Eja, Më Ndiq
13–19 Janar. 1 Nefi 8–10: “Ejani dhe Hani Frutin”


“13–19 Janar. 1 Nefi 8–10: ‘Ejani dhe Hani Frutin’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“13–19 Janar. 1 Nefi 8–10”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

Pamja
Vegimi i Lehit për pemën e jetës

Ëndrra e Lehit, nga Steven Lloyd Neal

13–19 Janar

1 Nefi 8–10

“Ejani dhe Hani Frutin”

Përveçse ta shikoni veten tuaj në vegimin e Lehit, përpiquni t’i shihni edhe fëmijët të cilëve u jepni mësim. Si zbatohet ky vegim për ta?

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Kontaktojini disa fëmijë paraprakisht dhe kërkojuni të mendojnë për përvoja apo shkrime të shenjta që ata mund t’i tregojnë, të cilat i kanë ndihmuar që ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

1 Nefi 8:2, 5–34

Fjala e Perëndisë më udhëheq për te Perëndia dhe më ndihmon ta ndiej dashurinë e Tij.

Në vegimin e Lehit, ne ftohemi të marrim nga dashuria e Perëndisë, që simbolizohet nga pema dhe fruti i saj. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që ta pranojnë këtë ftesë?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët që t’ju ndihmojnë të tregoni historinë e vegimit të Lehit nga 1 Nefi 8:10–34. Për t’i ndihmuar që ta përfytyrojnë historinë, ju mund të tregoni një figurë të vegimit të Lehit (shih përvijimin [e mësimit të] kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) ose figurën te “Kapitulli 6: Ëndrra e Lehit” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 18–20). Sigurohuni që fëmijët ta dinë se shufra e hekurt përfaqëson fjalën e Perëndisë, të cilën ne e lexojmë në shkrimet e shenjta dhe e dëgjojmë nga profetët e gjallë. Ndihmojini ata të kuptojnë se pema e jetës përfaqëson dashurinë e Perëndisë për ne.

  • Sillni një litar për të përfaqësuar shufrën e hekurt në vegimin e Lehit. Kërkojuni fëmijëve që të mbahen tek ajo teksa i udhëhiqni rreth e rrotull dhomës drejt figurës së një peme. Ndihmojini të kuptojnë se fjala e Perëndisë na sjell më pranë Tij, pikërisht ashtu si litari që përfaqëson shufrën e hekurt na çoi drejt pemës. Për të treguar se pema përfaqëson dashurinë e Perëndisë, ju mund të paraqitni figura të gjërave që Perëndia na ka dhënë, të cilat tregojnë dashurinë e Tij për ne, të tilla si Shpëtimtari, familjet tona dhe bota e bukur.

  • Sillni disa fruta me një zemër bashkëngjitur atyre. Jepuni fëmijëve një pjesë të frutës që ta provojnë dhe pyetini rreth frutave të tyre të parapëlqyera. Shpjegoni se fruti në vegimin e Lehit ishte fruti më i ëmbël që ai kishte shijuar ndonjëherë, dhe ai e mbushi shpirtin e tij me gëzim. Ashtu si fruti i ëmbël na bën të lumtur, ne do të ndihemi të lumtur kur e ndjekim Jezusin dhe të jetojmë përsëri me Atin Qiellor.

  • Lexojeni 1 Nefin 8:12 dhe ftojini fëmijët që të mbajnë vesh me kujdes atë që Lehi donte të bënte pasi e shijoi frutin. Lërini fëmijët që me radhë të hiqen sikur janë Lehi që i fton të tjerët të vijnë dhe të marrin nga fruti. Çfarë mund të bëjmë për t’i ftuar të tjerët që të vijnë dhe t’i gëzojnë bekimet e ungjillit me ne?

1 Nefi 10:17, 19

Perëndia do të ma zbulojë të vërtetën nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Pasi dëgjoi për vegimin e atit të tij, Nefi kishte një dëshirë që duhet ta kemi të gjithë – dëshirën për ta ditur vetë të vërtetën.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojeni 1 Nefin 10:19 dhe ftojini fëmijët t’i ngrenë duart e tyre kur dëgjojnë fjalët “shpalosen” dhe “Frymës së Shenjtë”. Ndihmojini fëmijët ta kuptojnë këtë shkrim të shenjtë, i cili na mëson se Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë të dimë përgjigjet për pyetjet tona. Për t’i ndihmuar fëmijët të përfytyrojnë se çfarë do të thotë që e vërteta të “shpalose[t]”, sillni një batanije të palosur me një figurë të Shpëtimtarit brenda saj dhe kërkojuni fëmijëve që ta shpalosin atë.

  • Këndoni një këngë me fëmijët për kërkimin e së vërtetës, të tillë si “Search, Ponder, and Pray [Kërko, Përsiat dhe Lutu]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 66). Paraqitni figura që ilustrojnë fjalë në këngë, për t’i ndihmuar fëmijët të kujtojnë se si na mëson Fryma e Shenjtë.

