“6–12 Maj. Lluka 12–17; Gjoni 11: ‘Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“6–12 Maj. Lluka 12–17; Gjoni 11”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
6–12 Maj
Lluka 12–17; Gjoni 11
“Gëzohuni Bashkë me Mua, sepse e Gjeta Delen Time që më Kishte Humbur”
Lexojini plot lutje Llukën 12–17 dhe Gjonin 11, duke kërkuar mënyrën se si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që t’i kuptojnë të vërtetat në këta kapituj dhe ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Kujtojuani fëmijëve disa nga shëmbëlltyrat dhe historitë që gjenden te Lluka 12–17 e Gjoni 11 dhe ftojini që të zgjedhin njërën prej tyre dhe ta vizatojnë atë.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Ati Qiellor do që të gjithë fëmijët e Tij të kthehen tek Ai.
Mund të ketë disa fëmijë në klasën tuaj të cilët nuk e frekuentojnë rregullisht Filloren. Si mund t’i frymëzoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që t’ua shtrijnë atyre dorën e ndihmës me dashuri?
Veprimtari të Mundshme
-
Jepini një fëmije një monedhë, një fëmije tjetër një figurë të një deleje dhe një fëmije tjetër një figurë të djalit plëngprishës (LDS.org). Tregojini të treja shëmbëlltyrat që gjenden te Lluka 15 dhe ftojini fëmijët ta mbajnë lart monedhën apo figurën e tyre kur ju e përmendni atë. Ju mund t’i ftoni fëmijët që t’ia ritregojnë shëmbëlltyrat njëri-tjetrit me vetë fjalët e tyre.
-
Kërkojuni fëmijëve që të tregojnë për një rast kur ata humbën diçka. Shpjegoni se njerëzit mund të humbasin shpirtërisht kur ata nuk e ndiejnë dashurinë e Perëndisë apo kur largohen prej Tij. Dëshmoni që këto shëmbëlltyra na mësojnë se Perëndia dëshiron që ne t’i ndihmojmë njerëzit të cilët kanë humbur, që të kthehen tek Ai.
-
Ftojini fëmijët të mendojnë për fëmijë të tjerë që nuk vijnë në Fillore. Ndihmojini ata të shkruajnë shënime duke i ftuar këta fëmijë që ta frekuentojnë Filloren apo një veprimtari të Fillores. Në ç’mënyrë tjetër mund t’i ndihmojmë këta fëmijë që ta ndiejnë dashurinë që ka Ati Qiellor për ta?
Unë mund ta tregoj dashurinë time për Atin Qiellor duke qenë mirënjohës për bekimet e mia.
Si mund t’i nxitë fëmijët historia e dhjetë lebrosëve që të jenë mirënjohës?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojeni historinë e dhjetë lebrosëve të cilët u shëruan nga Jezusi. Paraqiteni figurën që gjendet në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe ftojini fëmijët që të numërojnë me gishta deri në dhjetë. Pastaj kërkojuni që t’i ulin nëntë gishta për të treguar të vetmin lebros që e falënderoi Jezusin. Kur e kanë shprehur fëmijët mirënjohjen e tyre ndaj një shoku apo një njeriu të dashur?
-
Ftojeni secilin fëmijë që të interpretojnë me role diçka për të cilën ai ose ajo është mirënjohëse, dhe vëreni pjesën tjetër të fëmijëve që të marrin me mend se çfarë është ajo. Kërkojuni fëmijëve që të thonë mënyrat se si mund t’i tregojmë Atit Qiellor që jemi mirënjohës për bekimet tona.
Ne besojmë se Jezusi është Biri i Perëndisë.
Marta, që ishte motra e Llazarit, i tha Jezusit: “Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë” (Gjoni 11:27). Historia e Maries, Martës dhe Llazarit mund ta forcojë dëshminë e fëmijëve për Jezu Krishtin.
Veprimtari të Mundshme
-
Përmblidheni historinë e Jezusit kur ngriti nga vdekja Llazarin (shih edhe “Kapitullin 43: Jezusi Rikthen në Jetë Llazarin”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 107–109, ose materialin filmik përkatës në LDS.org) dhe tregoni një degë të kalbur dhe një bimë të gjallë. Jepni dëshminë tuaj se, për shkak të fuqisë së Jezu Krishtit, njerëzit që kanë vdekur do të ringjallen dhe do të jetojnë përgjithmonë.
-
Ndihmojini fëmijët të mësojnë përmendsh frazën që Jezusi i tha Martës: “Unë jam ringjallja dhe jeta” (Gjoni 11:25). Shpjegoni se për shkak të Ringjalljes së Shpëtimtarit, ne do t’i shohim edhe një herë njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund ta ndihmoj Jezusin që të gjejë delet e Tij të humbura.
