“17–23 Nëntor: ‘Përgatituni Ju për Ardhjen e Dhëndrit’: Doktrina e Besëlidhje 133–134”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 133–134”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
17–23 Nëntor: “Përgatituni Ju për Ardhjen e Dhëndrit”
Doktrina e Besëlidhje 133–134
Në vitin 1833, turmat e sulmuan dhe e shkatërruan shtypshkronjën e Kishës. Mes veprave që po shtypeshin në atë kohë, ishte Libri i Urdhërimeve – orvatja e parë e Kishës për të përpiluar zbulesat e ditëve të mëvonshme të Perëndisë në një vëllim. Turma i shpërndau fletët e palidhura dhe, ndonëse shenjtorët e guximshëm i ruajtën disa prej tyre, vetëm disa kopje jo të plota të Librit të Urdhërimeve dihet që të kenë shpëtuar.
Ajo që dimë tani, është se seksioni 133 te Doktrina e Besëlidhje synohej që të ishte një shtojcë e Librit të Urdhërimeve, si një thirrmë në fund të zbulesave të botuara të Zotit. Ai paralajmëron për ditën e gjykimit që do të vijë, dhe e përsërit thirrjen që gjendet në të gjithë zbulesën bashkëkohore: Ikni nga gjërat e botës, që simbolizohet nga Babilonia. Ndërtojeni Sionin. Përgatituni për Ardhjen e Dytë. Dhe përhapjani këtë mesazh “çdo kombi dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli” (vargu 37). Planet fillestare për Librin e Urdhërimeve nuk u përmbushën, por kjo zbulesë është një kujtues dhe një dëshmi se vepra e Zotit do të shkojë përpara “sepse ai do ta zhveshë krahun e tij të shenjtë … dhe të gjitha skajet e botës do ta shohin shpëtimin e Perëndisë së tyre” (vargu 3).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Doktrina e Besëlidhje 133:4–14
Jezu Krishti më thërret që ta hedh poshtë Babiloninë dhe të vij në Sion.
E kundërta e termit Sion në aspektin shpirtëror është termi Babiloni – një qytet i lashtë që nëpër shkrime të shenjta simbolizon ligësinë dhe robërinë shpirtërore. Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 133:4–14, përsiatni se si po ju thërret Shpëtimtari që të “ikni nga Babilonia” (vargu 5) dhe të “shkoni … në … Sion…” (vargu 9). Si po i përgjigjeni ju thirrjes së Tij? Çfarë tjetër mësoni rreth Sionit nga mesazhi i Plakut D. Tod Kristoferson “Ejani në Sion”? (Liahona, nëntor 2008, f. 37–40.)
Doktrina e Besëlidhje 133:1–19, 37–39
Unë mund të përgatitem tani për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.
Si seksioni 1, parathënia e Zotit për librin Doktrina e Besëlidhje, ashtu edhe seksioni 133, shtojca fillestare e Librit të Urdhërimeve, fillojnë me një kërkesë të ngjashme nga Zoti: “Mbani vesh, O ju njerëz të kishës sime” (Doktrina e Besëlidhje 1:1; 133:1). Ndoshta mund t’i studioni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 133:1–19, 37–39 dhe t’i renditni mesazhet që Zoti ju fton të “mbani vesh”(t’i dëgjoni dhe t’u bindeni) ndërsa përgatiteni për Ardhjen e Tij të Dytë. Në veçanti, mund t’i renditni gjërat që Ai do që ju të bëni për t’u 1) përgatitur dhe 2) për të ndihmuar botën të përgatitet për kthimin e Tij. Çfarë mësoni nga këto lista?
Presidenti Rasëll M. Nelson tha të vërteta të rëndësishme rreth mënyrës se si do të jetë bota kur të kthehet Shpëtimtari dhe mënyrës se si të përgatitemi. Kërkojini këto të vërteta në mesazhin e tij “E Ardhmja e Kishës: Përgatitja e Botës për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit” (Liahona, prill 2020, f. 6–11). Çfarë ndiheni i/e frymëzuar të bëni, ose të vazhdoni të bëni, për ta “përgatitur botën për kthimin e Shpëtimtarit”? (“Tema e Kuorumeve të Priftërisë Aarone”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].)
Shihni edhe te Mateu 25:1–13; Rasëll M. Nelson, “Përqafojeni të Ardhmen me Besim”, Liahona, nëntor 2020, f. 73–76; “Eni, Ju F’mij’ të Zotit”, Himne, nr. 30; Tema dhe Pyetje, “Second Coming of Jesus Christ” [“Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Doktrina e Besëlidhje 133:19–56
Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit do të jetë e gëzueshme për të drejtët.
Teksa e lexoni përshkrimin e kthimit të Shpëtimtarit te vargjet 19–56, çfarë po prisni me padurim nga ato që gjeni? Çfarë fjalësh ose frazash e përshkruajnë dashurinë e Zotit për njerëzit e Tij? Merreni parasysh t’i shënoni përvojat tuaja vetjake me “dashamirësinë e Zotit [tuaj] dhe gjithçka që ai [ju] ka dhënë sipas mirësisë së tij dhe sipas dashamirësisë së tij” (vargu 52).
