“10–16 Nëntor: ‘Unë i Kam Parë Sakrificat e Tua për [t’u] Bindur’: Doktrina e Besëlidhje 129–132”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 129–132”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
10–16 Nëntor: “Unë i Kam Parë Sakrificat e Tua për [t’u] Bindur”
Doktrina e Besëlidhje 129–132
Nëpërmjet Jozef Smithit, Zoti zbuloi ca mistere lidhur me përjetësinë. Madhështia e Perëndisë, lavdia e qiellit dhe gjerësia e përjetësisë mund të duken thuajse gjëra të njohura në dritën e ungjillit të rivendosur, madje edhe për mendjet e kufizuara si tonat. Zbulesat te Doktrina e Besëlidhje 129–132 janë një shembull i mirë. Si është Perëndia? Ai “ka një trup … po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu”. Si është qielli? “Po ai shoqërim që ekziston mes nesh këtu, do të ekzistojë mes nesh atje” (Doktrina e Besëlidhje 130:22, 2). Në fakt, një nga të vërtetat më të gëzueshme rreth qiellit është se ai mund të përfshijë marrëdhëniet tona të vyera familjare, nëse vulosen nga autoriteti i duhur. Të vërteta si këto mund të bëjnë që qielli të duket më afër, i lavdishëm e prapëseprapë i arritshëm.
Por pastaj, ndonjëherë Perëndia mund të na kërkojë të bëjmë gjëra që duken të parehatshme dhe të paarritshme. Për shumë shenjtorë të hershëm, martesa me shumë bashkëshorte ishte një urdhërim i tillë. Ishte një sprovë e rëndë besimi për Jozef Smithin, bashkëshorten e tij, Emën, dhe thuajse për këdo që e mori urdhërimin. Për t’ia dalë mbanë kësaj sprove, atyre u nevojiteshin më shumë sesa thjesht ndjenja të favorshme rreth ungjillit të rivendosur; atyre u nevojitej besim te Perëndia, që shkonte shumë më thellë sesa kjo. Urdhërimi nuk vlen më sot, por shembulli besnik i njerëzve që e jetuan atë, ende vlen. Dhe ky shembull na frymëzon kur na kërkohet të bëjmë vetë “sakrificat [tona] për t’[u] bindur” (Doktrina e Besëlidhje 132:50).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Perëndia do që t’i ekzaltojë fëmijët e Tij.
Ka shumë gjëra që nuk i dimë rreth ekzaltimit ose jetës në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale – llojit të jetës që bën Perëndia. Shumë prej saj mund të jetë përtej aftësisë sonë aktuale për ta kuptuar. Por Perëndia ka zbuluar disa të dhëna të çmuara dhe shumë prej tyre gjenden te Doktrina e Besëlidhje 130–132. Mund t’i lexoni me pyetje të tilla në mendje: Çfarë mësoj rreth Perëndisë? Çfarë mësoj rreth jetës pas vdekjes? Si e bekon jetën time tani ky informacion rreth jetës së përjetshme?
Shihni edhe tek “Our Hearts Rejoiced to Hear Him Speak”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 277–280.
Doktrina e Besëlidhje 130:20–21; 132:5
Perëndia i bekon njerëzit që u binden ligjeve të Tij.
Si do ta shprehnit, me fjalët tuaja, atë që jep mësim Zoti te Doktrina e Besëlidhje 130:20–21 dhe 132:5? Përsiatni se si ky parim është demonstruar në jetën tuaj.
Ndonjëherë, edhe kur jemi të bindur ndaj Perëndisë, bekimet për të cilat shpresojmë, nuk vijnë menjëherë. Si e ruani besimin dhe shpresën tuaj kur ndodh kjo? Kërkoni pikëpamje në mesazhin e Plakut D. Tod Kristoferson “Marrëdhënia Jonë me Perëndinë” (Liahona, maj 2022, f. 78–81).
Shihni edhe te 1 Nefi 17:35; Doktrina e Besëlidhje 82:10.
Doktrina e Besëlidhje 132:13–21
Ati Qiellor bëri të mundur që familjet të jenë të përjetshme.
Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti e rivendosi të vërtetën që marrëdhëniet martesore dhe familjare mund të jenë të përjetshme. Teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 132:13–21, kërkoni fraza që ju ndihmojnë të kuptoni ndryshimin mes asaj që do të “mbetet” dhe asaj që nuk do të “mbetet” përjetësisht. Çfarë mendoni se do të thotë që një marrëdhënie martesore të jetë “prej [Zotit]”? (Vargu 14.)
Në mesazhin e tij “Në Lavdërim të Atyre që Shpëtojnë”, Presidenti Diter F. Uhtdorf i vë në kontrast marrëdhëniet martesore të përjetshme me gjërat që “flaken tej” (Liahona, maj 2016, f. 77–80). Çfarë ju mëson ky kontrast për mënyrën se si ta ushqeni një marrëdhënie martesore ose të përgatiteni për një të tillë? Mendoni për marrëdhëniet tuaja familjare, tani dhe në të ardhmen, ndërsa e lexoni mesazhin e Plakut Uhtdorf. Çfarë gjeni atje që ju jep shpresë te Krishti për marrëdhëniet tuaja familjare?
