“3–9 Nëntor: ‘Një Zë Gëzimi për të Gjallët dhe të Vdekurit’: Doktrina e Besëlidhje 125–128”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 125–128”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
3–9 Nëntor: “Një Zë Gëzimi për të Gjallët dhe të Vdekurit”
Doktrina e Besëlidhje 125–128
Në gusht 1840, një grua e brengosur, Xhejn Nejmani, e dëgjoi Profetin Jozef të fliste në varrimin e mikut të tij, Sejmor Bransënit. I biri adoleshent i Xhejnit, Sajrësi, gjithashtu kishte ndërruar jetë kohët e fundit. Ajo që ia shtonte brengën, ishte fakti që Sajrësi nuk ishte pagëzuar kurrë dhe Xhejni shqetësohej se ç’do të thoshte kjo për shpirtin e tij të përjetshëm. Jozefi e kishte pyetur veten për të njëjtën gjë rreth vëllait të tij të dashur, Alvinit, i cili gjithashtu vdiq përpara se të pagëzohej. Kështu që Profeti vendosi t’i tregonte gjithkujt në varrim, se çfarë i kishte zbuluar Zoti atij rreth njerëzve që ndërrojnë jetë pa i marrë ordinancat e ungjillit dhe se çfarë mund të bëjmë ne për t’i ndihmuar.
Doktrina e pagëzimit për të vdekurit i gëzoi shenjtorët; mendja u shkoi menjëherë te pjesëtarët e familjeve që kishin vdekur. Tani kishte shpresë për ta! Jozefi gëzoi bashkë me ta dhe, në një letër ku e jepte mësim këtë doktrinë, përdori gjuhë të gëzueshme, entuziaste për të shprehur atë që Zoti ia kishte mësuar rreth shpëtimit të të vdekurve: “Malet duhet të bërtasin nga gëzimi dhe të gjitha ju lugina thërrisni me zë të lartë; dhe të gjithë ju dete dhe toka të thata tregoni mrekullitë e mbretit tuaj Emanuel!” (Doktrina e Besëlidhje 128:23.)
Shihni te Saints [Shenjtorët], 1:415–427; “Letters on Baptism for the Dead”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 272–276.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Zoti dëshiron që unë të kujdesem për familjen time.
Pas kthimit nga një mision në Angli, një nga misionet e shumta ku shërbeu, Brigam Jangu mori një thirrje tjetër të rëndësishme nga Zoti. Atij iu kërkua të “kujdese[j] në mënyrë të veçantë për familjen [e tij]” (vargu 3), e cila kishte vuajtur në mungesë të tij. Ndërsa e studioni këtë seksion, merreni parasysh pse Zoti nganjëherë kërkon sakrificë gjatë shërbimit tonë. Çfarë mund të bëni për t’u kujdesur për familjen tuaj?
Shihni edhe tek “Take Special Care of Your Family”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 242–249.
Unë mund të mbështetem te Zoti gjatë kohëve të vështira.
Akuzat e rreme dhe kërcënimi për arrestimin e kishin detyruar përsëri Jozef Smithin që të fshihej në gusht 1842. Dhe prapëseprapë, fjalët që ai u shkroi shenjtorëve gjatë kësaj kohe (tani Doktrina e Besëlidhje 127), janë plot optimizëm dhe gëzim. Çfarë mësoni nga vargjet 2–4 rreth Perëndisë? Rreth mënyrës se si të përballeni me përqeshjen ose kundërshtimin? Cilat fraza nga këto vargje mund t’ju ndihmojnë kur të ndiheni i/e përndjekur? Merreni parasysh që të shënoni se si ju mbështet Zoti në “uji[n e] thellë” të jetës suaj.
Doktrina e Besëlidhje 127:5–8; 128:1–8
“Çfarëdo që regjistroni në tokë, do të regjistrohet në qiell.”
Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 127:5–8; 128:1–8, kërkoni arsyet përse Zoti i dha Jozef Smithit udhëzime të tilla të posaçme rreth shënimit të pagëzimeve për të vdekurit. Çfarë ju mëson kjo rreth Zotit dhe veprës së Tij? Si ndieni se mund të zbatohet ky udhëzim për dokumentet e familjes suaj, të tilla si ditarët vetjakë?
