Dhiata e Vjetër 2022
4–10 Korrik. 2 Mbretërve 2–7: “Ka një Profet në Izrael”


“4–10 Korrik. 2 Mbretërve 2–7: ‘Ka një Profet në Izrael’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“4–10 Korrik. 2 Mbretërve 2–7”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2022

Pamja
Eliseu duke i treguar shërbëtorit qerret e zjarrta

Ilustrim i Eliseut duke i treguar shërbëtorit të tij qerret e zjarrta, © Review & Herald Publishing/licensuar nga goodsalt.com

4–10 Korrik

2 Mbretërve 2–7

“Ka një Profet në Izrael”

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta, Fryma e Shenjtë mund të sjellë në vëmendjen tuaj fraza apo fragmente të caktuara. Merrni parasysh të shkruani pse ato fragmente janë domethënëse për ju.

Shënojini Mbresat Tuaja

Misioni kryesor i një profeti është të japë mësim dhe të dëshmojë për Shpëtimtarin Jezu Krisht. Sidoqoftë, anali ynë për profetin Elise nuk përfshin shumë nga mësimet ose dëshmitë e tij. Ato që përfshin anali janë mrekullitë që kreu Eliseu, përfshirë edhe ngritjen e një fëmije së vdekuri (shih 2 Mbretërve 4:18–37), ushqyerjen e një turme me një sasi të vogël ushqimi (shih 2 Mbretërve 4:42–44), shërimin e një lebrozi (shih 2 Mbretërve 5:1–14). Pra, ndërkohë që ne nuk i kemi fjalët e Eliseut që dëshmon për Krishtin, ne kemi, gjatë gjithë shërbesës së Eliseut, shfaqje të fuqishme të fuqisë jetësore, ushqyese dhe shëruese të Zotit. Shfaqje të tilla janë më të shumta në jetën tonë sesa i kuptojmë ndonjëherë. Për t’i parë, ne kemi nevojë të kërkojmë mrekullinë që kërkoi Eliseu kur u lut në emër të shërbëtorit të tij të ri të frikësuar: “O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë” (2 Mbretërve 6:17).

Për më shumë informacion rreth 2 Mbretërve, shih “Mbretër(ve)” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

2 Mbretërve 2–6

Perëndia mund bëjë mrekulli në jetën time.

Mrekullitë shpesh na ndihmojnë t’i kapërcejmë vështirësitë e vdekshmërisë – në kohën e Eliseut, një tokë jopjellore kishte nevojë për ujë të pastër dhe një sëpatë e humbur kishte nevojë të rigjendej (shih 2 Mbretërve 2:19–22; 6:4–7). Por mrekullitë gjithashtu i drejtojnë zemrat tona drejt Zotit dhe na japin mësime shpirtërore. Ndërsa lexoni te 2 Mbretërve 2–6, merrni parasysh të bëni një listë të mrekullive që gjeni dhe përsiatni për mësimet shpirtërore që merrni nga secili. Çfarë ju mësojnë këto mrekulli rreth Zotit dhe asaj që mund të bëjë Ai në jetën tuaj?

Shih edhe 2 Nefi 26:12–13; 27:23; Mormoni 9:7–21; Moroni 7:35–37; Donald L. Hallstrom, “A Mos Ka Pushuar Dita e Mrekullive?Liahona, nëntor 2017, f. 88–90.

2 Mbretërve 4:8–17; 7:1–16

Fjalët e Zotit nëpërmjet profetëve të Tij do të përmbushen.

Siç shënohet te 2 Mbretërve 4:8–17; 7:1–16, Zoti e frymëzoi Eliseun të profetizonte për gjërat që do të vinin – gjëra që dukeshin, nga këndvështrimi i të tjerëve, se nuk kishin gjasë të ndodhnin. Ndërsa i lexoni këto vargje, mendoni se si i përgjigjeni fjalës së Zotit nëpërmjet profetëve të Tij sot. Çfarë mësimesh, profecish apo premtimesh keni dëgjuar nga profetët e gjallë? Çfarë po bëni për të vepruar me besim sipas atyre premtimeve?

Shih edhe 3 Nefi 29:6; Doktrina e Besëlidhje 1:37–38.

2 Mbretërve 5

Nëse jam i/e përulur dhe i/e bindur, Jezu Krishti mund të më shërojë.

Ndonjëherë është më e lehtë të gjeni kuptim vetjak në shkrimet e shenjta kur i krahasoni gjërat fizike në një histori me gjërat shpirtërore. Për shembull, ndërkohë që lexoni te 2 Mbretërve 5, ju mund ta krahasoni lebrën e Naamanit me një sfidë shpirtërore me të cilën po përballeni. Ashtu si Naamani, ndoshta ju keni shpresuar se Zoti do të “[bëjë] një gjë të madhe” (vargu 13) për t’ju ndihmuar. Çfarë ju mëson përvoja e Naamanit? Në jetën tuaj, cila do të ishte e barasvlershmja e ndjekjes së këshillës së thjeshtë për t’u “la[rë] dhe … pastr[uar]”?

