“Zëra të Rivendosjes: Shoqata e Ndihmës”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Shoqata e Ndihmës”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
Zëra të Rivendosjes
Shoqata e Ndihmës
Në vitin 1842, pasi Shoqata e Ndihmës u organizua në Navu, Ilinois, Profeti Jozef Smith tha: “Kisha nuk qe kurrë e organizuar përsosurisht derisa gratë u organizuan kështu”. Në mënyrë të ngjashme, një studim për Rivendosjen e Kishës së Zotit dhe të priftërisë së Tij nuk është i plotë derisa ai të përfshijë një studim për Shoqatën e Ndihmës, e cila në vetvete është “një rivendosje e një modeli të lashtë” të dishepulleve femra të Jezu Krishtit.
Eliza R. Snou luajti një rol të rëndësishëm në atë rivendosje. Ajo ishte e pranishme kur u organizua fillimisht Shoqata e Ndihmës dhe, si sekretare e shoqatës, mbajti shënime gjatë mbledhjeve. Ajo e dëshmoi personalisht se Shoqata e Ndihmës u organizua “sipas modelit të priftërisë”. Më poshtë janë fjalët e saj, të shkruara ndërkohë që ajo po shërbente si Presidente e dytë e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, për t’i ndihmuar motrat e saj që ta kuptonin veprën hyjnore që iu mirëbesua bijave besëlidhëse të Perëndisë.
Për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si u organizua Shoqata e Ndihmës, shihni te Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2017), f. 1–25; The First Fifty Years of Relief Society (2016), f. 3–175.
Eliza R. Snou
“Ndonëse emërtimi [Shoqatë e Ndihmës] mund të jetë i një date të kohëve tona, institucioni është me një prejardhje të lashtë. Na u tha nga [Jozef Smithi], se e njëjta organizatë ekzistonte në kishë në lashtësi, për të cilën thuhet se është shkruar në disa prej letrave të shënuara te Dhiata e Re, ku përdoret titulli ‘zonjë [e] zgjedhur’ [shihni te 2 Gjon 1:1; Doktrina e Besëlidhje 25:3].
Kjo është një organizatë që nuk mund të ekzistojë pa Priftërinë, nga fakti se i gjithë autoriteti dhe ndikimi i saj rrjedh prej atij burimi. Kur Priftëria u mor nga toka, ky institucion, ashtu si edhe çdo shtojcë tjetër e rendit të vërtetë të Kishës së Jezu Krishtit në tokë, u zhduk. …
Duke qenë e pranishme në organizimin e ‘Shoqatës së Ndihmës së Femrave, të Navusë’, … duke pasur gjithashtu përvojë mjaft të madhe në atë shoqatë, ndoshta mund të shpreh disa këshilla të vogla që do t’i ndihmojnë bijat e Sionit të ecin përpara në këtë pozicion shumë të rëndësishëm, i cili është i mbushur me përgjegjësi të reja dhe të shumta. Nëse ndonjëra nga bijat dhe nënat në Izrael po ndihet sadopak e panevojshme në sferat e tanishme të veprimit, tani ajo do të gjejë një shtrirje të bollshme për çdo fuqi e aftësi për të bërë mirë, gjëra, të cilat i janë dhuruar pa kursim. …
Nëse në mendjen e ndokujt do të ngrihej pyetja: Cili është synimi i Shoqatës së Ndihmës së Femrave? Do të përgjigjesha – për të bërë mirë – për të vënë në përdorim çdo aftësi që zotërojmë për të bërë mirë, jo vetëm në ndihmën ndaj të varfërve, por edhe në shpëtimin e shpirtrave. Me përpjekje të bashkuara do të arrihet në mënyrë të pallogaritshme më shumë nga ç’mund të arrihet nga përpjekjet më të efektshme individuale. …
Për administrimin ndaj të varfërve, Shoqata e Ndihmës e Femrave ka detyra të tjera për të kryer dhe jo thjesht ndihmën në aspektin e nevojave materiale. Varfëria e mendjes dhe një zemër e ligështuar, kërkojnë vëmendje gjithashtu; dhe shumë herë një shprehje dashamirëse – disa fjalë këshilluese, ose një shtrëngim duarsh me ngrohtësi e dashuri, do të bëjë më shumë të mirë dhe do të vlerësohet më shumë sesa një çantë me flori. …
Kur shenjtorët mblidhen nga vende të ndryshme, të huaj për çdo njeri dhe subjekte për t’u çuar në udhë të gabuar nga ata që rrinë në pritje për të mashtruar, Shoqata e [Ndihmës] duhet të jetë e gatshme menjëherë që të kujdeset për [ta] dhe t’i afrojë në shoqatën që do t’i përmirësojë e do t’i ngrejë shpirtërisht dhe, mbi të gjitha, do t’i forcojë ata në besimin tek Ungjilli dhe, duke e bërë këtë, mund të jetë mjet për shpëtimin e shumë njerëzve.
Do të duhen një mori vëllimesh ku të përcaktohen detyrat, privilegjet dhe përgjegjësitë që përfshihen brenda sferës së veprimit të Shoqatës. … Kryejeni punën (nën drejtimin e peshkopit tuaj) me qetësi, pa u kursyer, me energji, të bashkuara e plot lutje dhe Perëndia do t’i kurorëzojë përpjekjet tuaja me sukses.”