Doktrina e Besëlidhje 128:5–25
Shpëtimi i paraardhësve të mi është thelbësor për shpëtimin tim.
Nga ajo që Perëndia zbuloi nëpërmjet Jozef Smithit, është e qartë arsyeja përse paraardhësit tanë që nuk u pagëzuan në këtë jetë, kanë nevojë për ne: ne pagëzohemi në emrin e tyre në mënyrë që ata të mund të zgjedhin ta pranojnë ose refuzojnë këtë ordinancë. Por Profeti dha mësim edhe se shpëtimi i paraardhësve tanë është “i nevojshëm dhe thelbësor për shpëtimin tonë”. Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 128:15–18, mendoni pse është kështu.
Nga vargu 5 mësojmë se ordinanca e pagëzimit për të vdekurit u “përgatit përpara krijimit të botës”. Çfarë ju mëson kjo e vërtetë rreth Perëndisë dhe planit të Tij? Çfarë i shton mesazhi i Plakut Dejll G. Renland “Historia Familjare dhe Puna në Tempull: Vulosja dhe Shërimi” kuptueshmërisë suaj? (Liahona, maj 2018, f. 46–49.)
Jozef Smithi përdori fraza si “fuqia … lidhëse”, “lidhje bashkëngjitëse” dhe “bashkim … i përsosur” kur dha mësim për ordinancat e priftërisë dhe pagëzimin për të vdekurit. Kërkojini këto dhe fraza të ngjashme me to ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 128:5–25. A mund të mendoni sende të cilat mund t’i përdorni për t’i ilustruar këto fraza, të tilla si një zinxhir ose litar? Përse këto fraza janë të mira për ta përshkruar këtë doktrinë?
Marrja parasysh e pyetjeve vijuese gjithashtu mund të ndihmojë për studimin e këtyre vargjeve nga ana juaj:
-
Sipas mendimit tuaj, pse pagëzimin për të vdekurit mund ta konsiderojmë “më të lavdishmen e të gjitha çështjeve që i përkasin ungjillit të përjetshëm”? (Vargu 17.) Cilat përvoja ju kanë ndihmuar të ndiheni në këtë mënyrë?
-
Në çfarë kuptimi mund të mallkohet toka nëse nuk ka një “lidhje bashkëngjitëse … midis etërve dhe fëmijëve”? (Vargu 18.)
-
Çfarë ju bën përshtypje rreth fjalëve të Jozef Smithit te vargjet 19–25? Si ndikojnë këto vargje te mënyra se si ndiheni për Jezu Krishtin? Për shërbimin në tempull për paraardhësit tuaj? (Shihni edhe tek “Eni, G’zoni”, Himne, nr. 8.)
Pas studimit të këtyre vargjeve, mund të ndiheni i/e frymëzuar për të bërë diçka për paraardhësit tuaj. Idetë në FamilySearch.org mund të ndihmojnë.
“Inspirational Videos” [“Materiale Filmike Frymëzuese”] në koleksionin “Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare” në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] mund t’ju japë ndihmë praktike, histori frymëzuese dhe mesazhe nga udhëheqësit rreth historisë familjare.
Shihni edhe te Kevin R. Dankan, “Një Zë Gëzimi!”, Liahona, maj 2023, f. 95–97.
“Gjëra të Lavdishme e të Mrekullueshme.”
Presidenti Gordon B. Hinkli tha:
“Shlyerja e Jezusit në emër të të gjithëve përfaqëson një sakrificë të madhe mëkëmbëse. Ai dha shembullin sipas të cilit Ai Vetë u bë një mëkëmbës për gjithë njerëzimin. Ky shembull, sipas të cilit një njeri mund të veprojë në emër të një tjetri, vazhdon në ordinancat e shtëpisë së Zotit. Aty ne shërbejmë në emër të atyre që kanë vdekur pa një njohuri [për] ungjilli[n]. Ata kanë mundësinë për ta pranuar ose jo ordinancën e kryer. Atyre u jepen mundësi të barabarta me njerëzit që janë në tokë. Të vdekurve u jepet e njëjta mundësi si të gjallëve. E përsëris edhe një herë, ç’gjëra të lavdishme e të mrekullueshme na ka dhënë i Plotfuqishmi nëpërmjet zbulesave që i dha Profetit të Tij” (“Gjërat e Mëdha që Ka Zbuluar Perëndia”, Liahona, maj 2005, f. 82–83; Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, f. 96).