Vini re se si ndikoi përvoja e Naamanit te besimi i tij në Perëndinë e Izraelit (shih vargun 15). Cilat përvoja e kanë forcuar besimin tuaj te Perëndia?

Shih edhe Lluka 4:27; 1 Pjetër 5:5–7; Alma 37:3–7; Ethëri 12:27; L. Uitni Klejton, “Bëni Gjithçka që Ai t’ju Thotë”, Liahona, maj 2017, f. 97–99; “Naaman and Elisha” [“Naamani dhe Eliseu”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.

2 Mbretërve 6:8–23

“Ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta.”

A jeni ndier ndonjëherë sikur jeni më pak në numër dhe të frikësuar, duke e pyetur veten, ashtu siç bëri shërbëtori në moshë të re i Eliseut: “Ç’do të bëjmë?” (Shih 2 Mbretërve 6:8–23.) Çfarë ju frymëzon nga përgjigjja e Eliseut? Si e ndryshon ky rrëfim mënyrën se si mendoni dhe ndiheni për sprovat tuaja, përgjegjësitë tuaja ose përpjekjet tuaja për ta jetuar ungjillin?

Teksa përsiatni, merrni parasysh fjalët e Presidentit Henri B. Ajring: “Ashtu si për atë shërbëtor të Eliseut, ka më shumë me ju sesa ata që mund të shihni në kundërshtim me ju. Disa që janë me ju do të jenë të padukshëm për sytë tuaj të vdekshmërisë. Zoti do t’ju mbajë dhe do ta bëjë duke thirrur të tjerë që t’ju mbështesin ju” (“O Ju që Hyni në Shërbim të Perëndisë”, Liahona, nëntor 2008, f. 58).

Shih edhe Psalmeve 121; Doktrina e Besëlidhje 84:88.

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë

2 Mbretërve 2:1–14.Mendoni për njerëzit të cilët panë që Eliseu e “mblodhi” mantelin e Elias (ose pelerinën – një simbol i thirrjes së tij profetike). Si mund të ketë ndikuar kjo në mënyrën se si reaguan ata ndaj shërbesës së Eliseut? (Shih edhe 1 Mbretërve 19:19.) Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të veshin me radhë një “mantel” dhe të dëshmojnë për mënyrat se si e kanë parë Zotin t’i përkrahë dhe forcojë ata që thirren për të shërbyer në Kishën e Tij.

2 Mbretërve 4.Ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes të lexojnë rreth një prej mrekullive te 2 Mbretërve 4 (shih vargjet 1–7, 14–17, 32–35, 38–41, 42–44) dhe të shkruajnë një të dhënë për t’i ndihmuar pjesëtarët e tjerë të familjes të gjejnë se cilën mrekulli po përshkruan ai ose ajo. Çfarë mësojmë nga ky kapitull rreth Zotit dhe mrekullive të Tij? Çfarë mrekullish – të mëdha ose të vogla – kemi parë në jetën tonë?

2 Mbretërve 5:1–15.Ndërsa i lexoni këto vargje dhe përsiatni për gjënë e thjeshtë që Naamanit iu kërkua të bënte, merrni parasysh gjërat e thjeshta që profeti ynë na ka kërkuar të bëjmë. Si mundet që familja jonë ta ndjekë më mirë këshillën e tij?

Familja juaj gjithashtu mund të shohë materialin filmik “Naaman and Elisha” [“Naamani dhe Eliseu”] (ChurchofJesusChrist.org) ose të lexojë “Eliseu Shëron Naamanin” (te Histori të Dhjatës së Vjetër).

2 Mbretërve 5:20–27.Si mund të kishte përfituar Gehazi nga leximi i pjesës “Ndershmëria dhe Integriteti Moral” te broshura Për Forcën e Rinisë? (faqe 19.) Si na dëmton pandershmëria? Si jemi bekuar nga të qenit të ndershëm?

2 Mbretërve 6:13–17.Pjesëtarët e familjes mund të kënaqen kur vizatojnë një figurë të përvojës së Eliseut dhe shërbëtorit të tij të përshkruar në këto vargje. Si mund të na ndihmojnë këto vargje kur ndihemi vetëm ose të mbingarkuar?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Kënga e sugjeruar: “F’mij’ të Dashur, Pran’ Ësht’ Zoti”, Himne, nr. 49.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Nxitni bërjen e pyetjeve. Pyetjet nga fëmijët janë një tregues se ata janë gati të mësojnë. Nëse nuk i dini përgjigjet ndaj pyetjeve të tyre, kërkojini përgjigjet me ta. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25–26.)

Pamja
Naamani duke u larë në lumë

Ilustrim i Naamanit duke u shëruar nga lebra, nga Paul Mann

Shtyp në Letër