  • Merreni parasysh të tregoni një përvojë kur Fryma e Shenjtë ju ndihmoi të dinit se diçka ishte e vërtetë. Tregojuni fëmijëve se si ju foli Fryma e Shenjtë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

1 Nefi 8:2, 5–34

Fjala e Perëndisë më udhëheq për te Perëndia dhe më ndihmon ta ndiej dashurinë e Tij.

Ndërsa fëmijët në klasën tuaj mësojnë rreth vegimit të Lehit, nxitini ata që ta studiojnë fjalën e Perëndisë dhe t’ua tregojnë dashurinë e Perëndisë të tjerëve.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndërsa fëmijët lexojnë vargje të përzgjedhura nga 1 Nefi 8, ftojini ata që të gjejnë hollësi nga këto vargje në një figurë të vegimit të Lehit (të tillë si ajo në përvijimin e [mësimit të] kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ose, kërkojuni atyre të bëjnë në tabelë vizatime të hollësive për të cilat lexuan. Më pas ndihmojini fëmijët të zbulojnë se çfarë përfaqësojnë simbolet në ëndërr (shih 1 Nefi 11:21–22; 12:16–18; 15:23–33, 36).

  • Nëse është e mundur, sillni në klasë një copë hekur ose metal tjetër dhe ftojini fëmijët të përshkruajnë disa nga vetitë e tij dhe gjërat për të cilat mund të përdoret. Në ç’mënyrë është fjala e Perëndisë si një shufër hekuri? Ku e gjejmë fjalën e Perëndisë? Përse është kaq e rëndësishme shufra e hekurt në vegimin e Lehit?

    Pamja
    Lehi duke ngrënë frutin e pemës së jetës

    Lehi duke ngrënë frutin e pemës së jetës. Pema e Jetës, nga Marcus Alan Vincent

  • Ftojini fëmijët që të shkruajnë në një fletë letër një përvojë kur fjala e Perëndisë i ndihmoi të dinin se çfarë duhej të bënin, ose i ndihmoi të ndiheshin më pranë Atit Qiellor. Ndërsa tregojnë atë që shkruan, ftojini ata që ta rrotullojnë fletën duke e mbledhur në formën e një shufre. Ju madje mund t’i ngjitni “shuf[rat]” e fëmijëve së bashku si një ilustrim të shufrës së hekurt në ëndrrën e Lehit.

  • Ftojini fëmijët ta lexojnë 1 Nefin 8:10–12 dhe të përshkruajnë atë që pa Lehi. Kërkojuni të tjerëve ta lexojnë 1 Nefin 11:20–23 dhe të përshkruajnë atë që pa Nefi. Pse engjëlli do t’i tregonte Nefit foshnjën Jezus për t’i dhënë mësim atij mbi dashurinë e Perëndisë? Për të ndihmuar që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, lexoni së bashku Gjonin 3:16 ose këndoni së bashku një këngë për Shpëtimtarin, të tillë si “He Sent His Son [Ai Dërgoi Birin e Tij]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 20). Tregojuni fëmijëve se si e keni ndier dashurinë e Atit Qiellor dhe të Birit të Tij, Jezu Krishtit, në jetën tuaj.

  • Shkruani në tabelë: Çfarë mësojmë nga shembulli i Lehit? Ftojini fëmijët të mendojnë për vegimin e Lehit dhe të shkruajnë sa më shumë përgjigje që munden. Kërkojuni që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës. Më pas, kërkojuni fëmijëve të mendojnë për dikë me të cilin mund ta ndajnë gëzimin e ungjillit.

1 Nefi 10:17–19; 11:1

Perëndia do të ma zbulojë të vërtetën nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Nëse i kërkojmë Atit Qiellor me besim, e vërteta do të “[na] shpalose[t] nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (1 Nefi 10:19). Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim që ta kuptojnë këtë të vërtetë?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të bisedojnë rreth mënyrave se si mund të gjejnë përgjigje për një pyetje. Nxitini fëmijët ta lexojnë 1 Nefin 10:17–19 dhe 11:1. Çfarë do të thoshte Nefi nëse dikush do ta pyeste atë se si t’i gjente përgjigjet për një pyetje rreth ungjillit? Si na mëson Perëndia me anë të Frymës së Shenjtë? (Shih DeB 8:2.)

  • Kërkojuni fëmijëve të flasin për një rast kur Fryma e Shenjtë i ndihmoi të dinin se diçka ishte e vërtetë. Kërkojuni atyre të përfytyrojnë sikur kanë një shok ose shoqe që mendon se nuk mund të marrë përgjigje me anë të Frymës së Shenjtë. Çfarë mund të tregojnë nga 1 Nefi 10:17–19 dhe 11:1 për ta ndihmuar atë shok/shoqe?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Nxitini fëmijët ta përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’u treguar familjeve të tyre atë që mësuan rreth vegimit të Lehit për pemën e jetës.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Fëmijët mësojnë në shumë mënyra. Fëmijët kënaqen duke mësuar nëpërmjet përvojave të larmishme. Përdorni veprimtari që i ndihmojnë ata të lëvizin rreth e rrotull, t’i përdorin të gjitha shqisat e tyre dhe të provojnë gjëra të reja. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25–26.)

Shtyp në Letër