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Unë mund të ndihmoj për t’u kujdesur për familjen time.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të mësojnë t’u shërbejnë pjesëtarëve të familjes së tyre, merreni parasysh t’u jepni informacionin rreth Brigam Jangut te “Kapitulli 49: Shenjtorët në Navu” (në Histori nga Doktrina e Besëlidhje, f. 184, ose te materiali filmik përkatës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]) ose të përmblidhni seksionin Doktrina e Besëlidhje 126 me fjalët tuaja. Mund të theksoni frazën “të kujdesesh në mënyrë të veçantë për familjen tënde” (vargu 3) dhe të flisni me fëmijët tuaj rreth asaj se çfarë do të thotë të kujdesemi në mënyrë të veçantë për familjen tonë.
-
Mund të jetë argëtuese për ju dhe fëmijët tuaj që të vështroni fotografi familjare (ose të bëni vizatime) ndërsa flisni së bashku rreth mënyrave se si mund të ndihmojmë “të kujdese[mi]” për pjesëtarët e familjes. Mund edhe të këndoni një këngë si “Parajs’ mund t’Jet’ Shtëpia” (Himne, nr. 193).
Doktrina e Besëlidhje 128:5, 12
Të gjithë fëmijët e Perëndisë kanë nevojë për mundësinë që të pagëzohen.
-
Ftojini fëmijët tuaj të zbulojnë nga Doktrina e Besëlidhje 128:1 se çfarë teme bluante në kokë Jozef Smithi. Ata mund edhe të kërkojnë te vargu 17 për të zbuluar se cilën temë ai e konsideronte “më të lavdishmen”. Lërini të tregojnë atë që gjejnë, dhe flisni rreth arsyes përse kjo temë është kaq emocionuese.
-
Krahas ndihmës ndaj fëmijëve tuaj që të përgatiten për besëlidhjen e tyre të pagëzimit (dhe ta jetojnë atë), ju mund t’i ndihmoni ata të dinë se si t’i ndihmojnë njerëzit që nuk i bënë këto besëlidhje gjatë jetës së tyre. Merreni parasysh t’u tregoni fëmijëve tuaj rreth dikujt që e njihni, që vdiq pa u pagëzuar. Më pas mund të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 128:5 dhe të vështroni fotografinë e një vaske pagëzimi në tempull (si ajo në fund të këtij përvijimi). Thuajuni fëmijëve tuaj se si ndiheni për pagëzimin në tempuj në emër të njerëzve që kanë vdekur, në mënyrë që gjithkush të ketë mundësinë të bëjë besëlidhje me Atin Qiellor.
Ati Qiellor dëshiron që unë të mësoj për historinë e familjes sime.
-
Mund të jetë zbavitëse që ju dhe fëmijët tuaj të bëni një zinxhir prej letre me emrat e prindërve, gjyshërve, stërgjyshërve e kështu me radhë (shihni faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Më pas mund t’i tregoni njëri‑tjetrit atë që dini rreth këtyre paraardhësve. Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 128:18 për të zbuluar se cila është “lidhj[a] bashkëngjitëse” që e bën historinë e familjes sonë “[të] plotë dhe [të] tërë”. Mund të shikoni edhe materialin filmik “Courage: I Think I Get It from Him” [“Guximi: Mendoj se e Marr prej Tij”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit].
-
Veprimtari të tjera, për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të marrin pjesë në historinë familjare, mund të gjenden në pjesën “Tempulli dhe Plani i Lumturisë” në shtojcën B ose në FamilySearch.org.