-
Nëse jetoni mjaftueshëm afër një tempulli, merreni parasysh t’i çoni fëmijët tuaj atje dhe të ecni me nderim në territorin përreth tempullit. Ftojini ata të gjejnë fjalët “Shenjtëri Zotit, Shtëpia e Zotit” në pjesën e jashtme të tempullit. Flisni me fëmijët tuaj rreth kuptimit që kanë këto fjalë.
-
Merreni parasysh të përdorni idetë në pjesën “Pagëzimi dhe Konfirmimi për Paraardhësit” te shtojca A për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta presin me padurim ditën kur mund të hyjnë në tempull (shihni edhe pjesën “Tempulli dhe Plani i Lumturisë” te shtojca B).
Doktrina e Besëlidhje 124:91–92
Zoti do të më bekojë nëpërmjet një bekimi patriarkal.
-
Teksa lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 124:91–92, ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë atë që u thirr Hajrëm Smithi të bënte. Flisni rreth asaj se çfarë është një bekim patriarkal: një bekim i veçantë në të cilin Zoti na mëson rreth vetes sonë dhe asaj që Ai do që ne të bëjmë dhe të bëhemi. Merreni parasysh të përdorni pjesën “Marrja e një Bekimi Patriarkal” te shtojca A për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të përgatiten për të marrë një bekim patriarkal.