“Qeveritë u krijuan nga Perëndia për përfitimin e njeriut.”
Marrëdhënia e hershme e shenjtorëve me qeverinë ishte e ndërlikuar. Kur shenjtorët i detyruan të largoheshin nga konteja e Xheksonit në Misuri, në vitin 1833, ata i kërkuan ndihmë qeverisë vendore dhe kombëtare dhe nuk morën asnjë ndihmë. Në të njëjtën kohë, disa njerëz jashtë Kishës i interpretuan mësimet rreth Sionit sikur shenjtorët nuk e pranonin autoritetin e qeverive tokësore. Doktrina e Besëlidhje 134 u shkrua, pjesërisht, për të sqaruar qëndrimin e Kishës lidhur me qeverinë. Çfarë na sugjeron ky seksion rreth mënyrën se si shenjtorët e Zotit duhet të ndihen rreth qeverisë?
Teksa studioni seksionin 134, merreni parasysh të kërkoni parimet e qeverisjes dhe përgjegjësitë e qytetarëve. Si mund të kenë qenë të dobishme këto ide për shenjtorët e hershëm? Si gjejnë zbatim ato në vendin ku jetoni?
Shihni edhe Nenet e Besimit 1:11–12; Tema dhe Pyetje, “Religious Freedom” [“Liria Fetare”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Doktrina e Besëlidhje 133:4–5, 14
Zoti dëshiron që unë të qëndroj larg nga e keqja e botës.
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të renditni disa vende dhe situata prej të cilave Zoti dëshiron që ne të qëndrojmë larg. Më pas mund t’i krahasoni ato vende dhe situata me përkufizimin e emërtimit “Babel, Babiloni” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Më pas mund të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 133:4–5, 14. Çfarë do të thotë të “ikni nga Babilonia”? (Vargu 5.) Mund të bëni gjithashtu një listë të ngjashme të vendeve dhe situatave në të cilat Zoti na fton dhe krahasojeni atë listë me përkufizimin e emërtimit “Sion” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Doktrina e Besëlidhje 133:19–21, 25
Jezu Krishti do të vijë përsëri.
-
Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë ta interpretojnë me gjeste se si është të përgatiten për diçka, si një kampionat sportiv, një vizitor i rëndësishëm ose një festë e parapëlqyer. Përse është e rëndësishme përgatitja? Më pas mund të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 133:17–19, 21 dhe t’i ftoni fëmijët tuaj të kërkojnë atë për të cilën Zoti na fton të përgatitemi. Mund t’u tregoni atyre figurën nga përvijimi i kësaj jave dhe t’i pyetni fëmijët tuaj se çfarë dinë rreth Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Çfarë mësojmë tjetër nga vargjet 19–25, 46–52? Çfarë mund të bëjmë që të përgatitemi për këtë ngjarje të gëzueshme?
-
Mund të fshihni figura ose sende të ndryshme që paraqitin gjërat që mund të bëjmë për t’u përgatitur për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit (të tillë si të lexojmë shkrimet e shenjta, të shpërndajmë ungjillin ose t’u shërbejmë familjeve tona). Lërini fëmijët tuaj t’i gjejnë figurat ose sendet dhe të flasin rreth mënyrës se si bërja e këtyre gjërave na ndihmon të përgatitemi për ta takuar Shpëtimtarin kur Ai të kthehet.
-
Ju gjithashtu mund të këndoni së bashku një këngë rreth Ardhjes së Dytë, të tillë si “Kur Ai të Vij’ Përs’ri” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 46–47). Tregojani njëri‑tjetrit dashurinë tuaj për Shpëtimtarin dhe ndjenjat tuaja për kthimin e Tij.
Doktrina e Besëlidhje 133:52–53
Jezu Krishti është i dashur dhe dashamirës.
-
Ju dhe fëmijët tuaj mund të vështroni figura që tregojnë se Jezusi është i dashur e dashamirës. (Për shembull, shihni te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 42, 47.) Çfarë tjetër ka bërë Jezusi për të treguar dashurinë dhe dashamirësinë e Tij? Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 133:52 dhe ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë mënyra se si mund t’ua “përmendin dashamirësinë e Zotit të tyre” të tjerëve.
Zoti dëshiron që unë t’i bindem ligjit.
-
Fëmijët tuaj mund të renditin rregullat ose ligjet të cilave iu binden. Si do të ishte jeta nëse askush nuk do t’u bindej këtyre ligjeve? Më pas mund të lexoni me ta te Doktrina e Besëlidhje 134:1–2, duke i ndihmuar të kuptojnë ndonjë fjalë ose frazë që mund të mos e kuptojnë. Pse Zoti dëshiron që ne t’i bindemi ligjit? (Shihni edhe te Nenet e Besimit 1:12.)