Presidenti Henri B. Ajring dha këtë këshillë që e mori kur ishte i shqetësuar për situatën e tij familjare: “Ti thjesht jeto i denjë për mbretërinë çelestiale dhe situatat në familje do të jenë më të mrekullueshme nga sa mund t’i përfytyrosh” (në “Një Shtëpi ku Banon Shpirti i Zotit”, Liahona, maj 2019, f. 25). Si mund t’ju ndihmojë kjo këshillë ju ose dikë që e njihni?
Shihni edhe te “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’”, Himne, nr. 195; Tema dhe Pyetje, “Marriage” [“Martesa”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Doktrina e Besëlidhje 132:1–2, 29–40
Martesa me shumë bashkëshorte është e pranueshme për Perëndinë vetëm kur Ai e urdhëron atë.
Shumë njerëz që e kanë lexuar Dhiatën e Vjetër, e pyetin veten rreth Abrahamit, Jakobit, Moisiut dhe të tjerëve që u martuan me shumë bashkëshorte. A ishin duke kryer tradhti bashkëshortore këta shërbëtorë të Zotit? A ua dha pëlqimin Perëndia për martesat e tyre? Jozef Smithi kishte pyetje të ngjashme. Kërkoni përgjigjet që dha Perëndia te Doktrina e Besëlidhje 132:1–2, 29–40.
Martesa midis një burri dhe një gruaje është standardi i Perëndisë për martesën (shihni kreun e seksionit te Deklarata Zyrtare 1; Jakobi [LiM] 2:27, 30). Sidoqoftë, ka pasur periudha kur Perëndia i ka urdhëruar fëmijët e Tij që ta ushtronin martesën me shumë bashkëshorte.
Vitet e para të Kishës së rivendosur ishin njëra nga ato periudha përjashtimi. Nëse doni të mësoni më shumë rreth martesës me shumë bashkëshorte mes shenjtorëve të hershëm, shihni te “Mercy Thompson and the Revelation on Marriage” (në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 281–293); Saints [Shenjtorët], 1:290–292, 432–435, 482–492, 502–504; Tema dhe Pyetje, “Plural Marriage in The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints” [“Martesa me Shumë Bashkëshorte në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; “Why Was It Necessary for Joseph Smith and Others to Practice Polygamy?” [“Pse Ishte e Nevojshme që Jozef Smithi dhe të Tjerët të Ushtronin Poligaminë?”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Doktrina e Besëlidhje 130:2, 18–19; 132:13, 19
Ati Qiellor dëshiron që unë të përqendrohem te gjërat e përjetshme.
-
Çfarë na mëson Doktrina e Besëlidhje 132:13 rreth gjërave të botës? Ndoshta së bashku me fëmijët tuaj mund të paketoni në një valixhe apo çantë shpine artikuj që përfaqësojnë gjërat që, sipas vargjeve te Doktrina e Besëlidhje 130:2, 18–19; 132:19, mund t’i marrim me vete në jetën që vjen.
Doktrina e Besëlidhje 130:20–21; 132:5, 21–23
Perëndia më bekon teksa iu bindem ligjeve të Tij.
-
Ndoshta një krahasim i thjeshtë mund t’iu mësojë fëmijëve tuaj rreth bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Për shembull, ju mund t’u kërkoni atyre t’ju japin orientime për të shkuar diku, si në një shkollë ose ndërtesë të Kishës. Çfarë ndodh kur nuk i ndjekim orientimet? Më pas mund të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 130:21 dhe t’i krahasoni këto orientime me urdhërimet që na ka dhënë Perëndia.
-
Mund edhe të këndoni së bashku një këngë rreth bindjes, të tillë si “Mbaj Urdhërimet” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 68–69) dhe kërkoni fjalë te Doktrina e Besëlidhje 130:20–21 dhe 132:5 që janë të ngjashme me ato në këngë. Si na bekon Perëndia kur përpiqemi fort t’i zbatojmë urdhërimet e Tij?
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë trupa të pavdekshëm fizikë.
-
Pas leximit së bashku te Doktrina e Besëlidhje 130:22, ju dhe fëmijët tuaj mund të vështroni një figurë të Jezu Krishtit dhe të tregoni me gisht sytë e Tij, gojën e Tij dhe pjesët e tjera të trupit të Tij. Fëmijët tuaj mund t’i tregojnë me gisht po ato pjesë në trupat e tyre. Thuajuni atyre pse është e rëndësishme për ju që ta dini se trupat tuaj duken si trupat e Atit Qiellor dhe Jezusit.
Ati Qiellor bëri të mundur që familjet të jenë së bashku përgjithmonë.
-
Ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë shembuj të gjërave që nuk zgjatin përgjithmonë: ushqime që prishen, lule që vyshken e kështu me radhë. Më pas hidhni një sy te Doktrina e Besëlidhje 132:19 së bashku dhe gjeni fraza kyç si “besëlidhjes së … përjetshme”, “vuloset”, “përmes gjithë përjetësisë” dhe “përherë e përgjithmonë”. (Shihni edhe te “Kapitulli 54: Një Zbulesë rreth Martesës”, në Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 198, ose materialin filmik përkatës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].) Mund edhe të vështroni fotografi të familjes suaj dhe të dëshmoni që Zoti ka bërë të mundur, nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit, që familjet të zgjatin përgjithmonë.