Fëmijët mund të mos jenë në dijeni që ka fëmijë të tjerë në klasë të cilët nuk vijnë në Fillore. Si mund t’i frymëzoni ata që t’ua zgjatin dorën e ndihmës këtyre fëmijëve?
Veprimtari të Mundshme
-
Caktojini çdo fëmije që të lexojë në heshtje shëmbëlltyrën e deles së humbur ose shëmbëlltyrën e monedhës së humbur, të cilat gjenden te Lluka 15:1–10, dhe të tregojnë atë që mësuan.
-
Shkruajini këto emra në tabelë: atë, djalë më i madh dhe djalë më i vogël. Shfaqeni materialin filmik “The Prodigal Son” [“Djali Plëngprishës”] (LDS.org) dhe ndalojeni atë me raste, në mënyrë që fëmijët të mund të shkruajnë në tabelë disa prej ndjenjave të njerëzve të renditur.
-
Kërkojini një fëmije të largohet nga dhoma ndërkohë që fëmijët e tjerë fshehin një monedhë apo një dele prej letre. Kërkojini fëmijës që të kthehet dhe të kërkojë monedhën ose delen. Kujtojuni fëmijëve se njerëzit mund ta humbasin rrugën për te bekimet e ungjillit. Ftojini të sugjerojnë mënyra se si mund t’ua shtrijnë dorën e ndihmës njerëzve të tillë. Këndoni së bashku me fëmijët “Pranë Zemrës së Bariut”, Himne, nr. 138 dhe dëshmoni për gëzimin që vjen kur njerëzit kthehen te Perëndia.
-
Shpjegoni se Jezusi e përdori delen e humbur, monedhën e humbur dhe djalin plëngprishës për të përfaqësuar njerëz që kanë “humbur” ngaqë nuk i kanë bekimet e ungjillit. Ftojini fëmijët të mendojnë për njerëz që ata i njohin, të cilët nuk vijnë në kishë. Çfarë mund të bëjnë ata për t’i ndihmuar këta njerëz që ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor për ta?
Unë mund ta tregoj dashurinë time për Atin Qiellor duke qenë mirënjohës për bekimet e mia.
Historia e dhjetë lebrosëve mund të jetë një mënyrë e mirë për t’i frymëzuar fëmijët që t’i shprehin mirënjohje Atit Qiellor për bekimet e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojeni së bashku tregimin e dhjetë lebrosëve. Si u bekua për mirënjohjen e tij lebrosi që dha falënderime? Përse është e rëndësishme që ta falënderojmë Perëndinë për bekimet tona?
-
Ftojini fëmijët të renditin gjëra për të cilat janë mirënjohës, që fillojnë me secilën germë të emrit të tyre.
-
Kërkojuni fëmijëve që t’i shkruajnë shënime falënderimi Atit Qiellor për bekimet që Ai u jep. Ata mund t’i varin shënimet pranë shtratit të tyre për t’i kujtuar ata që të shprehin mirënjohje kur luten.
Ne besojmë se Jezusi është Biri i Perëndisë.
Si mund ta përdorni historinë e Maries, Martës dhe Llazarit për t’i ndihmuar fëmijët që ta dinë, ashtu siç e dinte Marta, se Jezusi është “Krishti, Biri i Perëndisë”? (Gjoni 11:27.)
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë disa thënie të shprehura nga njerëz te Gjoni 11. Ftojini fëmijët të gjejnë se kush e tha secilën thënie, dhe kërkojuni atyre që ta studiojnë Gjonin 11 për t’i kontrolluar gjërat që i morën me mend. Si do të ndiheshin po të ishin Jezusi, Marta, Maria apo Llazari? Si mund të na ndihmojë besimi te Jezusi kur jemi të trishtuar apo të frikësuar?
-
Lexojeni dëshminë e Martës, që gjendet te Gjoni 11:20–27. Kërkojuni fëmijëve të shohin për fjalë dhe fraza që tregojnë se Marta kishte besim. Çfarë mund të bëjmë për të pasur besim kur është e vështirë?
-
Ndihmojini fëmijët ta mësojnë përmendsh Gjonin 11:25. Shpjegoni se çdo njeri do të ringjallet, por vetëm të drejtët do të marrin jetë të përjetshme dhe do të jetojnë përsëri me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Jepuni fëmijëve disa fletë letre apo një bllok të vogël shënimesh që mund t’i përdorin për të shkruar ose vizatuar gjëra për të cilat ata janë mirënjohës gjatë gjithë javës.