“Ju Jeni një Mësues për Fëmijët”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“Ju Jeni një Mësues për Fëmijët”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
Ju Jeni një Mësues për Fëmijët
Ju jeni thirrur nga Perëndia për t’u dhënë mësim fëmijëve të Tij sipas mënyrës së Shpëtimtarit. Ju u veçuat në këtë thirrje nga autoriteti i priftërisë së Tij të shenjtë. Edhe nëse nuk jeni mësues me përvojë, ndërkohë që jetoni me denjësi, luteni çdo ditë dhe i studioni shkrimet e shenjta, Perëndia do t’ju japë ndikimin dhe fuqinë e Shpirtit të Shenjtë (shih 2 Nefi 33:1).
Ata që ju mirëbesohen në përkujdesjen tuaj, janë fëmijë të Atit Qiellor dhe Ai e di se çfarë kanë nevojë dhe se cila është mënyra më e mirë për t’i ndihmuar ata. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, Perëndia do t’ju udhëzojë gjatë përgatitjes suaj dhe ndërkohë që jepni mësim. Ai do t’ju zbulojë se çfarë duhet të thoni dhe çfarë duhet të bëni.
Në të gjitha aspektet e jetës së tyre, këta fëmijë të çmuar vazhdimisht po përvetësojnë informacion, po formojnë e përpunojnë opinionet e tyre dhe po krijojnë e tregojnë gjëra që zbulojnë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për ungjillin, sepse fëmijët janë të gatshëm dhe të etur për t’i mësuar të vërtetat e tij të thjeshta. Besimi i tyre në gjëra shpirtërore është i fortë dhe i dëlirë dhe ata e shohin çdo çast si një çast për të mësuar. Ata në mënyrë të vullnetshme veprojnë sipas asaj që kanë mësuar, edhe nëse të kuptuarit e tyre është ende i paplotë. Kjo është mënyra se si ne të gjithë duhet ta pranojmë ungjillin. Sikurse dha mësim Shpëtimtari: “Ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë atje” (Lluka 18:17).
Thirrja për t’u dhënë mësim fëmijëve është një mirëbesim i shenjtë. Është normale të ndihemi të mbingarkuar nganjëherë. Por mbani mend që Ati Qiellor ju thirri dhe Ai kurrë nuk do t’ju braktisë. Kjo është vepra e Tij dhe teksa shërbeni “me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj” (DeB 4:2), Ai do t’i zgjerojë aftësitë, dhuntitë e talentet tuaja dhe shërbimi juaj do ta bekojë jetën e fëmijëve të cilëve u jepni mësim.